MENU
klinika

Tenis dhe “Tokyo 2020”

Australian Open pa ish-numrin 1, vaksinim para Olimpiadës

28.01.2021 - 12:45

Tenisti britanik Andy Murray, ish-numri 1 në botë për meshkuj, nuk do të luajë në grand slam të Australian Open, që nis më 8 shkurt. Ai doli pozitiv me koronavirus dy javë më parë, duke hyrë menjëherë në izolim në Londër.

Përveç kësaj, ai humbi edhe mundësinë që të shkonte në Melbourne në kohë, ashtu si tenistët e tjerë, për të bërë 2 javë karantinë, një rregull për të gjithë të huajt që vijnë në Australi.

Murray shpresonte në një marrëveshje me organizatorët e këtij turneu, që të kishte mundësi të stërvitej gjatë kohës që ishte në karantinë në Australi dhe të ishte gati më 8 shkurt, por pa sukses. Për pasojë, ai ka vendosur të mos udhëtojë. Murray kishte ftesë nga organizatorët e turneut.

Ndërkohë, sa vjen e shtohet ankthi për Lojërat Olimpike të këtij viti. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka një plan konkret për të bërë të mundur vaksinimin e të gjithë sportistëve që do të marrin pjesë në “Tokyo 2020”.

Kjo do të bëhet në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duke nisur në periudhën prill-qershor një vaksinim masiv të sportistëve të kualifikuar apo kandidatë për të shkuar në Olimpiadë.

Të përfshirë në këtë plan do të jenë jo vetëm sportistët por edhe trajnerët e tyre, gjyqtarët, mjekët deri në drejtues apo shoqërues të delegacioneve olimpike. Ky vaksinim i rreth 25-30 mijë personave në total në gjithë botën do të lehtësonte punën përgjatë Olimpiadës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dekreti i fundit i Kryeministrit

Shpëton Italia, do të jetë në Olimpiadë