MENU
klinika

Zoti hesht...

“Besimtari pa besim” i Par Lagerkvistit

18.01.2021 - 17:08

        Jo rrallëherë ekzistojnë kontradikta dhe mospërputhje, që kuptimin e jetës e shprehin shumë më mirë se çdo arsyetim dhe linearitet i supozuar. Në rastin e Par Lagerkvistit, shkrimtarit dhe dramaturgut të njohur suedez, një nga personalitetet e famshme të botës letrare skandinave, lindur në 1891 dhe vdekur në 1974, çmimi “Nobel” për letërsi në vitin 1951, me motivacionin: “për fuqinë artistike dhe origjinalitetin e thellë të mendjes, me të cilën ai përpiqet të gjejë në poezinë e tij përgjigje për pyetjet e përjetshme me të cilat përballet njerëzimi”. Domethënia mund të gjendet në një përkufizim qëllimisht të palogjikshëm që vetë Lagerkvist jep për veten në një shkrim në 1934, me titull “Grushti i shtrënguar”: “Unë jam një besimtar pa besim dhe një ateist fetar”. Një pohim i ngjashëm me oksimoron sepse bashkon dy fjalë me kuptime të kundërta, apo të papajtueshme, për të shprehur një kuptim të ri./Konica.al

Në kuptimin e ngushtë të logjikës, nuk mund të ketë besimtarë pa besim dhe ateistë fetarë, mirëpo jeta konkrete vërtetohet pikërisht në këtë bashkëjetesë të të kundërtave, që Lagerkvist e shpreh në formën e tij më të gjerë dhe paradoksalisht të plotë. Person me kontradikta të forta dhe fisnike, i përhumbur si të gjithë në të përbashkëtën zbrazëti, edhe pse vazhdimisht në kërkim të shpengimit, familjaritetit dhe kuptimit, Par Lagerkvist mbetet pa asnjë dyshim, së bashku me bashkatdhetarin Ingmar Bergman, eksponenti i fundit kryesor i kulturës nordike, që në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe për një pjesë të mirë të shekullit XX e hodhi tingëllimin në thellësitë më të paarritshme të gjendjes njerëzore. Krijimtaria e tij, që shtrihet në një hapësirë kohore gjysmëshekullore, ka një vazhdimësi absolute, pasi sillet rreth një problemi të vetëm: të kuptuarit jo aq shumë nëse Zoti ekziston apo jo, por më tepër nëse ai është i pranishëm në jetën e njerëzve, nëse i jepet mundësia e një komunikimi. E konceptuar kësisoj, jeta konfigurohet jo vetëm si një pyetje e vazhdueshme në kërkim të një kuptimi, por edhe si një pelegrinazh i vazhdueshëm në kërkim të një destinacioni. Një dimension i ngjashëm përvijohet absolutisht qartazi në romanin e parë të Lagerkvistit: “Buzëqeshja e përjetshme”, shkruar në vitin 1920, sepse në faqet e tij janë të pranishme të gjitha temat që do të kthehen më vonë në variacione të shumta: kërkimi i kuptimit të jetës, heshtja e Zotit, pyetja dhe mbi të gjitha ankthi si mjet i njohurisë. Te “Buzëqeshja e përjetshme” ekziston edhe ideja e njeriut si një “mysafir i realitetit”, që Lagerkvist do ta trajtojë pesë vjet më vonë, në romanin autobiografik me të njëjtin titull.

Ideja e njeriut si mysafir i një realiteti të pakuptueshëm (dikujt mund t’i shkojë mendja tek Silvio D’Arzo dhe perceptimi i tij për të jetuar në “shtëpinë e të tjerëve”), besimi që është tretur në dyshim dhe dyshimi që vërtetohet në kërkimin e një besimi dhe një kuptimi, “heshtja e përjetshme e hapësirave të pafund” e tmerrshme dhe paskaliane, përpjekja për të hequr një kuptim nga ajo heshtje: temat e mëdha të universit njerëzor dhe poetik të Lagerkvistit kristalizohen ndër vite në vepra me ndikim të jashtëzakonshëm dhe sugjerime të thella, veçanërisht në romanin “Xhuxhi”, në 1944, i cili paraqet një reflektim të pamëshirshëm mbi përsëritjen periodike të së Keqes në historinë e njerëzimit, mbase përmban përkufizimin më të përqendruar të asaj që qeniet njerëzore kanë arritur t’i shkaktojnë vetes në të ashtuquajturin “shekulli i shkurtër”: Unë e urrej veten, – thotë xhuxhi, – ha mishin tim mbushur me vrer, pi gjakun e helmuar”./Konica.al

Jo më pak i thellë është pasqyrimi në romanin tjetër të madh “Barabbas”, i vitit 1950, historia e imazhit shembullor të gjendjes njerëzore. Në të vërtetë, Barabbas shmang dënimin kapital, sepse njerëzimi duhet të shpëtojë nga vdekja e Jezusit. Fati i tij është një fat i jashtëzakonshëm, që e shndërron plaçkitësin dhe vrasësin në një personazh fort të larmishëm dhe kontradiktor, në një nga ata udhëtarët kaq të dashur për Lagerkvistin, një pelegrin në kërkim të një të vërtete që ndriçon errësirën dhe i jep një pamje kuptimore përsëritjes së përjetshme rreth lindjes, të jetuarit dhe të vdekurit. Për këtë arsye është simboli i njeriut që “mbart vdekjen brenda vetes” dhe ndoshta, siç sugjerojnë rreshtat e fundit, nuk gjen një përgjigje as në çastin e fundit. Një roman i jashtëzakonshëm, ku u bazua filmi homonim me Antonio Kuin dhe Vitorio Gasman, që i dha atij çmimin “Nobel”. Lagerkvist i qetë nuk reshti së kërkuari dhe së pyeturi veten edhe në vitet në vijim, siç dëshmohet nga lirikat në përmbledhjen “Toka e mbrëmjes” dhe “Shënime për Zotin e vetmuar”, të shkruara në vitet e fundit të jetës.

Po sot, çfarë mbetet nga pelegrinazhi dhe kërkimi i tij?

Shumë, mbase gjithçka, sepse Lagerkvisti përgjatë gjithë jetës u përpoq të mbushte boshllëkun e krijuar nga perëndimi i besimit dhe arroganca e ideologjive që shënuan shekullin XX me vulën e zjarrit dhe gjakut. Në një epokë që praktikisht ka shfuqizuar përsosurinë dhe pyetjet në lidhje me kuptimin, duke e shndërruar relativen në absolute dhe anasjelltas, pelegrini dhe endacaku i përjetshëm Lagerkvist, duket se vjen nga një botë e përtejme, e largët, e dalë mode, por pikërisht këtu qëndron e jashtëzakonshmja dhe aktualiteti imponues. Shprehur në mënyrë të rreme, në vargjet e shkëlqyera të një poezie të shkruar në vitet e fundit të jetës, ku besimi dhe ateizmi të japin përshtypjen sikur shkrihen në imazhin e pakuptimësisë dhe shpresës, si figura më autentike sesa ajo gjë e mjerueshme, që, ngado që ta konsiderosh, mbetet gjendja njerëzore:

Nëse besoni në Zot dhe asnjë Zot nuk ekziston… / Sepse në fund të errësirës është një qenie / që thërret / diçka që nuk ekziston? / Përse ndodh? / Nuk i dëgjon kush ata që thërrasin / në errësirë. / Po atëherë, pse vallë dëgjohet britma?”./Konica.al