Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është mbledhur sot përmes video-konferencës dhe mori një vendim historik për Shqipërinë! Finalja e “UEFA Conference League”, turneut më të ri europian për klube që do të nisë sezonin e ardhshëm, do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Air Albania” në vitin 2022!
Kjo është hera e parë në historinë e sportit shqiptar që vendi mirëpret një finale europiane të këtyre përmasave. Shqipëria ishte një nga kandidatet kryesore për zhvillimin e kësaj finaleje, por arriti të lërë pas Irlandën e Veriut dhe Finlandën.
Në këtë mbledhje historike mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, i cili ka pasur një rol kyç duke lobuar vazhdimisht për këtë vendim.
Gjatë mbledhjes Presidenti Duka falënderoi të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për mbështetjen që po i japin Shqipërisë dhe në veçanti futbollit shqiptar. Një event i këtyre përmasave është një mundësi fantastike promovimi për Shqipërinë, që do të jetë në qendër të vëmendjes për disa ditë me radhë.