MENU
klinika

Dhe jo vëzhgues për mbikëqyrjen e zgjedhjeve

BE do të dërgojë vetëm një mision të ekspertëve zgjedhorë

21.01.2021 - 14:05

Bashkimi Evropian nuk pritet të dërgojë vëzhguesit e tyre për mbikëqyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, që do të mbahen më 14 shkurt.

Kështu ka deklaruar për Telegrafin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai ka shtuar se BE-ja do të dërgojë vetëm një mision të ekspertëve zgjedhor.

“Duke pasur parasysh afatin e ngushtë nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për BE-në për të vendosur një mision vëzhgues të plotë për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të parakohshme. Sidoqoftë, ne do të dërgojmë një mision ekspert zgjedhor (EEM) për të mbështetur zgjedhje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente”, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, më tej ka shtuar se BE-ja ka treguar angazhim dhe mbështetje të fortë për zgjedhjet parlamentare dhe komunale në Kosovë duke vendosur disa Misione Vëzhguese Zgjedhore që nga viti 2013.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

“BE ka lëshuar një sërë rekomandimesh dhe vazhdon të nxisë të gjithë akterët relevantë të ndjekin këto rekomandime në mënyrë që të forcojnë dhe të përmirësojë procesin zgjedhor”, u shpreh Stano.

I pyetur se çfarë pret BE-ja nga Qeveria e ardhshme e Kosovës që do të dalë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Stano shtoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë bashkëpunimin me Qeverinë e re.

“BE do të vazhdojë të angazhohet me qeverinë e re dhe të gjithë në Kosovë për të promovuar agjendën e integrimit evropian dhe reformën e nevojshme për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, tha Stano për Telegrafin.

Ai theksoi se BE-ja pret zgjedhje të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente të kryera në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë një fushatë parazgjedhore të drejtë dhe të përgjegjshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN