MENU
klinika

Kolaudimi/ Ata që paguajnë taksa marrin…

Gonxhe: Si do qarkullojnë makinat që u ka skaduar afati i kontrollit

06.01.2021 - 11:19

Pezullimi i shërbimit të kolaudimit çliron poseduesit e automjeteve nga detyrimi i kontrollit teknik jo vetëm për tre muaj, aq sa parashikon akti i fundit normativ i qeverisë, por më tepër.

Miratimi i ndryshimeve të pritshme në Kodin Rrugor brenda këtij muaji në Parlament mund ta shtrijë këtë afat për gjithë vitin. Pra, mjetet e kolauduara në 2020-ën do të paraqiten për kontroll teknik në vitin 2022 çdo dy vjet. Kohë kjo për qytetarët, por edhe shërbimin e transportit rrugor që prej 1 janarit ka marrë në dorë shërbimin e kontrollit teknik të automjeteve.

Duke e cilësuar faljen 3-mujore si një borxh ndaj qytetarëve që u penalizuan në qarkullim në fillim të epidemisë, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Blendi Gonxhe, flet për “Panoramën” lehtësimin e radhës për qytetarët. “Mund të ndodhë që të gjithë automjeteve që u është shtyrë tre muaj afati i kontrollit teknik, t’u falen 12 muaj, me rregullin e ri në Kodin Rrugor, sipas të cilit nuk do të vijnë fare në 2021-shin. Por duke qenë se janë të pazyrtarizuara, nuk i kemi bërë publike, veçse si politika të ministrisë. Presim miratimin nga Parlamenti. Deri atëherë do të merremi me hapjen e shërbimit”. Rihapja e shërbimit të kolaudimit në të gjitha pikat e saj në vend, në rastin më të mirë, kërkon një muaj kohë, sipas drejtorit të DPSHTRR.

TAKSAT

Përveç kolaudimit, të gjitha pagesat e tjera vjetore të detyrueshme për automjetin duhet të kryhen në kohë. “Nuk mund të qarkullosh dot pa paguar taksat rrugore dhe pa siguracion. Janë taksa fikse vjetore për infrastrukturën. Është një lloj takse posedimi që shkon për investime dhe do të paguhen me se s’bën, përveç atyre që i falëm dhe ua kompensuam”, thotë Gonxhe i prerë në këtë drejtim teksa tregon procedurën se si do të veprohet më tej. “Ai që do të vijë të paguajë taksa, qoftë online ose te ne, do të marrë vërtetimin e shtyrjes së afatit të kolaudimit dhe për tre muaj nuk do ta këtë atë angari. Ndërkohë, del kodi i ri me ndryshimet e reja ku do të njoftojmë risitë edhe më të mira pasi afatet do të rriten edhe më tepër”. Sipas ndryshimeve që qeveria i ka nisur Parlamentit për miratim, mjetet e pasagjerëve nuk do t’i nënshtrohen kontrollit teknik çdo gjashtë muaj, por një herë në vit. Të gjitha mjetet e tjera kolaudohen çdo 2 vjet, ndërsa ato me zero kilometra një herë në tre vjet.

TARGIMET E REJA

Kushdo që blen një makinë, qoftë me zero kilometra apo të përdorur, do të targohet normalisht. Ata njoftohen që për tre muaj nuk do të paraqiten pranë pikave të kolaudimit. Me të dalë kodi i ri, makinat e reja do të lajmërohen për t’u paraqitur për kontroll teknik pas tre vjetësh, ndërsa ato të përdorura dhe të sapotarguara do t’i nënshtrohen kontrollit sapo të hapet shërbimi për t’u përsëritur pas dy vitesh. DPSHTRR ka koordinuar punën me institucionet e tjera për të siguruar mospengimin e qarkullimit normal.

“Të gjitha makinat qarkullojnë normalisht për aq kohë sa nuk ka kolaudim. Është lajmëruar Policia që qytetari do të qarkullojë me targat e reja që ka bërë. Ai që merr targa të reja, ka në leje shënimin dhe identifikohet lehtësisht që makina në fjalë është targuar për herë të parë në Shqipëri në janar të 2021-shit“, sqaron Gonxhe. Nga shtyrja e afatit, sipas Gonxhes, përfitojnë edhe ata që për shumë arsye mund të kenë kolaudim përtej tre muajve. Për aq kohë sa ky shërbim nuk mund të kryhet, çdo posedues i një automjeti mund të qarkullojë pa pasur certifikatën e kontrollit teknik. “Shërbimi nuk punon. Dhe për këtë qytetarët nuk kanë faj, nuk penalizohen edhe në qoftë se iu ka skaduar afati 3- mujor sipas aktit normativ. Kur të hapet shërbimi, këta qytetarë dhe të tjerë do të rezervojnë në sistemin online kur vendet në sistem do t’ua lejojnë”, thotë kreu i transportit rrugor në vend, duke përjashtuar kështu krijimin e radhëve të gjata në pikat e kontrolleve teknike, sapo ato të jenë funksionale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN