MENU
klinika

Bllokimi i negociatave me BE-në

Vetoja për Maqedoninë e Veriut/ Sofja mbetet e vetme

05.12.2020 - 11:05

Takimi i 11-të dyditor i Komisionit të Përzier Maqedonas-Bullgar për Çështjet Historike dhe Arsimore, dje përfundoi pa kurrfarë progresi. Pas takimit onllajn bashkëkryetarët e Komisionit, maqedonasi Dragi Gjorgiev dhe bullgari Angell Dimitrov informuan se një pjesë e madhe e punës së tyre i ishte kushtuar miratimit të procesverbaleve nga dy takimet e mëparshme, ndërsa problem kryesor ishte përdorimi i mbiemrit maqedonas, si dhe dallimet rreth mbretit Samoil. Megjithatë, është paralajmëruar takim i ri onllajn për javën e ardhshme.

“Kolegët tanë maqedonas u përpoqën kudo të vendosnin maqedonase. Por duke bllokuar nënshkrimin e procesverbalit, puna jonë vihet në pikëpyetje sepse pa një dokument për atë se cilat diskutime janë duke u zhvilluar, çfarë vendimesh janë marrë, gjërat duken të pasigurta dhe tregojnë mungesën e dëshirës për të punuar më intensivisht dhe me më shumë rezultate. Për fat të keq, vëzhgimet tona tregojnë se ky pozicion i ri i kolegëve tanë është pjesë e një marrëdhënie politike, e një bindjeje për të diskredituar Bullgarinë dhe pozicionet e shtetit që filluan vitin e kaluar”, tha Dimitrovi.

Ai konfirmoi se një pjesë e mirë e takimit iu kushtua dy procesverbaleve nga takimi i 9-të dhe i 10-të, ndërsa problem kryesor ka qenë përdorimi i mbiemrit maqedonas, që ndërlidhet me interpretimin e ndryshëm të Marrëveshjes së Prespës nga kolegët bullgarë.

“Kjo është përfshirë në Komision pas takimit të 6-të, pala jonë nuk ishte e informuar për këtë, por kolegët bullgarë filluan të praktikojnë atë mënyrë të përpilimit të procesverbale pa e ndarë me këtë rast me ne dhe të informohet edhe Ministria jonë dhe ndoshta konsultimet me Ministrinë do të kontribuonin në tejkalimin e problemit. Tani për tani, mbetet problemi me mbiemrin maqedonas. Për këtë është duke u diskutuar edhe në një nivel më të lartë dhe shpresoj se do të gjendet një zgjidhje”, tha Gjorgievi.

Lidhur me punën e Komisionit për prezantimin e Mbretit Samoil dhe Shtetit të Samoilit në librat shkollorë të historisë për klasën e 7-të, nuk është arritur pajtueshmëri, ndërsa problemi kryesor, sipas tij, qëndron në atë se shmanget futja e një perspektive të shumanshme në librat shkollorë të historisë.

“Ideja për të imponuar vetëm një pikëpamje të atij shteti në fakt rezultoi në mosarritjen e rezultateve. U shkëmbyen disa variante dhe propozime për këtë pjesë të historisë sonë, por doli që kemi pikëpamje absolutisht të kundërta se si duhet t’u shkruhen rekomandimet qeverive tona dhe si do të duhej të duken librat shkollorë në të ardhmen në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Bullgarisë”, tha Gjorçev.

Dimitrovi, theksoi për Mbretin Samoil bisedimet përfunduan pa rezultat dhe tashmë ka pasur një devijim nga teksti tashmë i përgatitur bashkërisht për të dy qeveritë për të nderuar së bashku një figurë të tillë historike.

Lidhur me Goce Dellçevin, në takimin është biseduar shumë pak dhe nuk ka pasur kurrfarë lëvizje në raport me debatin për kremtimin e përbashkët të figurës dhe veprës së tij. Janë marrë vesh që të mbajnë onllajn takim javën e ardhme në përbërje të shkurtër për tejkalimin e problemit me qëllim nënshkrimin e procesverbaleve të Komisionit, i cili është formuar sipas Marrëveshjes për Fqinjësi të Miri nga viti 2017 mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Pozicionet bullgare për bllokadë për miratimin e kornizës negociuese, e me këtë edhe të Konferencës së parë Ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut, mbeten gati të sigurta. Bullgaria në takimin e ambasadorëve javën e kaluar, përsëriti se nuk do të japë dritë të gjelbër për Maqedoninë në takimin e ardhshëm të ministrave më dhjetor. Mediat bullgare, dje publikuan se veton për fillimin e bisedimeve për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut e mbështesin edhe vende të tjera anëtare, duke i përmendur Holandën dhe Danimarkën. Këto zëra në lajmin të cilin e publikoi gazeta bullgare “24 orë”, duke iu referuar burimeve anonime diplomatike nga Brukseli, menjëherë ishin demantuar nga të dyja vendet anëtare. Holanda i vlerësoi informacionet si të rreme.

“Holanda konsideroi dhe ende konsideron se Maqedonia e Veriut ka arritur progres të mirë dhe se konferenca ndërqeveritare mund të mbahet menjëherë sapo të miratohet korniza negociuese”, thuhet në reagimin e Ambasadës holandeze në Shkup. njoftoi “360 gradë”.

“Informacionet e publikuara në mediat bullgare të cilat tregojnë për atë se Danimarka i është bashkangjitur vetos së Bullgarisë për bisedimet për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE nuk janë të sakta. Danimarka i mbështet propozimet aktuale të Komisionit Evropian sa i përket kornizës negociuese me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut dhe këtë shumë qartë e kumtoi në të gjitha forumet për negociata. Danimarka është e gatshme që t’i pranojë këto korniza negociuese”, njoftojnë nga MPJ daneze, publikoi sdk.mk.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve sa i përket informacioneve në disa media se edhe Holanda dhe Danimarka janë kundër nisjes së bisedimeve të vendit me Unionin, edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, konfirmoi se kemi mbështetje të qartë jo vetëm nga Holanda, por edhe nga vendet anëtare të BE-së dhe se mbetet çështja me Republikën e Bullgarisë.

Në ndërkohë, u riafirmua mbështetja e SHBA-së për hyrje në fazë të re të integrimeve evropiane për vendin. Methju Palmer, zëvendësndihmës sekretar shtetëror i SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, dje për Zërin e Amerikës deklaroi se procesi i anëtarësimit në BE duhet të bazohet në parime, ndërsa Maqedonia e Veriut ka bërë mjaftë reforma që ta arsyetojë mbajtjen Konferencës së parë Ndërqeveritare. Kontesti bilateral me Bullgarinë duhet të zgjidhet jashtë procesit të anëtarësimit. Ai shpreson se do të arrihet marrëveshje që Konferenca e parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut të mbahet gjatë presidencës gjermane.

“Maqedonia e Veriu ka bërë mjaft që të kualifikohet për Konferencën Ndërqeveritare dhe mendoj se shumica e anëtarëve të BE-së e kanë të qartë këtë. Do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë evropianë që të përmbushet kjo. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që ta përgatisim terrenin dhe do të vazhdojmë publikisht ta demonstrojmë mbështetjen tonë të fuqishme për afrim të Maqedonisë së Veriut drejtë anëtarësimit në BE”, tha Palmer.

E kuptojmë, theksoi ai, se ka disa çështje të caktuara të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me historinë, identitetin dhe gjuhën, të cilat duhet të zgjidhen mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut si fqinjë, aleatë dhe partnerë. Sa i përket procesit të anëtarësimit në BE, dëshiroj që ai të vazhdojë më tutje, pa i përfshirë çështjet bilaterale. Do të donin të shihnim se si çështjet bilaterale zgjidhen përmes kanaleve bilaterale, theksoi Palmer, i pyetur se a i reflektojnë vlerat evropiane kërkesat e Bullgarisë, si dhe a e dënon SHBA-ja sjelljen e tillë.

Ish kryeministri dhe tani i dërguar special për Bullgari, Vllado Buçkovski, deklaroi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e vetëdijshme se është e përkushtuar fuqishëm në zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë me Bullgarinë.

Në intervistë për BNR, Buçkovski dje tha se ekipet e të dyja ministrive të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë punojnë në formulimet dhe se beson se mund të gjendet zgjidhje.

“Besoj dhe e di se derisa ne bisedojmë, ekipet e ministrive të Punëve të Jashtme – të Bullgarisë dhe e jona, punojnë në formulimet të cilat do të tregojnë se edhe pa mbështetjen e kujtdo çoftë, për momentin e kemi presidencën e Gjermanisë, e cila është mbështetje e madhe, ne nga Ballkani Perëndimor, ne fqinjët të cilët kemi histori të përbashkët, mund të gjejmë zgjidhje për të ardhmen tonë të përbashkët.”, tha Buçkovski./ telegrafi