MENU
klinika

Kryeministri bën bilancin

Sa parashikohet rritja ekonomike vitin e ardhshëm?

29.12.2020 - 21:15

Në konferencën e fundvitit të mbajtur me gazetarët, kryeministri Edi Rama bëri një bilanc të ndihmës që ka dhënë qeveria për biznesin dhe punonjësit e goditur nga pandemia e Covid-19. Ai tha se sa i takon mbështetjes në raport me PBB-në Shqipëria është e dyta në rajon pas Serbisë.

“Vetëm mars-qershor me më shumë se 450 mln dollarë mbështetje direkte, faktikisht hymë ndër vendet që kanë ofruar një mbështetje të konsiderueshme në raport me PBB kombëtar. Dhe nga ana tjetër, shifrat janë kokëforta, flas për para të disbursuara jo të hamendësuara, flas për fonde të kaluara në xhepat e punonjësve të kaluara në arkën e kompanive.

Jemi në rajon në vendin e dytë, pas Serbisë. E cila kaloi fazën e parë në një proces elektoral. Sipas Bankës Botërore si rezultat i masave të marra ekonomia shqiptare dhe ajo malazeze do të jenë dy ekonomitë që do rimëkëmben më shpejt nga goditja e pandemisë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë thotë se “BB e parashikon 5 për qind rritjen ekonomike vitin e ardhshëm, 1.5 më shumë se mesatarja e rajonit”, ndërsa “FMN e parashikon 6 për qind”.

“Padiskutim që ekonomia jonë ka një bazë të qenësishme për t’u rritur dhe vazhduar të rritet pas kësaj goditje. Për t’u kthyer te aspekti i të prekurve direkt, dua të theksoj se sipas OBSH-së në Shqipëri kanë humbur jetën mesatarisht 405 për 1 milionë banorë, në Bosnje dhe Maqedoni është dy herë më e lartë, mbi 1200.

Ne jemi në një nivel të pranueshëm dhe të arsyeshëm për të qenë të motivuar për të vazhduar deri në fund për t’ia dalë”, theksoi ai.

Më herët kreu i qeverisë u ndal te punonjësit e prekur nga pandemia e Covid-19 duke theksuar se 20 mijë prej tyre janë rikthyer në vendin e punës.

“Një tjetër e dhënë që i referohet regjistrit të të punësuarve, në Shqipëri në momentin e goditjes së madhe mars-qershor rezultuan të papunë menjëherë 33 mijë persona dhe sot janë më shumë 20 mijë të rikthyer në vendin e punës. Ne kemi një program të veçantë për nxitjen dhe mbështetjen për kthimin në punë të asaj pjese të mbetur që humbi vendin e punës për shkak të pandemisë.

Kemi dyfishuar pagesën mujore të papunësisë, kemi dyfishuar ndihmën ekonomike dhe do ta mbajmë në fuqi deri në fund të luftës me këtë armik të padukshëm, për të gjitha familjet me ndihmë ekonomike. Kemi fshirë kamatvonesat e energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël me një efekt financiar 120 mln euro”, u shpreh kryeministri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ministrja Denaj: Fatura më e rëndësishme është për...

Kush përfiton rritje pagash në Vitin 2021?