MENU
klinika

Kimia që shpëtoi botën...

Si u takuan Regan dhe Gorbaçovi, për të parandaluar Luftën III

02.12.2020 - 15:37

        Dy udhëheqësit e thërrisnin njëri-tjetrin në emër, por, megjithatë, arritën t’i japin fund Luftës së Ftohtë.

Fundviti 1970 dhe fillimviti 1980 nuk ishte koha më e mirë për marrëdhëniet sovjeto amerikane: BRSS-ja dërgoi trupat në Afganistan, ndërsa SHBA-ja e pati tejet të vështirë t’u jepte sovjetikëve “Vietnamin” e tyre; përveç kësaj, nuk kishte pasur asnjë takim midis udhëheqësve shtetërorë të dy superfuqive dhe rivalëve të Luftës së Ftohtë, nga koha kur Xhimi Karter u takua me Leonid Brezhnjev, në Vjenë, në 1979./Konica.al

Gjithçka ndryshoi, kur vdekja e udhëheqësit sovjetik Chernenko në 1985 u pasua me ndryshime të paparashikuara në politikën sovjetike. Të njëjtin vit, nën rekomandimin e të mirënjohurit Andrei Gromyko, elita e politikës sovjetike zgjodhi një politikan relativisht të ri të quajtur Mikhail Gorbaçov (asokohe 54-vjeç) si Sekretarin e ri të Përgjithshëm të BRSS.

Udhëheqësi i ri sovjetik kishte ide të reja në lidhje me politikën e jashtme sovjetike, marrëdhëniet sovjetiko-amerikane, Luftën e Ftohtë dhe garën e armëve me SHBA. Gorbaçovi ishte i përgatitur të shkëputej nga koncepti strategjik i “Shkatërrimi i Ndërsjellë i Sigurt” (Mutually Assured Destruction), teori që përcaktonte se dy superfuqitë bërthamore ishin të sigurta, për sa kohë që ata mbanin po aq raketa bërthamore sa ta asgjësonin totalisht njëra-tjetrën në rast se ndonjëri prej tyre lëshonte i pari një raketë – dhe në vend të kësaj eksploronte potencialin e idesë së “sigurisë së përbashkët”, me mendimin se BRSS-ja mund të siguronte veten nga një sulm i SHBA-së, duke nxitur bashkëpunimin me armikun ideologjik. Në anën tjetër të Perdes së Hekurt, Presidenti i 40-të i SHBA-së, Ronald Regan, ushqente plane për ta pakësuar potencialin bërthamor sovjetik dhe ta siguronte SHBA-në nga një sulm hipotetik bërthamor, duke përdorur teknologjinë që do ta lejonte ushtrinë amerikane të rrëzonte raketat bërthamore që afroheshin në hapësirë, e njohur si Nisma e Mbrojtjes Strategjike dhe e pagëzuar si “Lufta e Yjeve” nga media.

Nga mesi i viteve 1980, të dyja palët kuptuan nevojën e gjetjes së një mënyre për të dalë nga gara e vazhdueshme e armëve midis SHBA-së dhe BRSS-së. Pra, Regani dhe Gorbaçovi planifikuan një takim në Gjenevë, më 19 nëntor 1985.

Shumë vëzhgues amerikanë e shihnin Gorbaçovin si një udhëheqës sovjetik më të moderuar, liberal dhe më kompromentues se çdo lider përpara tij. Ata pëlqyen mënyrën si ishte veshur, gjithashtu pëlqyen edhe gruan e tij simpatike, Raisa, e cila ishte njëherazi këshilltarja më e ngushtë e Gorbaçovit. Të tjerë besonin, se Uashingtoni nuk duhej të binte në kurthin e asaj që mund ishte veçse një përshtypje e shtirur.

Ronald Regani, fillimisht skeptik për synimet e homologut, erdhi në Gjenevë i gatshëm të luftonte dhe gjithashtu shoqërohej nga e shoqja, Nensi. Një udhëheqës më i moshuar, Presidenti i SHBA-së, kur u takuan ishte 74-vjeç, Regani erdhi në Gjenevë për të bindur udhëheqësin më të ri sovjetik, se, nëse SHBA-ja nuk përfitonte nga gara e armëve, vendi i tij do të fitonte patjetër nëse vazhdonte, sipas Jack Matlock, ish-këshilltari i Reganit, i cili më vonë do të bëhej Ambasadori i SHBA-së në Moskë./Konica.al

Delegacioni sovjetik arriti në Gjenevë më 18 nëntor 1985. Të nesërmen, Gorbaçovi dhe Regani u takuan personalisht për herë të parë.

Regani po priste Gorbaçovin, kur ky i fundit mbërriti në takim me makinë. Një mëngjes të acartë, Gorbaçovi kishte një pallto të ngrohtë dhe një kapelë. Kur e pa, Regani hoqi shpejt pallton dhe nxitoi të takonte homologun sovjetik veshur me një kostum elegant.

“Në fotot e shumta të botuara, Presidenti i SHBA-së dukej energjik, i ri dhe fizikisht i fortë në krahasim me Gorbaçovin e veshur me rroba të ngrohta. Ndryshimi i viteve nuk u ndie aspak. […] Instinkti i “publicitetit” të Reganit filloi. Gorbaçovi e mori parasysh këtë edhe kur Përfaqësuesi Amerikan [më vonë] mbërriti në rezidencë, gjithashtu u takua me të, me kostum”, shkroi Anatoly Dobrynin, i cili ishte Ambasadori Sovjetik në SHBA në kohën kur u zhvillua takimi.

Çuditërisht, takimi nuk pati shumë sukses. Gorbaçovi ishte dyshues në planet e Reganit për të asgjësuar efektin e parandalimit të MAD, duke kaluar në Nismën e Mbrojtjes Strategjike dhe paralajmëroi udhëheqësin amerikan për një garë të mundshme të armëve në hapësirë.

Regan këmbënguli se nisma SDI nuk duhej të konsiderohej një armë hapësinore, por thjesht një teknologji mbrojtëse. Edhe Gorbaçovi nuk i besoi premtimit të Reganit për të ndarë teknologjinë me Bashkimin Sovjetik. Në fund të ditës, Gorbaçovi thuhet se e quajti Reganin një konservator dhe një “dinosaur”, ndërsa Presidenti i SHBA-së i referohej udhëheqësit sovjetik si një “Bolshevik kokëfortë”.

Megjithëse dita e parë e negociatave përfundoi në ngërç, vëzhguesit vunë re diçka që nuk e kishin parë në marrëdhëniet sovjeto-amerikane për një kohë të gjatë: kimia personale midis dy udhëheqësve ishte qartazi e dukshme.

“Kimia personale ishte e dukshme. Qëndrimi i lirshëm dhe i shpenguar ndaj njëri-tjetrit, buzëqeshjet, kuptimi i qëllimit, gjithçka e tregonte”,  – shkroi Sekretari i Shtetit i Reganit, George P. Shultz.

Në të vërtetë, Regani dhe Gorbaçovi vazhduan me negociatat dhe, më në fund, arritën një mirëkuptim të përbashkët se të dyja palët duhet të punonin për të frenuar garën e armëve. Udhëheqësi amerikan dhe sovjetik dhanë një deklaratë të përbashkët, që shërbeu si gurthemeli për atë që së shpejti do të konsiderohej fundi i Luftës së Ftohtë dhe i rendit botëror bipolar.

Mesazhi kryesor i deklaratës së përbashkët, shprehte: “Palët, pasi diskutuan çështje kyçe të sigurisë dhe të vetëdijshëm për përgjegjësinë e veçantë të BRSS-së dhe SHBA-së për ruajtjen e paqes, ranë dakord që një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë. Duke pranuar që çdo konflikt midis BRSS-së dhe SHBA-së mund të kishte pasoja katastrofike, ata theksuan rëndësinë e parandalimit të çdo lufte midis tyre, qoftë bërthamore apo tradicionale. Ato nuk do të përpiqen të arrijnë epërsinë ushtarake”. /Konica.al

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Cilat ishin ato shqiptare

Gratë që drejtuan botën

Tahar Ben Jelloun: Racizmi shpjeguar sime bije

Fëmijë, shpëtonani nga egoizmi i shfrenuar!