MENU
klinika

"Zgjidhja më e mirë është që..."

Zv. Kryeministri i Kosovës: Po shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme

02.12.2020 - 09:31

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, komentoi situatën dhe zhvillimet politike në vend në emisionin “Balkan Talks” në Euronews Albania.  

Tahiri beson se zgjidhja më e mirë për Kosovën është që ish-kryeministri Haradinaj të bëhet president i Kosovës.

Ndërkohë, ai shtoi se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkojnë të përfitojnë nga kjo situatë kaotike dhe si zgjidhje sugjerojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Ne kemi qenë si aleancë gjatë në opozitë edhe e dimë që opozita gjithmonë do zgjedhje është gjithmonë e natyrshme. Ne kemi qenë shumë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë në momentin kur ka pasur një krizë politike ne kemi ofruar Ramush Haradinaj për kandidat për president. Unë këtë javë do takoj partnerët e koalicionit takim ku do të diskutojmë këtë temë, pra po flas Lidhja Demokratike e Kosovës, pastaj Nisma dhe AAK-ja dhe aty do të sqarohet mbështetja ndaj Haradinajt”,-tregon zoti Tahiri.

Partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, duket e vendosur për postin e presidentit, ndërsa zv. kryeministri Tahiri nuk e përjashton mundësinë, që Kosova të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, nëse nuk do kishte reflektim dhe konsensus nga forcat e tjera politike për të pranuar alternativën e propozuar nga AAK-së.