MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

“Dëshmia e puçit”, apo një histori me puçistë

20.01.2021 - 10:42

       Një nga librat më të rëndësishëm që kam lexuar në jetën time, është “Fshatarët”. Balzaku e vë në gojën e një prej gazetarëve më të mëdhenj, të Parisit.

Subjekti, duket shumë i thjeshtë. Nja tre a katër intrigantë, që bëjnë pjesë në atë që, rëndom quhet “Pari e krahinës”, kërkojnë të copëtojnë mes tyre pronat e një gjenerali plak, të kohës së Bonapartit. Për t’ia arritur qëllimit, kërkojnë ndihmën e fshatarëve të krahinës së tyre. Pronat e gjeneralit i marrin, siç thotë Balzaku, në ca ankande të stisura më parë. Gazetari që rrëfen, vete të shohë kohë më vonë, vendet e bukura ku kish ndodhur drama dhe fatin e pronarëve të rinj. Po çfarë të shohë? Fushat e sistemuara dikur, ishin mbuluar nga mijëra shtëpi njëra mbi tjetrën dhe një rrëmpallë e pafund mbulonte gjithçka.

Situata e paraqitur nga Balzaku, në romanin e tij, të shpie menjëherë e jo vetëm me përfytyrim, në vitet 90-të e më pas, në Shqipërinë e gjorë, pas vdekjes së gjeneralit plak, domethënë Hoxhës. Fshatari, nuk i pyeti fare “Çlirimtarët” e tij dhe shkaktoi, thjesht, atë që duket sot, anembanë vendit.

Libri i Sokol Ballës, një nga gazetarët më të mirë të vendit dhe nga të paktët profesionistë, përshkruan ngjarjet e pas 90-ës. Personazhet e tij, veçanërisht “mëtonjësit e pushtetit” janë çuditërisht, të ngjashëm me personazhet të Balzakut. E megjithëse ndryshe nga romani, kjo, sepse ata fillojnë të ëndërrojnë vetëm pas vdekjes së gjeneralit, e ke jo shumë të vështirë, të dalësh në përfundimin se, personazhet e Ballës janë realisht, produkt i të njëjtës race dhe diferenca e vetme me ta, duket territori dhe rëndësia e ngjarjeve. Ata të Balzakut, rrojnë në një krahinë të Francës, 200 e ca vjet më parë, këta të Ballës, janë përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Janë megjithatë, njerëz të vegjël, që edhe sikur të jetojnë pafundësisht, e kanë të pamundur të ndihmojnë me veprën e tyre, në krijimin e një klase politike që garanton vazhdimësinë e jetës në ca themele të sigurta, që karakterizojnë çdo vend të civilizuar.

Në fundin e librit të tij, Balzaku vë në gojën e gazetarit, i cili, shikon batërdinë e bërë nga lakmia e sundimtarëve të rinj që ndanë pronat e gjeneralit dhe fshatarëve që bënë pjesën tjetër të punës, të detyruar nga uria dhe keqqeverisja, një frazë të tmerrshme.

Rroftë e sotmja dhe në djall e ardhmja!

Këtë ndjesi të lemerishme e ke dhe kur lexon librin e gazetarit Sokol Balla, “Dëshmia e puçit”.

Personazhet që Balla i përshkruan në mënyrë telegrafike, por të gdhendur mjeshtërisht, kur vij vërdallë Shqipërisë duke parë batërdinë e krijuar, të kujtojnë jo vetëm fjalët e gazetarit parizien. Plaku gjenial, që i bënte shpesh, kryeveprat e tij në dy a tri javë, kishte harxhuar për librin e përmendur, tetë vjet dhe e kishte lënë të papërfunduar. Njëqind herë e ngrija dorën dhe njëqind herë e ulja, dhe ajo më pikonte gjak, – shprehet diku ai. Vërdallë rrugëve dhe shikuar plojën e bërë, kam menduar shpesh, se çfarë fati do të kishte krahina franceze që ngjante aq shumë me Shqipërinë dhe personazhet që përshkruan Balla. Personazhet e Plakut Balzak, luftojnë për prona. Ata të Ballës, për pushtet që ai pastaj, ua jep apo ua plotëson me lehtësi dhe dëshirën për prona.

Historia e personazheve të librit të shkruar nga Balla, është tani tridhjetëvjeçare dhe një zot e di, sa mund të zgjasë. Po gjithsesi është e mjaftueshme për të krijuar një sagë të mirë, për të paraqitur nesër, fatin, apo se ku do vejë vëndi. Natyrisht, siç shihet në pjesën e parë, autori tregon se në udhëtimin e tij, për arsye dhe të peshës që ka pasur në punën e tij si gazetar i njërit prej televizioneve më të rëndësishme në vend, i ka takuar, njohur e stërnjohur personazhet e tij, tanimë të famshëm dhe drejtues e që alternojnë vendet në pushtet prej tridhjetë vjetësh, me njëri-tjetrin. Herë duke u puthur si vëllezër e herë duke ulurirë për luftë, po me njëri-tjetrin. Histori pashallarësh të njohur e stërnjohur edhe në historinë tonë kombëtare.

Ndryshe nga personazhi i krijuar nga Balzaku, që është po gazetar, Sokoli e ka provuar marrëdhënien me “Parinë e vendit” drejpërdrejt dhe një lloj parie që referuar po Balzakut, të le në shumicën e rasteve, vetëm një mundësi për të mbijetuar. Ose të dërgosh dhurata në qendër të pushtetit (në rastin që flitet, t’i shërbesh pushtetit) ose thjesht, të bëhesh ingranazh i tij. Është e vështirë t’i shpëtosh tundimeve, në të dyja rastet. Justifikimet banale nuk bëjnë punë. Balla ia ka dalë pa ndonjë sforcim të hatashëm, për të mbajtur a realizuar dëshirën e jetës, pra, profesionin e gazetarit. Dokumenti më justifikues për këtë, gjendet jo në përbetime individuale, siç shohim shpesh, por thjesht me mënyrën si i ka pikturuar personazhet e fuqishëm politikë që kanë dominuar vendin prej tridhjetë vjetësh. Asnjëri në librin e Ballës, nuk merr notë kalimi dhe ky është më i pakti përfundim, që mund të nxjerrësh për ta.

Balla i ka përshkruar, siç thashë më sipër, me stil telegrafik po mjaftueshëm qartë në karakter edhe për një lexues normal, apo qoftë dhe jo shumë të apasionuar pas letrave të shkruara. Unë besoj se do t’i bënte nder jo vetëm vetes, por dhe vendit nëse këtë sagë tridhjetëvjeçare do ta shndërronte në një libër dokumentar. Duke plotësuar biografinë e personave që përshkruan edhe para 90-ës. Një gjë e tillë, do t’i shërbente shumë vendit për sot dhe ca më shumë, nesër. Kjo edhe sepse besoj se, një nga dëmet më të mëdha të kohës së Hoxhës, ishte ndalimi i disa librave të këtij karakteri ku veçanërisht, shquhen kujtimet e Sejfi Vllamasit dhe ato të Eqrem Bej Vlorës. Do ta kishin emancipuar shumë më shpejt shoqërinë dhe besoj, do të kishin ndaluar gjynahet e mëdha mes të cilave edhe ato që hasëm tridhjetë vjet. Dhe akoma më shumë, do të kishin kontribuar që të mos lejonin në jetën publike personazhe të tilla, apo të ngjashëm me ato që përshkruan Balla dhe që karakterizojnë Francën e dyqind vjetëve më parë.

Sokoli e ka këtë mundësi, ndryshe nga brezi që u rrit në komunizëm dhe sa më shpejt ta shohë si punë që duhet bërë, për qëllimet edhe të mësipërme, aq më mirë do të jetë për shoqërinë. Duke parë librin, besoj se ai do ta bëjë më së miri, këtë punë.

Megjithëse, jo shumë i apasionuar pas historisë si materie, ai zotëron teknikën për të shkruar në mënyrë të kursyer, që nuk është gjithnjë karakteristikë e atyre që shkruajnë për historinë. Në libër vihet re, se ai zotëron, siç përmenda më sipër edhe njohjen e plotë me të gjithë personazhet politike që kanë drejtuar vendin. Përshkrimi që u bën këtyre personazheve edhe nëse na tregon vetë “majën e ajsbergut” është  mjaftueshëm i qartë, për të nxjerrë konkluzione sa cinike dhe aq të vërteta, për ta. Libri i Sokolit, në këtë drejtim, një libër i ngjashëm në një plan dhe me një libër kujtimesh, besoj se është nga shembujt më të mirë të këtyre tridhjetë viteve, për të kuptuar se klasa politike, që ka drejtuar vendin, si minimum nuk ka për të pirë nesër, as atë “kafenë në këmbë” që të jep historia, siç thotë në një nga ato poezitë e tij të holla, Dritëroi.

Megjithëse Berisha, Meta, Rama, apo Basha duket se janë kursyer në gjykimin e plotë të veprës praktike që kanë realizuar këto tridhjetë vjet, Balla i ka ngelur të gjithë në klasë, në provën ndaj historisë. Duke i paraqitur pavarësisht veçorisë së karaktereve nëse flasim shqip, si bejlurçina të rrezikshme përshkruar dikur nga Noli. Balla, nuk shkon në këtë konkluzion të fundit, drejpërdrejt, po nuk ka nevojë ta bëjë. Personazhet duken qartë, në dritë të diellit. Për përshkrimin e tyre edhe gazetarët e dorës së parë, kanë problem. Dritëroi, thoshte dikur se, do ta shkruante librin e kujtimeve, por e zgjati pambarimisht librin. Kur e pyeta njëherë për arsyen, m’u përgjigj thjesht: Eh, një pjesë e personazheve janë gjallë dhe kush u futet belarave. Mendoj se raciononte forcat e fundit të pleqërisë, se nuk ia kish frikën njeriu. E kishte provuar që, pas Kongresit të fundit të partisë së tij të hynte në luftë edhe me Nanon, që ishte kryetari i madh. E futi në vokabularin politik, termin “Shkërdhatokraci” ashtu thjesht. Në librin e Ballës, duket po i njëti përcaktim, i bërë po thjesht, për persona që ende janë gjallë, janë në politikë dhe akoma më të fuqishmit e vendit.

Në këtë pikë, libri shërben si model dhe për botën e gazetarisë tek ne. Teknika, megjithëse më shumë e tipit telegrafik se përshkruese, e realizon idenë për të mos i ngelur borxh publikut në përshkrimin e personazheve dhe karaktereve të tyre.

Pjesa më e bukur dhe më e arrira teknikisht, për mua është ajo që mban edhe titullin e librit. Është si një reportazh që pikon. Dhe veç kësaj, plotëson një element që, duket se i mungon librit, megjithëse, besoj se ai nuk ka qenë qëllimi kryesor i autorit. Balla e ka realizur me përshkrimin e hollësishëm të “Puçit të 21 janarit”, pra, me një akt përshkrues të vetëm, pasojën e njërës prej veprave më të turpshme, të ndodhura këto tridhjetë vjet. Pasojë kjo, e veprimtarisë së mëparshme, të personazheve që ai rrëfen në libër. Dhe megjithëse pjesën e luanit në këtë kasaphanë, ai ia vë në qafë Berishës, Balla i fut me hir e me pahir edhe personazhet e tjera politike, në të. Në role parësore dhe dytësore. Dhe në të edhe të huajt, konkretisht ambasadorin amerikan. Dhe kjo, në atë mënyrën lakonike të të përshkruarit, që të sjell në mend ambasadorët e librit të shkëlqyer të Kadaresë “Vit i mbrapshtë”. Është, siç e thashë dhe më parë, një dëshmi që e nderon autorin, në profesionin që ka marrë përsipër të bëjë në jetën e tij.

Libri, natyrisht që ka në fokus 21 Janarin dhe pjesa e parë e tij, ku rrëfen në mënyrë dokumentare personazhet dhe veprat e tyre, e plotëson mozaikun. Po me gjithë vijën lidhëse që është në libër, prapë ai të jep idenë, se nuk është në përpjestim të drejtë nisur nga numri i faqeve rrëfyese të pjesës së parë dhe asaj të dytë. Autori e kompeson këtë disproporcion, me reportazhin e shkëlqyer për 21 janarin.

Në një pikpamje tjetër, nisur nga rëndësia e temës, besoj se libri i Sokol Ballës është një bazë e shëkëlqyer, për një më të plotë nesër. Kjo, jo vetëm në përshkrimin e personazheve politike, përpara se ata të bëheshin politikë. Kjo, jo për të kënaqur, thjesht kureshtjen njerëzore, por për të kuptuar ca më shumë pse vendet, veçanërisht si yni, pavarësisht varfërisë së tyre në shumë aspekte të jetës, nuk duhet t’ia lënë fatnë e tyre rastësisë, apo individëve të parëndësishëm.

Titulli i librit, për nga rëndësia që ai ka, besoj duhet të ishte alla Markez, që diku shkruan për “Një histori me paskuinë”. Pra, librit ndoshta do t’i shkonte titulli: “Një histori me puçistë”

Mund të thuash, se libri e ka realizuar misionin në dy plane. Së pari, në atë të botës së gazetarisë, për të shërbyer si model i të shkruarit të mirë dhe brenda lakonizmit klasik.

Në planin tjetër, në atë që përshkruan të djeshmen, të sotmen, po dhe të ardhmen e afërt të vendit, shenjuar pothuajse nga të njëjtat personazhe për tridhjetë vjet, mund të thuash të njëjtën gjë.

Së fundmi, ripërsëritur edhe njëherë. Libri i Sokol Ballës, “Dëshmia e një puçi”, është baza për një libër të plotë dokumentar, që do të shërbente për të njohur realisht, protagonistët tanë të këtyre tridhjetë vjetëve dhe për të ndihmuar njerëzit që të kuptojnë, pse nuk duhen modele të tilla, të dëmshme, për të nesërmen e vendit.