MENU
klinika

Gjetur në Egjipt

Zbulohen sëmundjet në mumiet 2,000-vjeçare

04.12.2020 - 15:18

       Së fundmi, studiuesit gjermanë zbuluan përmes tomografisë kompjuterike të tri mumieve, moshën e vdekjes, gjatësinë dhe sëmundjet, për njerëzit që jetuan 2 mijë vjet më parë.

Dy prej tyre kanë një histori të veçantë, ato gjenden në Gjermani, por u gjetën më shumë se 400 vjet më parë, në një varr në shkëmb në Egjipt; së bashku me të tretën, e cila është tani në Egjipt, ato përfaqësojnë të vetmet “mumie me portrete balte”, të njohura nga Saqqara, një nga nekropolet më të njohura egjiptiane.

Dekorimet

Stephanie Zesch, egjiptologe e Projektit Gjerman të Mumieve në Muzeun Reiss Engelhorn në Mannheim të Gjermanisë dhe autore e studimit, thekson se trupat ishin vendosur në dërrasa, mbështjellë me qefinë dhe të zbukuruar me shtresë të lehtë prej ari, në ndryshim nga mumiet e tjera, të cilat ishin varrosur në sarkofag.

Skanimet tani zbulojnë se mumiet ishin varrosur duke ruajtur organet e brendshme, përfshirë trurin (zakonisht, mumieve iu hiqeshin organet) dhe dy femrat ishin varrosur bashkë me gjerdanët e tyre të bukur.

Pas vdekjes së këtyre njerëzve, që janë një burrë, një grua dhe një adoleshente, të cilët jetuan në një periudhë midis 30 para Krishtit dhe 395 pas Krishtit, skanimet treguan se mumiet e tyre u varrosën së bashku me objekte që konsideroheshin të dobishme në jetën e përtejme, të tilla si, për shembull, monedhat me të cilat do të duhej të paguanin Caronte-n, hyjninë greke dhe romake që mendohej se transportonte shpirtra përtej lumit Stige.

Problemet e shëndetit

Skanimet zbuluan gjithashtu, disa probleme shëndetësore, përfshirë artritin e rëndë që kishte prekur gruan. “Ekzaminimi i individëve zbuloi se ata vdiqën në një moshë mjaft të re, megjithatë shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohej,” – shpjegoi Zesch.

Dy nga këto mumje, para se t’i nënshtroheshin studimeve të thelluara, udhëtuan shumë. Në vitin 1615, kompozitori Pietro Della Valle (1586-1652), i bleu gjatë një udhëtimi në Tokën e Shenjtë dhe në Egjipt, i prekur nga ata qefinë të zbukuruar në një mënyrë kaq të veçantë dhe i çoi në Romë, për t’i bërë të njohur, të cilët ishin diçka e re për Evropën.

Detaje

Më pas, mumiet kalonin nga dora në dorë, midis pronarëve të ndryshëm, derisa u bënë pjesë e koleksioneve shtetërore të artit në Dresden, Gjermani, ku u radiografuan në fund të viteve 1980. Tani, tomografia ka zbuluar shumë më tepër sesa rrezet X. Përveç konfirmimit të pranisë së organeve të brendshme, ky ekzaminim zbulon shumë detaje të tjera. Për mashkullin ishte e mundur të përcaktohej një moshë e vdekjes, midis 25 dhe 30 vjeç, gjatësia prej rreth 163 cm) dhe disa informacione të tjera të hollësishme, si prania e dy dhëmbëve të thyer dhe kariesit.

Për më tepër, disa nga kockat ishin të hapura dhe të pozicionuara në mënyrë konfuze, ndoshta se dikush e kishte hapur mumien menjëherë pas zbulimit të saj dhe e kishte mbyllur pa pasur kujdes. Tomografia kompjuterike zbuloi gjithashtu vulat, që mund të jenë nga laboratori i mumifikimit.

Për sa i përket gruas ishte e mundur të gjurmohej mosha e vdekjes, midis 30-40 vjeç dhe gjatësia e saj, rreth 151 cm. Gruaja vuante nga artriti i avancuar në gjurin e majtë. Adoleshentja, e cila, sipas skanimit me tomografi kompjuterike, kishte një karficë në flokë, kishte vdekur mes moshës 17-19 vjeç dhe ishte e gjatë 156 cm. Ajo kishte një tumor beninj të shtyllës kurrizore dhe është mumia e vetme ku u konstatua truri në gjendje të ruajtur mirë. Të dy gratë u varrosën me shumë gjerdanë, në shenjë dashurie për to nga njerëzit që i varrosën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dritë në fund të tunelit

Sarkofagu i Egjiptit të lashtë hapet