MENU
klinika

Ja kur do të hyjnë në fuqi rregullat e reja

Greqi/ Rritet shërbimi ushtarak në 12 muaj

22.01.2021 - 10:55

Autoritetet greke kanë deklaruar zyrtarisht rritjen e shërbimit ushtarak në 12 muaj për të gjithë, pas një diskutimi që kanë kryer në Këshillin e Lartë të Mbrojtjes dhe çështjeve të Jashtme të vendit pasditen e së enjtes.

Lajmi është bërë i njohur nga vetë Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Panagiotopoulos, i cili në një mesazh televiziv ka theksuar se shumë shpejt do të lëshohet vendimi përkatës ministror.

Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi në maj dhe nuk prekin ata që kryejnë në këtë moment shërbimin ushtarak. Midis të tjerash, Panagiotopoulos thekson në mesazhin e tij:

“Ky propozim që u diskutua është pjesë e kornizës së përgjithshme për rinovimin e personelit të Forcave të Armatosura.

Në këtë kuadër njoftohet :

1.a) Rritja e numrit të studentëve të pranuar në gjithë Shkollat Ushtarake të Oficerëve dhe Nënoficerëve.

2.b) Rekrutimi i ushtarakëve afatshkurtër dhe afatgjatë në Forcat e Armatosura Profesionale.

Përveç kësaj, vendimi ministror që do të lëshohet ripërcakton mandatin e Forcave të Armatosura, të Marinës Detare , Skuadriljeve të Forcave ajrore dhe Oficerëve Rezervë të regjistruar në të tre trupat Ushtrisë .

Sipas këtij vendimi

– Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak të plotë të rekrutëve të Ushtrisë është e barabartë me atë të rekrutëve në Marinë dhe Forcat Ajrore, pra 12 muaj për të gjithë.

– Përcaktohet një afat prej nëntë muajsh vetëm për ata që kryejnë shërbimin e plotë në reparte specifike të Ushtrisë, Marinës dhe Forcave Ajrore me karakteristika të veçanta operacionale dhe gjeografike (pikat kufitare), me kusht që ata të qëndrojnë në Njësinë specifike për gjithë kohën e tyre të shërbimit.

– Përcaktohet për Oficerët Rezerviste të Ushtrisë (këmbësorisë), Marinës, Forcave Ajrore përkatësisht një mandat prej shtatëmbëdhjetë dhe katërmbëdhjetë muajsh.

Këto njësi do të specializohen me një urdhër të ri.”

Siç bëjnë me dije burime nga ministria e Mbrojtjes, vendimi është pjesë e një procesi që ka planifikuar vetë kryeministri Mitsotakis në lidhje me rinovimin e përgjithshëm të Forcave të Armatosura sa i përket arsenalit ushtarak dhe personelit, me qëllim zgjidhjen e problemeve që janë shkaktuar nga performanca në rënie e nivelit tek rekrutet.