MENU
klinika

Ministri i Shëndetësisë: Nëse është e sigurt dhe efektive, nuk ka…

Gjermania e gatshme të përdorë vaksinën ruse dhe kineze

31.01.2021 - 20:46

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn tha se ai është i hapur për përdorimin në Gjermani të vaksinave kundër koronavirusit të prodhuara në Rusi ose Kinë.

“Nëse një vaksinë është e sigurt dhe efektive, nuk ka rëndësi se në cilin shtet është prodhuar, atëherë sigurisht që mund të ndihmojë në mposhtjen e pandemisë”, tha Spahn për Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Ai tha se vaksina kundër koronavivrusit duhet të kalojë nëpër një proces të autorizimit.

Këto komente të ministrit gjerman vijnë në kohën kur Evropa po përballet me vonesa të dërgesave të dozave të vaksinës nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.

Të premten, më 29 janar, Rusia tha se do të jetë në gjendje që të gjysmën e dytë të vitit 2021, ta furnizojë Bashkimin Evropian me 100 milionë doza të vaksinës së saj Sputnik-V, doza këto të mjaftueshme për vaksinimin e 50 milionë personave.

Rusia tashmë ka aplikuar për autorizimin e vaksinës në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA). Lidhur me vaksinën Sputnik-V ka pasur skepticizëm të madh, që prej se autoritetet ruse, në mesin e gushtit të vitit të kaluar, njoftuan për zbulimin e kësaj vaksine, e cila ende nuk ka kaluar nëpër të gjitha studimet e nevojshme klinike.

Kryetari i qytetit të Berlinit, Micheal Mueller i ka shkruar një letër kancelares gjermane, Angela Merkel duke i thënë se Gjermania duhet të krijojë plane “të vaksinimit kombëtar”. Ai ka shprehur idenë e tij që shteti duhet të shikojë të furnizohet me vaksina jashtë BE-së.

Për shkak të kritikave për ngecjet në fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit si dhe problemeve që janë shfaqur në prodhimin e dozave të vaksinës, Merkel pritet që të mbajë bisedime për këtë çështje të hënën me zyrtarët gjermanë. Krerët e landeve gjermane, ministrat federal, përfaqësuesit e kompanive që prodhojnë vaksina si dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian, pritet që të marrin pjesë në këtë takim virtual.

Gjermania të dielën ka raportuar 11,192 infektime të reja. Që prej fillimit të pandemisë, ky shtet ka regjistruar 56,945 viktima nga koronavirusi./Rel

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Raportimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë

A mund të shërohemi nga koronavirusi?