MENU
klinika

“Goditje të tillë s’ka pasur në 20 vite”

Guvernatori: Ekonomia e Kosovës në gjendje të rëndë

23.01.2021 - 12:57

Guvernatori i Bankës Qendrore së Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka folur në një intervistë të gjatë për revistën “Monitor”. Sipas tij, ekonomia e Kosovës është në gjendje të rëndë dhe se, në këtë situatë, Kosova nuk ka qenë prej 20 vitesh. Shefi i BQK-së thotë se rënia ekonomike këtë vit është 7.2%. Mehmeti ka treguar se ndikim të rëndësishëm në rënien e aktivitetit ekonomik në Kosovë kishin edhe masat e kufizimit të lëvizjes nga shtetet e tjera. Infuzionin e vetëm gjatë këtij viti, Kosova e ka marrë nga remitancat, të cilat, sipas Mehmetit, vlera e tyre deri në tetor ishte 796.5 milionë euro. Guvernatori i BQK-së, në këtë intervistë, ka folur edhe për bankat, kompanitë e sigurimeve, investimet direkte e shumë tema të tjera. Mehmeti ka folur edhe mbi bashkëpunimin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës së Shqipërisë. “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka takime dhe komunikime të rregullta dhe bashkëpunim shumë të afërta me Bankën e Shqipërisë, si në fushën e mbikëqyrjes, ashtu edhe në fushat e tjera që kanë të bëjnë me interesin reciprok të vendeve tona”. Mehmeti ka komentuar edhe idenë nëse Kosova mund të bëjë si valutë zyrtare Lekun e Shqipërisë.

Intervistoi: Fatos Shala

Viti 2020 njihet zyrtarisht si viti i pandemisë COVID-19, për shkak të të cilit janë krijuar kushte të tjera të punës dhe jetesës. Si ka qenë ky vit për BQK dhe sa ka arritur ta menaxhojë këtë situatë?

Me gjithë vështirësitë me të cilat jemi ballafaquar si pasojë e pandemisë COVID-19, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka arritur që edhe këtë vit, të zbatojë objektivat e saj, duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm, i cili jo vetëm që arriti të përballojë zhvillimet e pafavorshme ekonomike në vend, por edhe u shndërrua në një ndër shtyllat kryesore të mbështetjes për bizneset dhe individët që hasën në vështirësi financiare, për shkak të krizës së pandemisë.

Gjithashtu, përkundër situatës së krijuar dhe kushteve jo shumë të favorshme në tregjet ndërkombëtare, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka arritur të ruajë qëndrueshmërinë financiare dhe performancën e mirë të institucionit.

BQK-ja mbetet e përkushtuar që të vazhdojë aktivitetin në shërbim të stabilitetit dhe zhvillimit të ekonomisë së vendit, duke krijuar kushtet për zhvillimin e një infrastrukture të qëndrueshme financiare, në linjë me zhvillimet bashkëkohore në këtë fushë, duke përfshirë edhe zhvillimin e segmenteve të reja të sistemit financiar.

A ka arritur BQK ta ruajë funksionimin normal të sistemit financiar?

Pandemia COVID-19 si në Kosovë, ashtu edhe në mbarë botën, ka ndikuar negativisht të gjitha proceset shoqërore, e sidomos aktivitetet ekonomike të vendit tonë. Duke pasur parasysh kërcënimin nga kjo pandemi, në fazat e para të shfaqjes, ne si institucion kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të minimizuar efektet negative të saj. BQK-ja, duke zbatuar plotësisht të gjitha rekomandimet e institucioneve shëndetësore, menjëherë ka arritur që të mbajë çdo funksion të saj në normalitet të plotë dhe funksional.

Në fillim të pandemisë kemi aktivizuar Ekipin e Vazhdimësisë së Punës në BQK, i cili i ka identifikuar në kohë të gjitha problemet e mundshme dhe ka adresuar udhëzimet e nevojshme për adresimin e tyre me qëllim që të ruhet funksionaliteti i plotë i sistemit financiar. BQK-ja, gjatë gjithë kohës, ka furnizuar dhe vazhdon të furnizojë mjaftueshëm me para të gatshme të gjitha bankat, përfshirë edhe zonat të cilat kanë qenë të izoluara, gjë që ka siguruar likuiditetin e duhur për to, dhe ka siguruar përgjatë gjithë kohës funksionim të rregullt dhe të sigurt të sistemit të pagesave në mbarë vendin.

Me qëllim të ballafaqimit në mënyrë sa më efektive me kushtet e krijuara, BQK-ja në vazhdimësi është koordinuar me të gjitha institucionet e Kosovës, institucionet financiare në Kosovë, odat ekonomike, si dhe institucionet financiare ndërkombëtare, duke mbajtur takime shumë të shpeshta për të siguruar ndërmarrjen e masave adekuate dhe në kohën e duhur kundrejt nevojave të sistemit financiar dhe ekonomisë.

Pra, gjatë këtij viti, me gjithë vështirësitë e krijuara për shkak të pandemisë, BQK-ja ka mundësuar ambient dhe kushte të përshtatshme për funksionim të rregullt dhe normal të sistemit financiar.

Sipas BQK-së, sa pritet të shënojë rënie ekonomia e Kosovës në vitin 2020?

Masat e ndërmarra për pengimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 e ndikuan në mënyrë mjaft të ashpër aktivitetin ekonomik edhe në Kosovë, duke bërë që vendi të ballafaqohet me rënie ekonomike pas një periudhe mjaft të gjatë të rritjes. Kufizimi i funksionimit të shumë veprimtarive ekonomike ka ndikuar negativisht në të ardhurat e disponueshme të qytetarëve, duke ndikuar negativisht nivelin e konsumit të brendshëm.

Po ashtu, dobësimi i performancës financiare të bizneseve, së bashku me pasigurinë për periudhën e ardhshme, kanë shkaktuar një rënie të konsiderueshme të investimeve. Sipas parashikimeve të BQK-së, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 pritet të shënojë rënie prej 7.2% në terma realë.

 

RËNIA NGA PANDEMIA

KUFIZIMI I FUNKSIONIMIT TË SHUMË VEPRIMTARIVE EKONOMIKE KA NDIKUAR NEGATIVISHT NË TË ARDHURAT E DISPONUESHME TË QYTETARËVE, DUKE NDIKUAR NEGATIVISHT NIVELIN E KONSUMIT TË BRENDSHËM. PO ASHTU, DOBËSIMI I PERFORMANCËS FINANCIARE TË BIZNESEVE, SË BASHKU ME PASIGURINË PËR PERIUDHËN E ARDHSHME, KANË SHKAKTUAR NJË RËNIE TË KONSIDERUESHME TË INVESTIMEVE. SIPAS PARASHIKIMEVE TË BQK-SË, EKONOMIA E KOSOVËS NË VITIN 2020 PRITET TË SHËNOJË RËNIE PREJ 7.2% NË TERMA REALË.

 

A ka pasur goditje/rënie më të madhe ekonomia e Kosovës vite më herët apo kjo e vitit 2020 është më e rënda?

Ekonomia e Kosovës është karakterizuar me një normë modeste por të qëndrueshme të rritjes ekonomike prej rreth 4.5% për një periudhë mjaft të gjatë kohore, kurse momentet e rënies ekonomike kanë qenë shumë të rralla dhe jetëshkurtra. Rënia ekonomike e parashikuar prej 7.2% për këtë vit paraqet padyshim goditjen më të rëndë që ka pësuar ekonomia e Republikës së Kosovës në këto 20 vite.

Është thënë se ndikim të madh në rënien e aktivitetit ekonomik në Kosovë kishin edhe masat e kufizimit të lëvizjes nga shtetet e tjera. Çfarë ndikimesh konkrete kanë pasur këto masa në ekonominë e Kosovës?

Ndikim të rëndësishëm në rënien e aktivitetit ekonomik në Kosovë kishin edhe masat e kufizimit të lëvizjes nga shtetet e tjera. Ndikimi nga masat e kufizimeve të lëvizjes nga shtetet e tjera, rezultuan me rënie shumë të lartë të vizitave të diasporës sonë në Kosovë, të cilat paraqesin një burim mjaft të rëndësishëm të financimit për ekonominë e vendit.

Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në tetor 2020, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga diaspora ishin 470 milionë euro, nga 1.1 miliardë në tetor të vitit 2019, e që paraqet një rënie prej rreth 60% të shpenzimeve të jorezidentëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kontribuues të mëdhenj në ekonominë e Kosovës llogaritet çdo herë edhe diaspora. Sa është vlera e parave që diaspora ka sjellë në Kosovë gjatë këtij viti? A ka pasur rënie apo ngritje të remitancave në 2020-n krahasuar me vitin 2019?

Diaspora jonë është një kontribuues shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Edhe gjatë 2020-s, me gjithë vështirësitë e krijuara në ekonominë botërore për shkak të pandemisë, remitancat apo mjetet e dërguara nga diaspora kanë ndikuar në zbutjen e efekteve të krizës në vend. Remitancat edhe gjatë këtij viti vazhduan rrjedhën e qëndrueshme drejt ekonomisë sonë, ku vlera e tyre deri në tetor 2020 ishte 796.5 milionë euro, krahasuar me 705.6 milionë euro sa ishin deri në tetor 2019, e që paraqet një rritje vjetore prej 12.9%.

A ka pasur Investime të Huaja Direkte këtë vit në Kosovë dhe cila është vlera?

Sa u përket Investimeve të Huaja Direkte, vlera e tyre deri në shtator 2020 arriti në 250.6 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 216.4 milionë eurosh të regjistruar deri në shtator 2019. Gjatë .kësaj periudhe, rritje shënuan kryesisht Investimet e Huaja Direkte në sektorin e shërbimeve financiare, të cilat shënuan vlerën prej 66.2 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 10.9 milionë eurosh të regjistruar deri në shtator 2019. Në anën tjetër, investimet në patundshmëri, të cilat paraqesin kategorinë kryesore të Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë, zbritën në 135.8 milionë euro, nga 176.2 milionë euro një vit më parë.

Gjatë pandemisë ka pasur edhe rritje të kërkesës për para të gatshme. A ka arritur BQK ta bëjë furnizimin me para të gatshme në tërë vendin?

Sikurse e theksova edhe më herët, që në ditët e para të masave kufizuese, BQK-ja ka aktivizuar Ekipin e Vazhdimësisë së Punës, i cili kishte për detyrë të monitorojë dhe të japë udhëzime që sigurojnë mbarëvajtjen e funksioneve të BQK-së dhe të sistemit financiar në përgjithësi. Në këtë mënyrë, gjatë gjithë kohës, BQK-ja ka siguruar funksionim të rregullt të sistemit të pagesave dhe furnizimit me para të gatshme në mbarë vendin, përfshirë këtu edhe zonat të cilat kanë qenë të izoluara për një periudhë më të gjatë.

Gjithashtu, gjatë këtij viti është evidentuar një rritje e konsiderueshme e numrit të llogarive bankare dhe llogarive me qasje në e-banking. Numri i llogarive bankare ka arritur në 2.26 milionë llogari apo një rritje prej 4.3%, që mund të arsyetohet me nevojën e bizneseve dhe individëve për hapjen e llogarive bankare për të përfituar nga masat lehtësuese ekonomike të Qeverisë. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është regjistruar një rritje prej 22.4% e llogarive që kanë qasje në e-banking, ku numri i tyre deri në tetor 2020 është 393 mijë.

Sa ka qenë vlera e kredive që kanë dhënë bankat e Kosovës gjatë këtij viti?

Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e gjeti sektorin bankar të Kosovës në një gjendje shumë të shëndoshë, të karakterizuar me shkallë të lartë të likuiditetit, nivele të lartë të kapitalizimit dhe me cilësi shumë të mirë të portofolit kreditor, me një pjesëmarrje prej vetëm pak mbi 2% të kredive joperformuese. Kjo ka bërë që sektori bankar, jo vetëm të jetë në gjendje të përballojë rreziqet e rritura, por edhe të marrë një rol kyç në procesin e rimëkëmbjes ekonomike.

Kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë ishte shumë i rëndësishëm në aspektin e vazhdimit të kreditimit, përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve me të cilat u ballafaqua sektori bankar. Gjatë periudhës janar – tetor 2020, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.2 miliardë euro, kurse vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar në tetor 2020 ishte 3.2 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7%.

 

 

A kanë pasur probleme bankat komerciale gjatë vitit 2020 me kreditë e dhëna, kur dihet se qytetarët, për shkak të pandemisë kanë qenë edhe më keq në aspektin financiar?

Duke parë se ekonomia e vendit po hynte në krizë, ku bizneset dhe qytetarët po ballafaqoheshin me vështirësi të mëdha financiare, BQK-ja, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në bashkëveprim me institucionet kredidhënëse në Kosovë, ndërmori një varg masash për të ndihmuar ekonominë, që të përballojë në mënyrë sa më të lehtë sfidat e kësaj krize.

Këto masa fillimisht konsistuan në aplikimin e moratoriumit apo shtyrjen e pagesave të kredive pa asnjë masë ndëshkuese për të gjithë kredimarrësit që janë ndikuar negativisht nga pandemia. Ky moratorium përkohësisht i ka liruar kredimarrësit nga ngarkesa e pagesës së kredisë, duke e përmirësuar pozitën e tyre të likuiditetit për financimin e nevojave të tjera.

Pas përfundimit të periudhës së moratoriumit, BQK-ja ka publikuar udhëzuesin për ristrukturimin e kredive me qëllim të vendosjes së kritereve, në të cilat duhet të bazohet procesi i ristrukturimit të kredive për huamarrësit që kanë hasur në vështirësi financiare si pasojë e pandemisë. Udhëzuesi për ristrukturimin e kredive ka bërë të mundur që t’u lehtësohet barra kreditore kredimarrësve pa implikuar ndonjë përkeqësim të klasifikimit të tyre në regjistrin kreditor të Kosovës.

Sa është aktualisht norma e interesit në kredi në Kosovë?

Normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.3% në tetor 2020, nga 6.5% në periudhën e njëjtë të periudhës së kaluar, gjë që tregon për lehtësim të vazhdueshëm të qasjes në financim bankar.

A ka pasur rënie të interesit krahasuar me vitin e kaluar dhe a pritet që të ulen ende këto norma?

Sa u përket normave të interesit, përkundër kohës së pandemisë dhe rreziqeve në rritje kemi një rënie të normës së interesit nga 6.5% sa ishte një vit më herët në 6.3%. Ulja e normës së interesit ndërlidhet me shumë faktorë të tjerë në ekonomi, dhe në varësi nga vlerësimi i rrezikut përcaktohen edhe normat e interesit në treg. Megjithatë, tani për tani jemi në nivele të ngjashme të normës efektive të interesit me vendet e rajonit.

Kur jemi tek bankat, tani në Kosovë janë duke vepruar 11 të tilla. A pritet që tregut të Kosovës t’i shtohet edhe ndonjë bankë e re?

Sektori bankar në Republikën e Kosovës përbëhet nga gjithsej 11 banka, prej të cilave gjashtë janë filiale të grupeve bankare ndërkombëtare, tri janë degë të bankave të huaja dhe dy banka vendore. Mjetet e sektorit bankar kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë këtij viti, duke arritur vlerën prej 5.05 miliardë euro në tetor 2020, e cila paraqet një rritje vjetore prej 10.3%.

Stabiliteti dhe performanca e mirë e institucioneve bankare ekzistuese në Kosovë, së bashku me infrastrukturën e favorshme rregullatore dhe financiare që i ofrohet këtij sektori, ka bërë që sektori bankar i Kosovës në vazhdimësi të tërheqë interesimin e institucioneve të reja për të hyrë në tregun tonë. Megjithatë, momentalisht nuk kemi ndonjë aplikacion në proces për licencim të ndonjë banke të re.

Në tregun e Kosovës operojnë edhe institucionet mikrofinanciare. Sa të tilla janë aktualisht të licencuara?

Sektori mikrofinanciar dhe ai i institucioneve financiare jobankare në Republikën e Kosovës përbëhet nga gjithsej 76 institucione, prej të cilave 9 institucione mikrofinanciare dhe 67 institucione financiare jobankare. Nga këto institucione, 14 prej tyre janë institucione kredidhënëse, ku vlera e përgjithshme e kredive të këtij sektori në tetor 2020 ishte 220 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 1.4%.

Vlera e përgjithshme e kredive të sektorit të institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare deri në tetor 2020 ishte 220 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 1.4%.

Në sektorin e sigurimeve, si ka qenë situata këtë vit?

Gjithsej, mjetet e sektorit të sigurimeve kanë vazhduar trendin e rritjes, duke arritur shumën prej 214.3 milionë eurosh në shtator 2020, me një rritje vjetore prej 9.3%.

Gjatë kësaj periudhe u regjistrua një rënie e primeve të shkruara bruto, ku primet e shkruara bruto, deri në muajin shtator 2020, ishin 72.3 milionë euro, që paraqet një rënie prej 2.2% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Dëmet e paguara nga sektori i sigurimeve gjatë kësaj periudhe shënuan vlerën prej 35 milionë eurosh, me një rritje të lehtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur ishin 34.5 milionë euro.

A është ndonjë kompani e sigurimeve nën administrim të përkohshëm të BQK-së dhe pse është vendosur kjo masë?

Si rezultat i gjendjes së rënduar financiare dhe mospërmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, si dhe në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe sigurimit të stabilitetit financiar të sektorit, BQK-ja, gjatë këtij viti, ka marrë vendimin për vendosjen nën administrim të përkohshëm të siguruesit “Kosova e Re”. Ky vendim është në vazhdën e një sërë masave të ndërmarra nga ana e BQK-së për rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve, me qëllim sigurimin e një sektori stabël dhe në pajtueshmëri me kërkesat ligjore të BQK-së.

A ka ndonjë bashkëpunim konkret BQK me Bankën e Shqipërisë?

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka bashkëpunim shumë të mirë me Bankën e Shqipërisë. Ky bashkëpunim është edhe i formalizuar përmes nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mbi bashkëpunimin në fushën e mbikëqyrjes bankare, që ka të bëjë me shkëmbimin e informatave, ekzaminimet e përbashkëta të institucioneve financiare dhe çështje të tjera të interesit të përbashkët.

Pra, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka takime dhe komunikime të rregullta dhe bashkëpunim shumë të afërt me Bankën e Shqipërisë, si në fushën e mbikëqyrjes, ashtu edhe në fushat tjera që kanë të bëjnë me interesin reciprok të vendeve tona.

Është thënë disa herë se Kosova mund të bëjë si valutë zyrtare Lekun e Shqipërisë, a ka mundësi të bëhet kjo sipas jush?

Shfrytëzimi i Euros si valutë zyrtare në Kosovë ka bërë që të kemi një valutë të qëndrueshme, me ndikim shumë të rëndësishëm në stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Po ashtu, duke qenë se partneri kryesor tregtar i Kosovës është Eurozona, përderisa partnerë shumë të rëndësishëm janë edhe vendet e rajonit, të cilat në përgjithësi kanë kurs mjaft stabël të këmbimit kundrejt euros, ne vlerësojmë se euroizimi i ka sjellë Kosovës mjaft përfitime edhe në aspektin e lehtësimit të tregtisë me vendet tjera.

Kosova, ashtu si edhe vendet tjera të rajonit, synon integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin e Europian dhe natyrshëm edhe në Eurozonë, me çka synojmë të bëhemi anëtar i barabartë me të gjitha shtetet tjera që shfrytëzojnë Euron si valutë zyrtare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Guvernatori i Bankës i jep fund dilemës

A mund të bëhet Leku, monedhë zyrtare e Kosovës?


Kosova një hap më pranë anëtarësimit në KiE,

Petkoviç: Pranimi i Prishtinës zyrtare, gjest armiqësor karshi Serbisë

Vuçiç dhe Dodik trazojnë sërish Ballkanin

Dy liderët bashkojnë forcat për të shpallur “Botën Serbe”

“Serbia do shpallet shtet gjenocidal!”

Deklarata ‘bombë’ e Vulin: Dodik do arrestohet

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe reagon ashpër ndaj KiE

“Anëtarësimi i Kosovës, një gjest armiqësor ndaj nesh”