MENU
klinika

Shaban Murati: Proces gjyqësor apo politikë dhe propagandë

Çfarë fshihet pas një padie të Serbisë ndaj NATO-s për uraniumin e varfëruar?

27.01.2021 - 16:38

Koinçidencat në diplomaci janë interesante, sepse disa herë zbulojnë lëvizje apo raporte kundërthënëse midis subjekteve të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kështu në datën 21 janar, kur komandanti i forcave të bashkuara aleate në komandën e NATO-s në Napoli, admirali Robert P.Burke zhvillonte takim në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po atë ditë Radiotelevizioni Shtetëror Serb njoftonte se në Gjykatën e Lartë të Serbisë është paraqitur padia kundër NATO-s për pasojat e përdorimit të predhave me uranium të varfëruar gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999. Çeshtja e “uraniumit të varfëruar” është një zhurmë e stërvjetër serbo-ruse, e cila ka marrë përgjigjet edhe juridike nga tribunalet ndërkombëtare, edhe përgjigjet shkencore nga komisione shkencore ndërkombëtare, edhe përgjigjet zyrtare dhe diplomatike nga NATO për shtetin dhe qeverinë serbe. Por Beogradi vazhdon avazin e mbajtjes gjallë të frymës së urrejtjes kundër NATO-s dhe nxitjes së ndjenjave antiatlantike dhe antiperëndimore në Serbi.

Gjëja e parë për t’u theksuar është se përdorimi i predhave me uranium të varfëruar nuk është i ndaluar nga asnjë ligj ndërkombëtar apo konventë ndërkombëtare, që don të thotë se është i lejuar dhe atë e kanë në municionet e tyre shumë shtete. Edhe në median e njohur ndërkombëtare ruse “Russia today”, e cila i kushtoi në 21 janar një jehonë të madhe padisë serbe kundër NATO-s, eksperti ushtarak rus Juri Knutov detyrohet të pranojë se municionet me uranium të varfëruar nuk janë të ndaluara nga konventat ndërkombëtare. Qysh kur Serbia dhe Rusia ngritën para 20 vitesh zhurmat diplomatiko-propagandistike për këtë çeshtje, NATO krijoi një komision studimor ekspertësh, i cili doli në përfundimin që përdorimi i uraniumit të varfëruar në municione nuk ka efekte afatgjata për shëndetin e njerëzve. Madje edhe OKB-ja nëpërmjet “Programit Mjedisor të OKB-së” financoi një studim të posaçëm ekspertësh për këtë çeshtje, që dha përfundimin se përdorimi i uraniumit të varfëruar në municionet nuk ka efekte në shëndetin e njerëzve. Madje edhe Gjykata Ndërkombëtare e OKB për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, kur është ngritur nga pala serbe kjo çeshtje, ka deklaruar se ligji ndërkombëtar nuk e ndalon përdorimin e uraniumit të varfëruar në municionet luftarake. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një vizite në Beograd në 8 tetor 2018, në konferencën e shtypit ku kishte pranë tij presidentin e Serbisë Vuçiç, deklaroi se “Unë jam përgjigjur shumë herë këtu në Serbi për uraniumin e varfëruar dhe studimet kanë konkluduar se ai nuk ka pasur efekte në shëndetin e njerzve”. Mbi të gjitha, dihet se qeveria e Serbisë pas mbarimit të fushatës ajrore të NATO-s ndaj saj ka paditur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë vendet e NATO-s për fushatën ajrore në Serbi në 1999, dhe tribunali kryesor ndërkombëtar juridik i OKB në 15 dhjetor 2004 ia rrëzoi poshtë si të pabazuar në ligj padinë qeveritare të Serbisë kundër NATO-s.

Tani në vitin 2021 zgjohet prapë Serbia dhe vë në lëvizje mekanizmat e saj juridikë të brendshëm dhe paraqitet padi në Gjykatën e Lartë të Serbisë për t’i kërkuar NATO-s dëmshpërblim. Sipas juristit serb, që përfaqëson këtë padi të re, hapi i tanishëm mbështetet në një vendim të Gjykatës së qarkut të Beogradit të vitit 2001, e cila i paska cilësuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, dhe komandantin e përgjithshëm të forcave të NATO-s, gjeneralin Uesli Klark, si fajtorë për krime lufte ndaj popullit serb në 1999.

Në këtë habi juridike dhe diplomatike të ndërmarrë nga Serbia për të paditur NATO-n për “uraniumin e varfëruar” duket qartë qëllimi politik dhe propagandistik, sepse në planin juridik Beogradi e din se është një hap fals. Por padia e re serbe kundër NATO-s ka interes për të lexuar dhe për të kuptuar përmbajtjen dhe natyrën e vërtetë të qendrimit dhe të politikës armiqësore të Serbisë ndaj NATO-s.

Së pari, Serbia ka qysh prej vitit 1999 dhe megjithëse janë ndërruar disa qeveri e disa presidentë, që nga Millosheviçi e deri te Vuçiçi, ndjek në Mënyrë konstante kursin zyrtar armiqësor ndaj Aleancës Atlantike. Serbia ka krijuar një ditë të posaçme kombëtare antiatlantike, që e quan “Dita anti-NATO”, të cilën e përkujton zyrtarisht çdo 24 mars, si protestë ndaj ndërhyrjes së NATO-s në 24 mars 1999 dhe për të mbajtur gjallë në popull ndjenjat e urrejtjes ndaj Aleancës Atlantike.

Së dyti, Serbia synon që të demostrojë ndaj Rusisë besnikërinë ushtarake dhe vokacionin e saj antiatlantik, me qëllim që duke vazhduar fushatën propagandistike kundër NATO-s të marrë përfitime të reja ushtarake, energjitike dhe financiare nga Moska. Sepse armiqësia ndaj NATO-s është një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme ruse. Nuk është rastësi që sapo u paraqit padia serbe në Gjykatën e Lartë të Beogradit kundër NATO-s në 21 janar, të gjitha mediat zyrtare ruse, kombëtare dhe ndërkombëtare, shpërthyen me një jehonë të gjërë, duke e përdorur për një fushatë të re propagandistike kundër Aleancës Atlantike.

Së treti, Serbia ka interes të ngrejë zhurma të reja për ndërhyrjen e NATO-s në 1999 me qëllim që të luajë rolin e viktimës dhe të bëjë që diplomacia ndërkombëtare dhe kujtesa historike e njerëzimit të harrojnë se NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, që Serbia kishte ndërmarrë ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Serbia vazhdon taktikën e saj të viktimizimit për të forcuar pozitat e saj biseduese në dialogun me Kosovën për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve dypalëshe dhe për t’u paraqitur sikur ajo si viktimë në 1999 meriton të shpërblehet. Për fat të keq, kjo taktikë bizantine serbe ka patur sukses në një pjesë të mirë të diplomacisë së BE.

Së katërti, dhe që është tepër e rëndësishme, është dredhia e Serbisë që duke ngritur çeshtjen e përdorimit të uraniumit të varfëruar, të konfirmojë sovranitetin e saj mbi Kosovën. Paradoksi serb qendron në faktin se vetë juristi përfaqësues i padisë në Gjykatën e Lartë të Beogradit deklaroi në 21 janar se predhat me uranium të varfëruar “konkretisht janë përdorur në Kosovë. Peja, Prizreni, Ferizaj dhe Gjilani kanë vuajtur më shumë”. Pra vetë serbët e pohojnë se padia e tyre mbështetet në pasojat në shtetin tjetër, që quhet Kosovë, dhe se ata që kanë pësuar janë shqiptarët. Por çfarë të drejte kanë qeveria serbe apo studiot ligjiore serbe të përfaqësojnë shqiptarët dhe shtetin e Kosovës pa i autorizuar askush? Çfarë të drejte ka Gjykata e Lartë e Serbisë të merret me ndodhi dhe probleme në një shtet tjetër të pavarur? Diabolizmi juridik serb me këtë rast synon të pretendojë përfaqësimin e Kosovës si pjesë të Serbisë.

Në këto rrethana, kur Serbia padit NATO-n, tingëllon i paqartë qendrimi i NATO-s ndaj Serbisë, i cili ka marrë tone dhe pamje gjithnjë e më zbutëse. Në takimin me presidentin e Serbisë në 21 janar, admirali Burke deklaroi se NATO dhe Serbia janë partnerë të ngushtë dhe NATO respekton neutralitetin e saj. Nuk ka informacion nëse ky qendrim është konsultuar dhe me shtetet ballkanike anëtarë të NATO-s si Kroacia dhe Shqipëria, ose me qeverinë e mëparshme të Malit të Zi, që futi vendin në NATO. Natyrisht NATO ka të drejtë të zhvillojë diplomacinë e saj me Serbinë, por duke qenë se Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s, mendoj se e njohin më mirë Serbinë se shumica e shteteve të NATO-s, dhe padyshim kanë të drejtën të shprehin mendimin e tyre për gjykimet atlantike mbi Ballkanin.

Bashkëpunimi i NATO-s me të gjitha shtetet e rajonit është i nevojshëm dhe i mirëpritur, por kur vjen puna te Serbia janë disa zhvillime, disa politika dhe disa aleanca të saj ushtarake, që nxisin nevojën e sensit të masës në marrëdhëniet me të. Ështe e njohur se vetë Pentagoni e ka klasifikuar Rusinë si kërcënim dhe rrezik për interesat strategjike të SHBA dhe të Perëndimit. Por logjika çon te pyetja se si nuk është gjithashtu kërcënim për interesat atlantike dhe Perëndimore në Ballkan aleati i vetëm strategjik i Rusisë në Ballkan, që është Serbia dhe e cila është e vetmja që ka Traktat aleance strategjike me Rusinë. Serbia është shteti i vetëm ballkanik ku ndodhen prani dhe baza ushtarake ruse. Është shteti i vetëm ballkanik, që zhvillon çdo vit në territorin serb manovra të përbashkëta me forcat ushtarake ruse. Është shteti ballkanik, që po armatoset në mënyrë të ethëshme kundër shteteve të NATO-s në rajon me armatime të sofistikuara ruse, që nga avionet gjuajtës, tanket, dronët me rreze të gjatë dhe raketa. Në shkurt të vitit 2020 zëdhënësi i departamentit të shtetit deklaroi se “Në bisedimet me zyrtarët më të lartë të qeverisë serbe ne kemi shprehur në mënyrë të përsëritur shqetësimin që Serbia po blen pajisje ushtarake ruse, përfshirë blerjen e sistemit të raketave Pancir”. Në nëntor 2019 zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit Metju Palmer deklaroi se “SHBA natyrisht kanë shqetësim jo vetëm për dislokimin e pajisjeve ushtarake ruse në territorin e Serbisë, por edhe për blerjen nga Serbia të pajisjeve të sofistikuara ushtarake ruse”.

Përsa i përket pretendimit serb për “neutralitet ushtarak të Serbisë” është një falsitet i dalë boje prej kohësh. Diplomatë e politikanë e dinë se ky “neutralitet” iu imponua Serbisë nga Rusia në vitin 2007, menjëherë pas pranimit të Serbisë në vitin 2006 në programin e NATO-s “Partneritet për paqe”. E trembur se mos Serbia po avanconte drejt integrimit atlantik, Moska nxitoi t’i impononte Beogradit doktrinën e “neutralitetit ushtarak” për të parandaluar çdo lloj përpjekje serbe drejt integrimit atlantik. Ky “neutralitet ushtarak” ishte vetëm për raportet ndaj NATO-s. Kurse për raportet ndaj Rusisë “neutraliteti” sanksionoi një jetësim të aleancës ushtarake serbe me Rusinë. Pas adoptimit të doktrinës së “neutralitetit ushtarak” Serbia i dha Rusisë bazën ushtarake të Nishit në 2009. Serbia u bë në 2013 shtet vëzhgues në aleancën ushtarake “CSTO” të drejtuar nga Rusia. Serbia nisi të organizonte rregullisht manovra ushtarake të përbashkëta me forcat ushtarake ruse. Gara e ethëshme e armatimeve që po zhvillon Serbia, është mohim zyrtar i neutralitetit, por edhe një kërcënim për interesat e shteteve anëtare të NATO-s në Ballkan.

Shqetësimi ynë është që NATO të mos infektohet nga politika e gabuar e indulgjencave, që BE ka ndjekur dhe po ndjek ndaj Serbisë që nga viti 2000. Gjatë 20 viteve të indulgjencave europiane nuk është parë ndonjë kthesë strategjike e Serbisë drejt BE, përkundrazi ka ecur më shpejt drejt Rusisë. Serbia nuk e ka ndjekur BE-në aspak në politikën e jashtme, madje ka ndjekur vijën ruse, duke refuzuar sanksionet e BE ndaj Rusisë, duke mos dënuar aneksimin e Krimesë nga Rusia, e deri tek çeshtja e Maduros së Venezuelës. Taktika e gabuar e diplomacisë së BE për joshjen e Serbisë nëpërmjet lëshimeve është marrë si shenjë dobësie nga Serbia dhe nga Rusia. Këtë dëshmon arroganca dhe intransigjenca në rritje, që po demostron Serbia në dialogun me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE.

Në një situatë të tillë është e nevojshme që realitetet të shihen drejt dhe të mbahen qendrime, që përputhen me interesat e të gjitha shteteve anëtare të NATO-s, sidomos të rajonit. Toleranca ndaj Serbisë ka bërë që Serbia të ndërhyjë brutalisht në punët e brendshme dhe në zgjedhjet parlamentare të gushtit 2020 të një shteti anëtar të NATO-s si Mali i Zi dhe të vinë atje sot në pushtet forca antiatlantike dhe antiperëndimore.

Hapat, aktet dhe veprimet antiatlantike të Serbisë nuk janë sinjale të nëndheshme apo të koduara diplomatike. Siç tregon padia e re serbe kundër NATO-s, ato janë të hapura dhe sfiduese kundër NATO-s dhe kundër Perëndimit dhe për këtë realitet ballkanik duhet reflektuar. Mendoj se ndërsa Serbia padit NATO-n, nuk është produktive që NATO të flirtojë me Serbinë./ Dita