MENU
klinika

Rindizen tensionet

Turqia: Greqia po shkel shelfin tonë kontinental

04.12.2020 - 20:24

Greqia dhe Turqia janë rikthyer të përplasen fort pas një qetësie tre javore për çështjen e Mesdheut Lindor. Shefi diplomacisë turke, Mevlud Çavushoglu, ka deklaruar gjatë një fjalimi tek një samit për sigurinë se Greqia ka dhunuar shelfin kontinental të Turqisë.

Ministri i jashtëm turk ka akuzuar edhe Qipron se ka injoruar dhe shkelur të drejtat e qipriotëve turq. Kjo deklaratë ka shkaktuar një tallaz të madh në opinionin publik grek, ku gazeta e njohur nacionaliste Prothotema, ka akuzuar Turqinë për provokim dhe se ka rinxjerrë “tezat neootomane të Mavi vatan”.

Sipas Ministrit të Jashtëm turk, Qipro ka lënë jashtë forumit EastMed Turqinë, e cila është një aktor kryesor në rajon, çka e konsideroi një veprim që nuk shkon drejt qasjes konstruktive të zgjidhjes së problemeve.

“Ne vazhdimisht po bëjmë thirrje për dialog. Ne folëm për ndarje të barabartë, por grekët qipriotë ende e refuzojnë atë. Anija jonë kërkimore Oruç Reis, dy herë ndaloi aktivitetet e saj për t’i dhënë diplomacisë një shans. Kur, falë Gjermanisë, Turqia do të fillonte bisedimet me Greqinë, para njoftimit, Greqia nënshkroi krijimin e zonave detare me Egjiptin. Turqia gjithmonë hap rrugën e diplomacisë dhe merr përgjigje plot kërcënime dhe provokime”, tha kryediplomati.

Për çfarë arsye ndodh kjo? Pyeti Çavushoglu, duke njoftuar se Turqia synon të organizojë një konferencë me pjesëmarrjen e vendeve të Mesdheut Lindor, ku do të diskutohen çështjet e energjisë.

Ai bëri të ditur se një delegacion turk po flet me BE. për organizimin e kësaj konference. “Preferenca jonë është e qartë. Dera jonë është e hapur deri në fund për dialog. Ka një rrugëdalje. Samiti i Mesdheut Lindor është një mundësi për të krijuar një mjedis bashkëpunues dhe ky është një nga propozimet tona. Sot në Bruksel, komisioni i BE dhe ambasadori turk do të kenë një takim për të diskutuar se si do të organizohet ky takim”, tha Ministri i Jashtëm turk.