MENU
klinika

Çfarë parashikohet nga sot deri në 5 janar

Spitalet dhe Urgjenca kalon në gatishmëri me ekipe të përforcuara

31.12.2020 - 10:46

Nga sot, spitalet dhe Urgjenca Mjekësore do të jenë në gadishmëri 24 orë me ekipe të përforcuara për festat e fundvitit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, tha dje se janë vendosur ekipe shtesë për përballimin e urgjencave mjekësore.

“Për kryeqytetin do të kemi 9 ekipe të urgjencës, të cilët do të vendosen në postacione të caktuara dhe dy ekipe shtesë të urgjencës kombëtare si edhe janë siguruar materialet mjekësore, barnat e nevojshme për të përballuar çdo situatë emergjence, qoftë në kuadër të emergjencave, aksidenteve apo problematikave që mund të sjellin festimet e fundvitit”, tha Manastirliu.

Urdhri i gatishmërisë së përforcuar për spitalet gjatë ditëve të festave, i firmosur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale  përcakton forcimin e ekipeve në dispozicion për urgjencën 24/7, nga data 31 Dhjetor deri më 5 Janar dhe përcaktimin e mjekëve “on call”, pra në gatishmëri për secilin shërbim, për të mbuluar cdo urgjencë që mund të ndodhë.

Gjithashtu përcaktohet detyrimi për të siguruar barnat dhe pajisjet mjekësore të nevojshme si dhe për të vendosur në gatishmëri të përforcuar urgjencën kombëtare në territor.