MENU
klinika

Ҫfarë duhet të dimë për diabetin?

Diabeti dhe rëndësia e diagnostikimit në kohë

24.01.2021 - 13:54

Diabeti Mellitus është një sëmundje kronike dhe shfaqet kur pankreasi nuk prodhon insulinë ose prodhon një sasi të pakët insuline. Insulina, pra ky hormon që prodhohet nga pankreasi, lejon glukozën të hyjë në qelizat e trupit, duke na dhënë energjinë e nevojshme për të punuar, dhe për të jetuar normalisht, pra është vitale për jetën. Niveli normal i glicemisë esëll ne gjak është 70-110 mg/dl dhe dy orë pas ngarkesës me glukozë 140 mg/dl.

Përqindja e personave të prekur nga diabetit mellitus (apo diabeti i sheqerit) po rritet në të gjithë botën. Ekzistojnë disa tipe të diabetit, por më të shpeshtë janë:

  • Diabeti tip 1 (ose insulino-vartës)
  • Diabeti tip 2
  • Diabeti gestacional ( i shtatzanisë).

Mbi 90 % të rasteve të pacientëve të prekur nga  diabeti mellitus janë pacientë me diabet tip 2. Pjesa tjetër vuajnë nga diabeti tip 1, diabeti i shtatzënisë dhe forma të tjera të diabetit.

Sa duhet të jetë niveli i glicemisë që  një person të kategorizohet se vuan nga diabeti mellitus?

Kriteret diagnostike që një pacient të ketë diabet janë:

  • Glicemia esëll ≥ 126 mg/dl
  • Glicemia 2 orë pas provës së ngarkesës me glukozë ≥ 200 mg/dl
  • Një glicemi rasti ≥ 200 mg/dl e shoqëruar me shenja të diabetit
  • Hemoglobina e glukozuar ≥ 6.5 % (analiza që tregon mesataren e glicemisë në gjak për tre muajt e fundit)

Ёshtë e rëndësishme të theksohet se personat me diabet mund të mos kenë shenja klinike dhe për këtë arsye është e këshillueshme të kryhet kontrolli i glicemisë (sheqerit) në gjak.

Cilat janë simptomat e diabetit ?

Simptomat më të zakonshme të diabetit janë:

  • etje e shtuar,
  • urinim i shpeshtë, sidomos gjatë natës
  • tharje e gojës,
  • humbje e pashpjegueshme në peshë,
  • infeksione të përsëritura
  • lodhje

Nëse vlerat e glicemisë kanë qenë të larta për një kohë të gjatë, personat me diabet mund të shfaqin edhe dobësi trupore,  dhimbje barku, të vjella etj.

Ekzistenca e këtyre simptomave nuk do të thotë domosdoshmërisht që ju jeni me diabet, porn ë raste teë tilla ju duhet të kontaktoni menjëherë mjekun specialist endokrinolog per tu konsultuar mbi rastin tuaj. Konsultimi në kohe me mjekun specialist ju ndihmon të paraprini komplikacione të mëtejshme dhe ç’ka është më e rëndësishmja ju ndihmon të jetoni një jetë të shëndetshme.

Cilët persona duhet të testohen për diabet?

Kontroli i nivelit të glicemisë rekomandohet tek të gjithë të rriturit. Personat me faktor rreziku  për diabet janë:

    • Të  rriturit me mbipeshë trupore dhe obezë
    • Personat që bëjnë jetë sedentare
    • Personat që kanë të afërm me diabet, pra kanë histori familjare
    • Femrat që kanë lindur fëmijë mbi 4 kg, ose kanë patur në shtatzanitë e mëparshme diabet shtatzanie
    • Personat që vuajne nga HTA (Hipertension arterial)
    • Personat që vuajnë nga semundje të zemrës
    • Personat që janë diagnostikuar më parë me pre diabet
    • Femrat me mikrokiste në vezore
    • Personat që trajtohen me medikamente që rrisin nivelin e glicemisë në gjak

Mjekët, në konsultat që kryejnë me pacientët e diagnostikuar me diabetin mellitus tip 2, qoftë edhe tek ata që diagnostikohen për herë të pare, vlerësojnë nëse ka komplikacione akute ose kronike nga diabeti. Ёshtë shumë e rëndësishme të vlerësohen edhe komplikacionet kronike të diabetit, kjo për faktin se diabeti mund të ketë filluar shumë kohë më parë, edhe pse është diagnostikuar në një moment të mëvonshëm. Ka shumë raste të pacientëve me diabet të cilët në momentin e diagnostikimit kanë edhe komplikacione kronike, madje mund të diagnostikohen me diabet nga komplikacionet e tij.

Pse është  i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm i personave me diabet?

Në momentin e diagnostikimit të diabetit:

  • 50 % e personave kanë edhe sëmundje të zemrës
  • 20 % kanë retinopati diabetike (dëmtime të syve)
  • 8-10 % kanë nefropati (dëmtime të veshkave) apo neuropati(dëmtime të nervave)

Pra, mosdiagnostikimi dhe mostrajtimi në kohë i diabetit mund të çojë në dëmtimin e organeve dhe për këtë arsye është e rëndësishme të diagnostikoheni sa më shpejt të jetë e mundur, dhe kjo arrihet vetëm duke kryer kontrolle të rregullta (check-up).

Referuar të dhënave të IDF (International Diabetes Federation) 425 milionë të rritur (të grupmoshës 20-79 vjeç) janë të prekur nga diabeti; shifër e cila pritet të arrijë në 629 milionë deri në vitin 2045.

Një në 12 persona ka diabet. Pra, rreth 46 % e njerëzve në botë, që kanë diabet, janë ende të padiagnostikuar.

Numri më i madh i pacientëve që vuajnë nga diabeti i përket grupmoshës 40-59 vjeç.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN