MENU
klinika

Nxiti sulmin në Kapitol

‘Fundi i frikshëm’ i presidencës së Trump!

09.01.2021 - 09:38

Nëntëdhjetë minuta para se protestuesit të sulmonin Capitol Hill, presidenti i SHBA Donald Trump iu drejtua turmës së njerëzve duke (që më pas kryen sulmin) duke përdorur një gjuhë padyshim nxitëse.

“Ju kurrë nuk do ta pranoni që vendi ynë të dobësohet”, tha Trump. “Ju duhet të tregoni forcë.”

Avokati i tij personal, Rudy Giuliani, gjithashtu i bëri thirrje turmës për të kryer një “gjyq me luftë”.

Një turmë e përbërë nga protestuesit me pankarta “Bëjeni Amerikën përsëri të Madhe”, dhe grupe të ekstremit të djathtë besuan dhe ndoqën fjalët e Trump dhe të avokatit të tij.

Pasoi sulmi. Katër vjet pasi Trump paralajmëroi “masakër amerikane” në fjalimin e tij përurues, ai mori atë që donte. Skenat e kryengritësve, disa prej tyre të armatosur, duke plaçkitur Kongresin do të mbeten një turp në kujtesë dhe për demokracinë Amerikane. Askush nuk duhet të tregojë habi. Trump është zotuar të “marrë përsëri kontrollin” që para se të merrte detyrën. Gjatë përgatitjeve të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, Trump në mënyrë të përsëritur parashikoi se do të ishin më të korruptuarat në historinë e SHBA-së. Që kur humbi, ai e ka deklaruar këtë gjë vazhdimisht dhe më me zë të lartë.

Ai e përsëriti këtë gjë edhe të Mërkurën pasdite në videon qëpublikoi pas sulmit në Kapitol duke u bërë thirrje mbështetësve të tij të shkojnë në shtëpi. (Tuitter më vonë e mbylli llogarinë e Trump dhe këmbënguli që ai të fshinte postimin.) Në Tuitter dhe media të tjera sociale, Trump ka nxitur teorinë e konspiracionit QAnon që Uashingtoni kontrollohet nga një shtet i thellë pedofilësh. Një pjesë e amerikanëve tani besojnë se zgjedhjet në SHBA u vodhën. Nuk është çudi që disa ishin të gatshëm të sulmonin Kongresin ndërsa u mblodh për të vërtetuar fitoren e Joe Biden. Befasia e vetme është se nuk kishte më shumë njerëz të pranishëm.

Pyetja më e ngutshme tani është ajo që Trump mund të përpiqet të bëjë në afro dy javët e tij të mbetura në detyrë. Ushtria në Pentagon ka diskutuar gjatë se si do të përgjigjeshin nëse ai do të përpiqej të shpallte ligjin ushtarak, duke përdorur Aktin e Kryengritjes 1807 edhe pse ai premtoi një inagurim të qetë për Biden.

Disa persona përreth Trump, përfshirë Michael Flynn, ish-këshilltari i tij i sigurimit kombëtar, e kanë nxitur atë që ta përdorë atë. Pasi mbështetësit sulmuan Kapitolin, Ivanka Trump, vajza e presidentit, i quajti ata “patriotë” në një status që ajo fshiu më vonë.

Shqetësimi për atë që Trump ende mund të përpiqet të bëjë ekziston. Përkundër asaj që ndodhi të Mërkurën, ai ende komandon shumë njerëz me rëndësi dhe ushtarakë të cilët janë edhe besnikë të tij. Një arsye pse turma sulmoi kaq lehtë Kongresin është sepse shumë prej oficerëve të policisë në Capitol Hill kishin dukshëm një simpati për presidentin aktual. Disa madje bënë selfie me kryengritësit brenda ndërtesës së Kapitolit. Kontrasti me mënyrën se si u trajtuan protestuesit e Jetës së Zezë, Qershorin e kaluar, kur forcat e rendit larguan me dhunë njerëzit në Sheshin Lafayette, ishte i dukshëm. Sikur protestuesit afro-amerikanë të përpiqeshin të sulmonin Capitol Hill, ose Shtëpinë e Bardhë, mund të jemi të sigurt se plumbat do të ishin përdorur.

Pyetja tjetër është se sa republikanë do të vazhdojnë të mbështesin narrativën e “zgjedhjeve të vjedhura” të Trump. Pak para se Kongresi të pushtohej, Mitch McConnell, udhëheqësi i shumicës në Senat në largim, hodhi poshtë përpjekjet e Trump për të deklaruar zgjedhjet si të vjedhura. Ai ishte në gjendje ta shprehte me forcë realitetin kur kishte rëndësi. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Ted Cruz, senatorin e Teksasit, Josh Hauley, senatorin e Misurit dhe më shumë se 100 kolegë të tyre. Protesta e tyre teatrale kundër çertifikimit të zgjedhjeve u ndërpre nga një sulm ndaj ndërtesës në të cilën ata po flisnin.

Në fjalën e tij, Cruz tha se fakti që kaq shumë amerikanë besuan se zgjedhjet ishin një mashtrim përbën “një kërcënim të thellë për vendin tonë”. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, seanca u ndërpre papritur. Ndërsa senatorët u nxituan për t’u vendosur në siguri, Mitt Romney, senatori i Utah, i cili ka qenë një zë i rrallë republikan që paralajmëronte autoritarizmin e Trump, u bërtiti kolegëve të GOP: “Kjo është ajo që keni marrë”.

Ai kishte të drejtë. Pajtohem me të apo jo, Romney flet për partinë që dikur kujdesohej për kushtetutën, rendin e SHBA dhe civilizimin e saj në politikë. Por duket se rrugës gjithçka devijoi dhe e gjitha nga marrëzia e Trump për pushtet.

 

Përkthyer dhe përshtatur nga Financial Times/ Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Aljazeera

Dita kur Trump humbi!