MENU
klinika

Mentor Nazarko

Dorashka e sfidës së Kadaresë ndaj Nobelit – Për Nobel!

28.01.2021 - 14:21

       Ditëlindja e 85-të e Ismail Kadaresë ishte një rast i shkëlqyer për të reflektuar nëpërmjet një vepre të tij të fundit “Kur sunduesit grinden”, mbi fuqinë mendore dhe ndikimin e tij në lartësimin ndërkombëtar të emrit të kombit shqiptar -një shprehje e cila mund të tingëllojë patetike, por në kushtet kur kombet njihen, veprojnë, ndërveprojnë, edhe mbi bazën e imazhit të tyre, ky është një kontribut me të vërtetë i madh.

Vepra është e fundit në radhë në prurjet e Kadaresë në eseistik, sprova të tij me karakter analitik dhe ka një dimension i cili e bën atë automatikisht me një karakter universal, ndërkombëtar. Por, kjo nuk e shmang faktin që ajo të ketë gjithashtu edhe një vulë personale. Tek “.. sunduesit grinden” duket sikur Kadareja na fton të reflektojmë mbi rastin e tij personal, mbi arsyet se pse ai nuk ka marrë Nobelin, duke ndërtuar menjëherë një paravoli me një nga figurat më të shquara, natyrisht edhe më të diskutueshme të historisë së nobelistëve- Boris Pasternakun. Pasternaku është disident rus i cili e ka marrë atë pikërisht në kohën kur Kadareja ka studiuar në Rusi, rreth të cilit ka shkruar edhe më përpara, por sot është rikthyer kësaj teme, në një formë eseje.

Nëpërmjet “grindjes së sunduesve…”, Kadareja vijon të “trokasë”në skenën e Nobelit ashtu siç ka bërë më përpara: kur përpjekjes natyrale autentike të një shkrimtari për të marrë nderimin më të madh të botës së letrave që është çmimi Nobel në letërsi, i ka bashkangjitur aktivizmin e tij në ato që kanë qenë sfidat e kombit të tij në afirmimin kombëtar, përmes betejave të ndryshme siç ka qenë rasti i Kosovës apo edhe të tjera. Kadare zgjodhi që të mbetet në lozhë me një vepër të tillë në një moshë si kjo.

Një vepër e cila është e jashtëzakonshme për disa arsye:

Së pari – Kadare ndërtoi një parabolë, njëlloj krahasimi midis fatit të tij personal dhe atij të një shkrimtari si Boris Pasternaku, i cili mori çmimin Nobel. Madje, për ta bërë të dukshme këtë paravoli midis vetes që nuk e ka marrë çmimin Nobel, ndonëse është i përzgjedhur rregullisht ndoshta për afro 40 vite, ai sjell në libër një episod personal- një telefonatë që ai ka patur me Enver Hoxhën në mjedisin e tij të punës në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe artistëve, një grishje për tu zhytur pastaj në bisedën që Pasternak ka bërë me Stalinin.
Ka pra një paravoli e cila është një “j’accuse” të sofistikuar për jurinë e Nobelit. A është mbështetur ajo mbi thashethemet, zërat, letrat anonime, të cilat janë shkruar nga kritikë të Kadaresë, për të ashtuquajturin bashkëpunim të tij me regjimin? Epo mirë, Kadare ka sjellë shembullin e Pasternakut, i cili rezulton një njeri i cili ishte më pak I mëshirshëm për shokun e tij të ngushtë sesa vetë Stalini, diktator gjakatar në historinë e njerëzimit. Pra, juria e çmimeve Nobel, ndonëse e di për një bisedë të njohur botërisht siç është ajo e Stalinit me Pasternakun në lidhje me Mandelshtamin, vendosi t’ja japë çmimin Nobel, Pasternakut, natyrisht me frymëzime edhe gjeopolitike.

Historia e Pasternakut dhe Stalinit!

Për ta shpjeguar më shkurt, Pasternak dhe Mandelshtam ishin dy poetë të periudhës staliniste të cilët kishin kontributin e tyre si disidentë. Mandelshtam ishte më i ekspozuari në moshë të re me një poezi ku tallet me “Malokun Stalin” ndaj ai arrestohet nga regjimi stalinist.
Kur Stalini e pyet në telefon, shokun e tij të ngushtë “çfarë mendon ti për Mandelshtamin?”, Pasternaku nuk pati kurajon që ta mbronte shokun e tij para diktatorit të kohës. Sipas dëshmive që përputhen ai i thotë se “unë i përkas një rryme ndryshe letrare”, duke iu shmangur pyetjes së drejtpërdrejtë të Stalinit.Stalini në fakt është i njohur për raste të ngjashme “shpëtimi” edhe me shkrimtarë të tjerë: ai donte prej Pasternakut suportin, mbështetjen për një veprim të personalizuar lirimi të Mandeshtamit. Si tregohet në libër nga disa burime, skenare, versione, Stalini thotë “U habita, se unë për një shok do të çaja malet”. Kjo është fabula. Stalini e liron Mandelshtamin me iniciativën e tij ndonëse shoku i tij i ngushtë nuk e bëri.

Më vonë në vitin 1958, Pasternak bëhet nobelist. Në këtë kuptim, Kadareja i ka dhënë një përgjigje elegante jurisë së Nobelit duke thënë modestisht: nëse mbështeteni në kritikat apo në letrat anonime rreth meje, pra mbi kritere ekstraletrare, ja ku keni një shembull të dukshëm të një dështimi të madh plateal tuajin.

Së dyti – ajo që të bën përshtypje në një vepër të tillë është që se si Kadareja në bashkimin e shumë versioneve nga dëshmitarët e kohës që ekzistojnë për këtë telefonatë ka shkruajtur një vepër e cila ka brenda kërkim kuazi shkencor, mjaft voluminoz. Atij i është dashur sigurisht që të lexojë shumë libra, shtypin rus të kohës, madje dhe të sotmin, duke prodhuar në një vepër e cila ruan koherencën e saj në lidhje me këtë ngjarje mjaft të madhe në historinë e përbotshme të letërsisë dhe jo thjesht asaj ruse. Diçka që duket një ndërmarrje gjigande për një shkrimtar në moshën e tij. Na rezulton kësisoj një mendje funksionale, e fuqishme, e cila ruan koherencën dhe prodhon një vepër, e cila është qoftë në stil, qoftë në unitetin e saj strukturor apo konceptual, nga më të mirat e Kadaresë.
Duke bërë këtë, Kadareja, në një farë mënyre, hedh një urë komunikimi cilësor ndërmjet botës intelektuale dhe kulturore shqiptare me atë ruse.

Duhet të imagjinojmë, se botimi i këtij libri, sigurisht për shkak të famës së Kadaresë, do të ndiqet sigurisht nga përkthimi në rusisht. Në këtë kuptim është një kontribut që Kadareja ia jep botës shqiptare e cila ka komunikuar dikur intensivisht me homologen e saj ruse për shkak të përkatësisë në një kamp ideologjik të përbashkët, por që prej një kohe tashmë të gjatë këto komunikime janë ndërprerë. Ky komunikim i Kadaresë midis këtyre dy botëve, është dinjitoz, cilësor.
Kemi me këtë libër një angazhim mendor, në prodhimin e një vepre si kjo, kontribut gjigand prej shkrimtari i cili sot është 85 vjeç. Libri i ngjan fabulës së një filmi të hershëm të viteve ’70, me një vrasje ndodhur gjatë një mbrëmjeje mondane ku janë analizuar të gjitha alibitë e personazheve.
Dhe krejt në fund, ndërsa rusët janë duke punuar për ta përkthyer me shpejtësi veprën e tij, është një libër që pritet të perfeksionohet akoma më shumë, por sigurisht nuk është edhe i fundit.

Më poshtë ndiqni videon e plotë:

Për më shumë vizitoni Konica.al