Mjaftuan vetëm disa orë reshje shiu për të zbuluar një skandal që duket se është i përmasave të mëdha.
Ndonëse janë shpenzuar 13.7 milionë euro për rikonstruksionin e rrugës së Borshit dhe mirëmbajtjen e saj nga ana e kompanisë “Salillari”, vetëm disa orë reshje shiu evidentuan cilësinë e dobët të punimeve.
Shkëputja e masivit të rrugës së rikonstruktuar vetëm një vit më parë rrezikon edhe disa banesa që ndodhen anës saj. Këto ngjarje kanë vënë në lëvizje menjëherë Kontrollin e Lartë të Shtetit që ka futur në lupë tenderin dhe punën e kompanisë “Salillari”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur një grup kontrolli për të verifikuar të gjithë procedurën e realizuar për punimet e kryera përgjatë viteve të fundit në aksin nacional rrugor Himarë-Sarandë pas situatës problematike të shfaqur në fshatin Borsh.
Një ekip i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka nisur menjëherë verifikimin e procedurave të kryera nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar për punimet e kryera pak kohë më parë dhe mirëmbajtjen e saj. Kujtojmë se është hera e parë që KLSH nis kontrolle me urdhër urgjent.
Ekipi i KLSH-së prej ditësh po kryente një kontroll pranë ARRSH-së, ndërsa ditën e sotme është firmosur nga ana e kreut të KLSH-së, Arben Shehut, një urdhër urgjent për të parë me imtësi të gjithë procedurën përkatëse, si dhe verifikimin fizik të punimeve të kryera në të.
Kontrolli i Lartë i Shtetit po verifikon me imtësi gjithashtu dhe procedurat e disa akseve rrugore në vend. Rruga e shembur i përket zonës D, që i përket rajonit jugor Vlorë-Gjirokastër, me gjatësi 350 kilometra dhe me vlerë 13.7 milionë euro, për të cilën u shpall fitues një konsorcium i përbërë nga kompania “Elicatechnical Commerce Societa” dhe kompania “Salillari sh.p.k.”.
Kujtojmë që rruga u rikonstruktua 1 vit më parë dhe “Salillari” do ta mirëmbante. Financimi për të gjitha rrugët në Shqipëri për mirëmbajtjen në total ka qenë 128 milionë euro, nga të cilat 65.9 janë dhënë nga Banka Botërore.