MENU
klinika

Profesionistët "amatorë"

“Aleksandër Moisiu” ose teatri nga ‘baza’

11.01.2021 - 18:20

        Teatri i qytetit antik, feston plot 68 vjet nga zanafilla e një teatri profesionist. Institucioni u krijua më 11 janar të vitit 1953, si domosdoshmëri për të përmbushur jetën artistike dhe kulturore të qytetit të vjetër bregdetar./Konica.al

Në qytetin e Durrësit që në kohën para përfundimit të luftës së Dytë Botërore, kishte një jetë artistike tepër aktive, me shoqëri artistike që shpeshherë vinin në skenë shfaqje dhe spektakle, në kushte shumë të vështira.

Ishte koha kur sapo ishin krijuar edhe institucione të tjera artistike, si; Teatri Popullor, Teatri “Migjeni” i Shkodrës, “A.Z.Çajupi” i Korçës, ndaj u pa e nevojshme, të themelohej edhe në Durrës, një institucion artistik profesionist.

Më herët, ky teatër kishte një trupë prej 14 aktorësh dhe këta veteranë që përbënin këtë trupë, ishin emra të njohur, si: Meropi Xhoja, Nikolin Xhoja, Koste Lezha, Teodor Rupi, Spiro Urumi etj.

Kjo trupë teatrore, solli për herë të parë premierën “Vajza nga fshati”, e autorit Fatmir Gjata, me regji nga regjisori i Teatrit Popullor, Pandi Stillu. Premiera përuruese e teatrit është shfaqur më 12 prill të vitit 1953 dhe u prit mjaft mirë nga publiku durrsak.

Menjëherë pas suksesit të shfaqjes së parë, u shtuan edhe vepra të tjera, por ajo që do të shënonte edhe kulmin e këtij teatri në ato vite, ishte komedia “Prefekti” i Besim Levonjës, që me interpretimin e mrekullueshëm të Nikolin Xhojës, shfaqja ishte për nje kohë të gjatë në repertorin e teatrit, duke  shenjuar edhe kulmin artistik të teatrit të Durrësit.

Historiku:

Kur më 12 prill të vitit 1953, aktorët e teatrit të Durrësit do të ngjiteshin në skenë, për herë të parë si profesionistë, ata nuk ishin të panjohur për publikun durrsak dhe misteret e artit skenik i kishin provuar edhe me një status tjetër, atë të aktorit amator.

Po cilët ishin njerëzit që i kishin drejtuar ata në rrugën e bukur të artit, pa e ditur se po hapnin një kapitull të ri në jetën artistike dhe kulturore të qytetit bregdetar.

Mjeshtri i Madh, Gjergj Vlashi, i cili në atë kohë po hidhte hapat e parë në rrugën e regjisurës, kujton se janë katër artistët amatorë, të cilët për disa vite me radhë drejtuan si regjisorë trupën e pallatit të kulturës së qytetit.

Katër “mosketierët” amatorë

“Ndoc Vasia, Simon Deda, Vlash Toka dhe Vlash Beçka deri në vitin 1953, kur u krijua trupa profesioniste e teatrit ishin regjisorët e ansamblit të aktorëve diletantë, të cilët përgatitën shumë shfaqje për të argëtuar bashkëqytetarët”, tregon Gjergj Vlashi. Një mjedis i madh i godinës ku ishte vendosur teatri amator dhe që durrsakët e njohin si ish-kinema “14 Nëntori” shërbente si studio për aktorët, të cilët mblidheshin pas pune për të kthyer në art tekstet e shkruara më së shumti me dorë të mjaft dramave dhe komedive, të njohura dhe më pak të
njohura.

“Ndoc Vasia kishte ardhur nga Shkodra pak vite më parë dhe punonte si regjisor amator në pallatin e kulturës”, vijon Gjergj Vlashi. Vasia lëvronte më shumë komedinë, e cila zuri më shumë vend në regjinë e tij. “Gungaçi” dhe “Ceni hoxhë” janë dy prej tyre, kujton Gjergji, i cili në këtë të dytën ka interpretuar rolin e hoxhës. “Nuk kishte kritere të përcaktuara për ndarjen e roleve, të gjithë ishin amatorë dhe vendimet përgjithësisht i merrte regjisori”.

Ndoc Vasia, babai i piktorit të mirënjohur Nikolet Vasia, ishte njeri i kulturuar, përkthente nga italishtja dhe mjaft poezi të përkthyera prej tij ishin botuar në antologjitë përkatëse. Gjergji, një nga dëshmitarët e pakët të periudhës së viteve 1940-1950 sjell në kujtesë edhe dramën “Net tragjike në
Firence”, vënë në skenë gjithashtu nga Ndoc Vasia.

Një tjetër personazh i teatrit amator të Durrësit ka qenë Vlash Toka. “Njeri mjaft kërkues në skenë, Vlash Toka i dha një impuls të rëndësishëm lëvizjes së diletantëve në qytet”, vijon Gjergj Vlashi. Ishte periudha, kur repertori filorus e me frymë sovjetike ishte i detyruar për artistët e rinj. Vlash Toka, nëpunës nga profesioni u bë regjisor i disa pjesëve teatrale, të cilat u ngjitën në skenën e teatrit të Durrësit. “Gështenjat e Pragës” dhe “Çështja ruse” janë vetëm dy prej pjesëve të drejtuara prej tij. Regjisorët amatorë të trupës së pallatit të kulturës në Durrës kishin secili veçoritë e veta.

“Simon Deda, një tjetër shkodran që ka drejtuar trupën e teatrit amator të Durrësit ka përgatitur mes të tjerave veprat “Mendimi” nga Andrejev, “Hajduti i Amsterdamit” dhe “Vajza nga veriu”.

Nuk ishte e lehtë të bëje teatër në atë kohë, megjithëse bëhej fjalë për një trupë amatore. Gjergj Vlashi kujton se pjesa “Mendimi” e përkthyer prej tij gati u kthye në bumerang për ata që e vunë në skenë, pasi autori Andrejev ishte arratisur nga Bashkimi Sovjetik. Pak vite më vonë edhe regjisori Simon Deda vdiq në rrethana tragjike, pre e regjimit komunist.

Profesionistët që u përgatitën nga amatorët

Gjergj Vlashi është i bindur se kjo punë artistike paraprake e regjisorëve Vasia, Deda, Toka dhe Beçka u shërbeu artistëve amatorë për ta gjetur vehten më lehtë në përgjegjësinë që krijoi pak vite më pas krijimi i trupave të reja profesioniste. “Prefekti”, një nga pjesët më të njohura të teatrit “Aleksandër Moisiu” është vënë më parë në skenë nga amatorët durrsakë, dëshmon Gjergj Vlashi. Komedia “Prefekti” ka qenë pjesë e repertorit të
teatrit të amatorëve që në fillim të viteve 1950 dhe në qendër të saj ishte aktori që i dha jetë për më shumë se 20 vjet personazhit të prefektit, Nikolin Xhoja.

Vlash Beçka, një artdashës i pasionuar ka qenë regjisori i parë i “Prefektit” në Durrës, çka mjafton për ta vënë në radhën e katër regjisorëve amatorë, që përgatitën plejadën e artistëve të ardhshëm profesionistë nga Durrësi. Beçka ishte “mosketieri” i fundit në radhën e njerëzve, që rrethanat i bënë
regjisorë dhe drejtues të diletantëve të rinj, të cilët hodhën hapat e parë në skenën e Durrësit.

Po cili ishte fati i artistëve të skenës amatore të Durrësit?

Pikërisht në atë kohë largohen drejt Tiranës, dy artistë të rinj amatorë: Sulejman Pitarka dhe Lazër Vlashi. Pitarka, një nga korifejtë e teatrit shqiptar u përgatit në trupën amatore të Durrësit, për t’u bërë shumë shpejt pjesë e Teatrit Popullor në Tiranë. Pjesa tjetër: Meropi Xhoja, Nikolin Xhoja, Tod
Thanasi, Kostë Lezhja, Teodor Rupi, Spiro e Vera Urumi, Semiha Ishmi, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha e plot të tjerë, u bënë pjesë e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Gjergj Vlashi kujton se, pjesa më e madhe e djemve dhe vajzave durrsake, që u përfshinë në lëvizjen amatore të qytetit bregdetar, më 11 janar të vitit 1953, kur u shpall krijimi i Teatrit profesionist të Durrësit, nisën një stad tjetër të aventurës artistike.

Premiera e komedisë së Fatmir Gjatës “Vajza nga fshati”, që shërbeu si start për teatrin thjesht kishte një status të ri me më shumë përgjegjësi për artistët që pak vite më parë nuk mendonin se do të mbeteshin gjatë në kujtesën e publikut. Pandi Stillu, i përgatitur në Rumani, do të ishte regjisori i
parë i teatrit profesionist të Durrësit.

Regjisorët amatorë të periudhës 1945-1953, nuk mundën të ndiqnin ëndrrën e “nxënësve” të tyre. Në “Historikun e shkurtër të teatrit”, botuar në vitin 2003, që mbetet e vetmja përpjekje për të përshkruar jetën e institucionit më të rëndësishëm artistik të qytetit të Durrësit, regjisorët amatorë
të pallatit të kulturës, për fat të keq nuk përmenden (shkruan shtypi lokal).

Sidoqoftë, Ndoc Vasia, Simon Deda, Vlash Toka dhe Vlash Beçka duhet të kujtohen si regjisorët që i hapën rrugë krijimit të teatrit profesionist “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit.