MENU
klinika

"Amnesty International"

Kandidate për çmimin prestigjioz, 71-vjeçarja nga Turkmenistani

19.01.2021 - 13:41

        As pasioni, as e vërteta nuk sfidohen nga mosha. I tillë është modeli që vjen nga një vend ku, liria e fjalës dhe e mendimit, shihen si të paligjshme. Për një kontribut të palodhur, të drejtë dhe objektiv,  gazetarja nga Turkmenistani renditet në mesin e tre finalistëve për çmimin prestigjioz për të drejtat e njeriut. Kjo, për raportimet nga atdheu i saj, i njohur si një prej vendeve me më pak liri në botë.

Zyrtarët e Çmimit “Martin Ennals” për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, thanë të hënën se zonja Soltan Achilova i dokumenton shkeljet e të drejtave të njeriut dhe problemet sociale që prekin turkmenët dhe jetën e tyre të përditshme.

Juria e përbërë nga 10 grupe të aktivistëve, përfshirë organizatën “Amnesty International”, e njohën punën e Achilovës në një shtet ku, sipas jurisë, liria e fjalës nuk ekziston dhe ku, gazetarët e pavarur punojnë duke vënë veten në rrezik, sipas “Free Europe”.

“Pavarësisht mjedisit shtypës dhe vështirësive personale, ajo është një nga reporterët e paktë në vend, që guxon në nënshkruajë artikuj të pavarur” – thuhet në deklaratën nga ana e jurisë.

Achilova është kontribuuese në faqen e pavarur të lajmeve me bazë në Vjenë, “Khronika Turkmenistana” (“Kronikat e Turkmenistanit”), që merret më shumë me lajmet dhe zhvillimet në Turkmenistan. Në të kaluarën, ajo ka punuar edhe për radion “Evropa e Lirë”.

Gazetarja është përndjekur dhe ka qenën nën presionin e autoritetet shtetërore, që nuk e tolerojnë gazetarinë e pavarur. Ajo është ndaluar nga policia dhe është sulmuar fizikisht nga zyrtarët, bandat, apo individë të paidentifikuar, ndërsa edhe të afërmit e saj, janë përballur me trysni nga autoritetet.

Dy të nominuarit tjerë për këtë çmim, janë mbrojtësja saudite e të drejtave të grave, Loujain Al-Hathloul dhe avokati nga Kina, aktivist për të drejtat e njeriut, Yu Wensheng. Të dy, aktualisht ndodhen në burg, për punën që kanë bërë.

Ceremonia e ndarjes së çmimit prestigjioz, do të ndahet përmes një organizimi online, më 11 shkurt.