MENU
klinika

Të jetuarit përballë vdekjes, mund të krijojë një mori...

Si po e ndryshon pandemia kuptimin tonë mbi vdekjen?

19.12.2020 - 18:06

Ky vit na ka zgjuar mbi faktin se ne vdesim. Në një kuptim teknik, e kemi ditur gjithmonë që kjo është e vërtetë. Por një pandemi kërkon që ne ta brendësojmë këtë kuptim. Është një gjë të pranojmë vdekjet e të tjerëve, dhe totalisht tjetër të pranojmë tonën.

Nuk është vetëm shumë e rëndë emocionalisht; por edhe e vështirë që të konceptohet.

T`a bësh këtë do të thotë t`a imagjinosh, të bësh llogaritë me të, dhe më e rëndësishmja t`a personalizosh atë. Jeta tuaj. Vdekja juaj. Raportet ditore të vdekjeve nga Covid-19 dhe shtrimet në spital, lexohen si buletini meteorologjik.

Këtë javë, numri i të vdekurve në SHBA i kaloi 300 mijë. Në gjithë botën, janë më shumë se 1.6 milion. Efekti kumulativ i pandemisë është lodhja nga shoku ose mpirja. Por në vend se ta shmangim si temë, ne duhet t`a “fusim” vdekjen në jetën tonë.

Në fakt kemi vetëm 2 zgjedhje:t`a “ndajmë” jetën me vdekjen, ose të “grabitemi” nga vdekja.

Lufto, ik,ose thjesht ngri në vend. Kjo është mënyra se si ne jemi projektuar të reagojmë ndaj gjithçkaje që e kërcënon ekzistencën tonë. Ne nuk kemi evoluar – moralisht ose shoqërisht – për t’u përballur me një sistem të kujdesit shëndetësor, me fuqi teknologjike të tilla që shkojnë drejt përjetësisë sonë.

Të vdesësh nuk është më aq intuitive sa dikur, dhe as vdekja nuk është domosdoshmërisht barazuesi i madh. Mjekësia moderne mund t`a prishë në shumë mënyra kursin e natyrës, të paktën për një farë kohe. Por që shërbimi shëndetësor të funksionojë,ju duhet të keni qasje në kujdesin shëndetësor.

Por në fund, qoftë edhe për shkak të këtij virusi, apo diçkaje tjetër, pavarësisht nëse jeni i ri apo i moshuar, i pasur apo i varfër, vdekja prapë vjen një ditë. Po çfarë është vdekja? Kam reflektuar shumë mbi këtë pyetje, megjithëse m’u deshën shumë vite në mjekësi që të kuptoja se duhej t`a ngrija si pyetje.

Si gati kushdo, kuptova se vdekja ishte një fakt, një ngjarje e veçantë. Një emër. Se është e   neveritshme, por më e qartë në kufijtë që vendos, se sa gjithçka tjetër. Është një fund. Në fakt, pavarësisht përvojës në punën time, sërish e kam të pamundur të them se çfarë është.

Nëse lëmë mënjanë figuracionet që përdor kultura jonë në përpjekje për t’i dhënë kuptim vdekjes -pra gjithë shenjtërinë dhe stilin që i kemi caktuar rrugëtimit të një jete që fillon, zhvillohet dhe merr fund -gjithçka që shohim në fund është një trup të pajetë.

Asnjë puls, asnjë valë truri, asnjë frymëzim, asnjë shpjegim. Vdekja përcaktohet nga ajo që i mungon.

Sipas Aktit të Përcaktimit Uniform të Vdekjes të vitit 1981,nga Shoqata Mjekësore Amerikane dhe Shoqata e Avokatëve Amerikanë, dikush cilësohet i vdekur nëse ka“ndërprerje të pakthyeshme të funksioneve të qarkullimit të gjakut dhe të frymëmarrjes” ose“ ndërprerje të pakthyeshme të të gjitha funksioneve të tjera, përfshirë trurin”- pra,pa rrahje zemre dhe pa frymëmarrje, e cila është mjaft e dukshme, ose pa funksion të trurit, gjë që kërkon një elektroencefalogramë.

Por nëse fokusohemi tek trupi, gjëja më konkrete për ne, bëhet e vështirë të thuash nëse vdekja ekziston. Pasi që nga koha kur lindim, trupi është duke vdekur. Qelizat vdesin dhe ri-gjenerohen gjatë gjithë ditës, çdo ditë. Për shembull, jetëgjatësia e qelizave të kuqe të gjakut është vetëm rreth 115 ditë.

Pra,të jetosh është në fakt një proces i vdekjes. Një tension jetësor ju mban në këmbë, derisa të prishet “armëpushimi”.Por vdekja juaj nuk është fundi i trupit tuaj. Lidhjet kimike që ju mbanin të bashkuar në nivelin molekular, vazhdojnë të prishen në disa minuta dhe muaj pasi të vdisni.

Indet oksidohen dhe prishen, si një banane që nxihet. Energjia që dikur e mbante gjallë trupin tuaj nuk ndalet:Ajo transformohet. Dekompozim në një aspekt, rritje në një anë tjetër. Procesi i dekompozimit vazhdon derisa gjithçka që ishte trupi juaj shndërrohet në diçka tjetër, duke “jetuar”tek të tjerët – në barin dhe pemët që rriten.

Vetë gjenet tuaja, do të jetojnë pafundësisht për sa kohë që gjejnë një specie të re,

që t’i presë ato. Për zbulimin e mistereve të një jete tjetër, apo të forcave që e nisën këtë cirk të mrekullueshëm, ne mund të shikojmë tek feja. Ajo që përshkruhet më sipër është një shkencë e qartë e vëzhgueshme.

Por shkenca nuk do të na tregojë pse apo çfarë qëndron prapa ligjeve të saj. Trupi strehon më shumë sesa ne mund të shprehim; ju jeni më shumë se sa trupi juaj. Të shndërruarit në një fije bari, është një ngjarje e ëmbël, që nuk i kompenson dot të gjitha dhimbjet e zemrës që nënkupton vdekja.

Sigurisht, ne jemi të trishtuar dhe kemi frikë t`a humbasim veten dhe njerëzit që duam. Por për shumë prej nesh një frikë nga vdekja si E Panjohura e Madhe, kapërcehet nga frika jonë,nga ajo që dimë – ose që mendojmë se dimë -mbi vdekjen.

Në ditët e sotme, të jesh i vdekur tingëllon si një ninullë, krahasuar me procesin e vdekjes.

Ndoshta frika jonë nga vdekja ka të bëjë më shumë me perceptimet tona mbi realitetin sesa me vetë realitetin, dhe ky është një lajm i mirë. Edhe nëse nuk mund t`a ndryshojmë atë që po shohim, mund të ndryshojmë mënyrën se si e shohim.

Pandemia është një katastrofë personale dhe globale, por ajo është gjithashtu një moment

për të parë tablonë më të madhe të jetës. Atëherë, çfarë është vdekja? Të flasësh për të dhe rreth saj mund të jetë më e mira që mund të bëjmë, dhe ta bësh këtë me zë të lartë është e mirëpritur.

Vetëm faktet nuk do të të çojnë atje. Gjithmonë kemi mbetur me pyetjen tjetër më të madhe, që është gjithsesi e përgjegjshme dhe më e dobishme:Çfarë është vdekja për ju? Kur e dini se keni marrë fund? Për çfarë po jetoni ndërkohë? Për disa prej nesh, vdekje është kur të gjithë të dashurit e tjerë kanë ndërruar jetë, ose kur nuk mund të mendojmë më drejt, apo kur nuk shkojmë dot vetë në tualet, kur nuk mund të lexojmë më një libër, kur trupi ynë nuk mund të jetojë më pa ndihmën e një pajisje mjekësore; apo kur nuk ka mbetur më gjë tjetër për të provuar.

Nëse do të duhej t’i përgjigjesha kësaj pyetje sot për vete,do të thosha se për mua vdekja është kur nuk mund të angazhohem më me botën përreth meje. Kur nuk mund të marr më asgjë, dhe për këtë arsye, nuk mund të lidhem më. Disa herë, distancimi social më nxiti të pyes veten nëse kam vdekur tashmë.

Përtej frikës dhe izolimit, mbase kjo është ajo që ka sjellë për ne pandemia: të kuptuarit se të jetuarit përballë vdekjes, mund të krijojë një mori kuptimesh dhe vlerësimesh. Vdekja është forca që ju tregon atë që doni, dhe ju nxit të kënaqeni me atë dashuri, ndërsa ora afrohet.

Marrë me shkurtime

Shënim:B.J. Miller është një mjek i shërbimit paliativ, autor i librit “Këshilla praktike për ta jetuar jetën dhe përballur me vdekjen”, dhe themelues i organizatës “Mettle Heath”, që garanton konsulta për pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN