MENU
klinika

Opinion

“Cakaj, i pari ministër i Jashtëm që i ka tokëzuar tentakulat…”

03.01.2021 - 08:31

Nga Sali Mehmeti

Me t’u çu zemra peshë kur dje Gent Cakaj e shestoi fushatën vetëdijësuese që në regjistrimin e 2021-s, në Mal të Zi, shqipfolësit e atjeshëm me e deklarue shqiptarinë edhe si përkatësi etnike. Sikur me e provue atë bestytninë dekurajuese që çdo gëzim i të vobektit âsht ditëshkurtë, dorëheqja e sotme e Cakajt âsht si me e ngri buzëqeshjen te krejt ata që kanë rravgue me pas nji politikë ma të gjallë panshqiptare.

Ai i ka shkri në nji baraspeshë të bukur kreativitetin dhe teknokracinë tu u ba i pari ministër i Jashtëm që i ka tokëzue tentakulat e shtetit shqiptar në rajon: – shqiptarëve në Luginën e Preshevës iu dha mbështetje ma shumë se kushdo tjetër për gjatë tri dekadave të Shqipnis’ postkomuniste; – Në Medvegjë, ku shqiptarët po bahen të kuantifikueshëm me gishta të dores, hapi zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar; – E shtyu në mënyrë sizifiane idenë që në Bujanoc me u çel nji konsullatë shqiptare.

– Shqipnia u ba e prekshme edhe në Rozhajë, në atë trevë ku sirtarët e diplomacisë shqiptare nuk e kanë as edhe nji fashikull për problemet e disa qindra shqiptarëve që frymojnë aty; – Në Ulqin, Tuz e Krajë aty ku masa mizerabël shqipfolëse âsht në gjendje me u deklarue edhe me përkatësi inekzistente si “Bošnjaci”, “Muslimani”, “Bosanci”, “Bošnjaci – Muslimani” dhe “Crnogorci-muslimani”, për herë të parë dikush nga Tirana e zëroi idenë me e afirmue identitetin shqiptar…

Edhe për synin e pastërvitun âsht e vërejtshme ekzistenca e nji vullneti të lig në katet ma të nalta të Qeverisë në Tiranë që me e sabotue këdo që sheston nji politikë proaktive e që e projekton Shqipnin’ në Ballkanin perëndimor.

Prej ditës zero e deri më sot, Cakaj ka pas mbi qafë dashakeqësinë e aparatçikave sy-çapëlyem të PS-së, gërnjarë të poshtër edhe brenda strukturës së Ministrisë së Jashtme, ashtu sikundër edhe smirën latente të vetë Ramës. Sepse bahet fjalë për nji kryeministër të marrun peng, edhe në kuptimin fizik, prej Erdoganit e shërbimeve inteligjente turke, aq edhe prej delirit fatkeq që i krijon iluzionin e nji lideri që i vetmi i kupton vizionet e së ardhmes.

Cakaj ka qenë nji aset i vlertë dhe i pamerituem në nji qeveri të sikofantit, që prapëseprapë nuk e kalon traditën e ngulitun që nji ministër duhet me qenë nevojisht partiak ose me nji të kaluem si serviceman i partisë.

Kushdo që e njeh për së afërmi karakterin “larger-than-life” të Cakajt, e di që ka të baj me nji të ri 30-vjeçar, aspak rob i izmave të së kaluemës. Ai nuk ka qenë dhe as nuk rrezikon me qenë njeri që shpërpush sentimentet e populizmat, nuk kishte dhe as do të ketë nji fan-base militantash, dhe rrjedhimisht u sulmue nën brez, u përgojue dhe u shpërfytyrue.

Megjithatë, diplomati ma i jashtëzakonshëm i Shqipnisë postkomuniste. Thuj që jo!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN