MENU
klinika

U desh një vit e gjysmë që të krjoheshin

Këta robotë mund të vallëzojnë si njerëzit!

26.01.2021 - 11:00

Një video ku shihen disa robotë duke vallëzuar është bërë virale.

Kompania e robotëve Boston Dynamics shpenzoi një vit e gjysmë për të krijuar makina që kërcejnë si njeriu.

Robotë që vallëzojnë me ritëm. Kjo është arritja e fundit e njeriut që ka krijuar robotët më të përparuar në botë.

Marc Raibert, themeluesi i kompanisë Boston Dynamics bashkë me ekipin e tij shpenzoi gati një vit e gjysmë për koreografi, simulim, programim dhe avancim të makinerive.

Rezultati janë robotët që mund të vallëzojnë, lëvizjet e të cilëve janë shumë të ngjashme me ato të njeriut.

“Boston Dynamics” publikoi videon ku shihen dy robotë humanoidë, Spot që i ngjason një qeni dhe Handle një robot me rrota që përdoret për lëvizjen e dërgesave në një depo, ndërsa vallëzojnë me hitin e vitit 1962 “Do You Love Me” nga Contours.

“Kemi programuar lëvizje të ndryshme. Siç po e shihni në video, mundësuam lidhjet që krijuan shfaqjen. Dhe në fund koordinuam të gjithë robotët në mënyrë që makineritë të hynin, performonin dhe dilnin nga skena. Duhej të kuptonim se ku do të shkonte kamera në mënyrë që të filmonim”, shpjegon themeluesi i Boston Dynamics Marc Raibert.

Xhirimet u bënë për dy ditë. Videoja u bë virale, duke tërhequr më shumë se 23 milionë klikime në më pak se një javë pas publikimit.

Zoti Raibert thotë se nuk donin krijimin e një roboti që duket se vallëzon, por kërkonin diçka që të dukej reale.

“Kur një njeri vallëzon, trupi, duart dhe koka lëvizin sipas ritmit. Jemi munduar që të përfshijmë të gjitha këto dhe t’i koordinojmë, që të duket sikur roboti po kënaqet me muzikën”, thotë ai.

Kjo është diçka e re për kompaninë që për vite të tëra merret me ndërtimin e robotëve që kanë aftësi për të ecur, ngjitje në terrene të vështira, kapja me duar dhe përdorimi i sensorëve.

Për të mundësuar vallëzimin, makinerive iu përmirësua fuqia, në mënyrë që misioni të realizohej nga fillimi deri në fund.

Ata gjithashtu ngjitën sensorë në këmbët e robotit, në mënyrë që makineritë të kuptojnë se ku është toka.

Ekipi përfshiu edhe disa pajisje të fshehura të brendshme të ngjashme me anatominë e njeriut.

“Robotët posedojnë edhe xhiroskop dhe njësi të matjes inerciale, që është e rëndësishme për ekuilibrin. Kjo është si pjesa e brendshme e veshit të njeriut. Nëse jam duke u rrëzuar, sensorët e mi e tregojnë. Edhe robotët kanë të njëjtën pajisje. Kjo ka shumë rëndësi për ruajtjen e ekuilibrit”, thotë zoti Raibert.

Cilësia e robotëve që vallëzojnë është aq e mirë saqë shikuesit nuk u besonin syve.

Disa duartrokitën lëvizjet e robotëve ndërsa të tjerë vunë në dyshim vërtetësinë e videos.

Zoti Raibert thotë se videoja u komentua edhe nga njëri prej krijuesve të hitit “Do You Love Me”.

“Na telefonoi njëri nga inxhinierët që realizoi origjinalin e këngës në vitet e 60-ta. Ai tha se e gjithë shoqëria e kanë shpërndarë atë dhe ndihen të lumtur”, shpjegon zoti Raibert.

Gati 60 vite më pas, njerëzit nuk janë të vetmit që kërcejnë me këngën.