MENU
klinika

Zgjerimi i Greqisë/ Ku qëndron marifet-mashtrimi nga pala greke me Othonoin

Kolonel Pashaj: Kryeministri i Shqipërisë nuk do të pranonte kurrë që…

27.01.2021 - 15:29

Koloneli në lirim, Myslim Pashaj, ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, i kërkon Kryeministrit Rama që të bëjë kujdes me zgjerimin me 12 milje të ishullit Othonoi në detin Jon.

Duke analizuar deklaratat e Kryeministrit grek Mitsotakis dhe ministrit të Jashtëm Dendias si të panegociueshme, zgjerimin me 12 milje, kolonel Pashaj shprehet se zgjerimi duhet bërë mbi bazat e parimit të Ekite-së dhe duke marrë për bazë faktorët gjeografikë. Por ai sheh dhe një qëndrim aspak korrekt të Greqisë përballë Shqipërisë në lidhje me zgjerimin me 12 milje në ishullin Othonoi, duke bërë një ballafaqim edhe të marrëveshjes së Greqisë me Italinë.

“Që në maj të vitit 2009, unë e kam ditur se Italia dhe Greqia në vitin 1977, nuk lejuan që Othoni, Qefalonia dhe Shtrofades të shtriheshin në 12 milje, por në 60% të kësaj shtrirjeje. Pra, ky është precedent i parë i krahasimit. Por edhe me faktet më të fundit: Italia, Egjipti dhe Turqia nuk kanë pranuar efektin e plotë të ishujve në zgjerimin e Detit Territorial”, shprehet për gazetën “Panorama” koloneli në lirim, Myslim Pashaj.

Kolonel, pas miratimit në Parlamentin grek për zgjerimin e saj në ujërat detare me 12 milje, duket se ka një heshtje, nuk diskutohet asgjë. Duhet t’i ruhemi kësaj heshtjeje, ka diçka që lexuesi duhet të dijë nga pasojat e këtij zgjerimi dhe pse Kryeministri Rama e ka pranuar këtë si e drejtë që rrjedh nga konventa e Montego Bay e 1982?

Ju keni të drejtë. Edhe unë e kam ndjekur në çdo hollësi detare për këtë diskutim me vlerë kombëtare, duke mos harruar kurrë se ç’ndodhi në vitin 2009 dhe si e përballuam në ekspertizë 12 vjet më parë, kur nuk e kishim këtë njohje dhe këtë përvojë që kemi sot. Unë kam qenë anëtar i Grupit të Palës në Gjykatën Kushtetuese, si ekspert i Partisë Socialiste. Kështu që jam po aq i interesuar, se ç’po ndodh sot!

Ishulli Othoni që është kreu i grumbujve të ishujve të Jonit të Veriut, me sa kuptohet nga Diskutimi dyditor në Parlamentin grek, ku është votuar me ligj për zgjerimin nga 6 në 12 milje detare e Detit Territorial, lë të kuptohet se ishulli Othoni e ka marrë të plotë Detin Territorial në 12 milje detare. Është kështu?

I gjithë opinioni shqiptar ka ndjekur “se është e drejta e saj (e Greqisë) në bazë të UNCLOS-82, që të shtrijë Ujërat Territorialë nga 6 në 12 milje. Këtu ngjan sikur nuk ka asgjë shqetësuese, por brenda saj lëvrin një marifet mashtrimi nga pala greke. Ajo ka kërkuar nga pala shqiptare që të pranojë të njëjtën terminologji. Pra të thuhej edhe nga pala jonë termi shëronjës diplomatik, në fjalën “i panegociueshëm”. Dhe kjo u deklarua nga Kryeministri Edi Rama, duke bërë një shtesë fundore të termit “duke marrë për bazë faktorët gjeografikë”.

Unë këtë e konsiderova të rëndësishme, sepse Shqipëria do të kërkonte një negocim njohës të ndërsjellët, që do t’u kujtonte fqinjëve jugorë kur të vinte fundi i marrjes së vendimit zyrtar se nuk duhet të harrohej edhe efekti i ishullit Othoni, po edhe ishujve të tjerë, të cilët marrin zgjerim… por aq sa u takon në bazë të principit dhe parimit të barazisë dhe ndarjes së drejtë…( e parashikuar në UNCLOS-82). Më pas edhe në një dalje të Cakajt u përdor një term, paksa më i ftohtë “atje ku e lejon gjeografia”.

Mirëpo ministri i Jashtëm grek, Dendias, një ditë para diskutimit në Parlament e përsëriti termin “e panegociueshme” duke e shoqëruar jo pa qëllim këtë deklaratë dhe me qëndrimin e Kryeministrit Rama për të drejtën ndërkombëtare të Greqisë. A nuk ju duket se kjo heqje e Koloneli në lirim, Myslim Pashaj, ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, i kërkon Kryeministrit Rama që të bëjë kujdes me zgjerimin me 12 milje të ishullit Othonoi në detin Jon. faktorëve gjeografikë e ka bërë Greqinë shumë të suksesshme ndaj Shqipërisë, për realizimin e saj dhe në Parlament, ku do të çohej Projektligji i paplotë!?

Mos u shqetësoni, se Kryeministri i Shqipërisë nuk do të pranonte kurrë që në terminologjinë diplomatike të tij, të bëhej thënës dikush tjetër. S’mund ta besoj kurrë! Sipas burimeve të mia si një ekspert i pavarur, kemi informacionin real se Kryeministri u ka kujtuar personaliteteve greke, atë veçori që ka zgjerimi i Detit Territorial në ishullin Othoni “se ai do të përfitojë zgjerim, në bazë të vlerësimit tekniko-ligjor që i bëhet këtij ishulli në bazë të principit të Ekitesë”. Këtu është edhe vendimi aq i qartë i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Por mos harrojmë edhe deklaratën e Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis në Parlament se “Greqia nuk mund të negociojë Integritetin e saj Territorial”. Dhe kjo nënkupton, se ishullit Othonoi të drejtën prej 12 milje ia jep ky integritet, me të cilën nuk luhet. Mendoni se kjo deklaratë është një paravendosje nga ana e Greqisë se parimi i principit të Ekites-së nuk do të realizohet te ky ishull, duke i lënë atij të plotë hapësirën prej 12 miljesh?

Gjithçka mund të ndodhë, por kjo që përfytyroni ju s’mund të ndodhë! Në vitin 2009, Deti Territorial i ishullit Othoni, ishte brenda ndarjes detare sipas parimit të vijës së mesme. Pra, ajo marrëveshje që tani është e rrëzuar (por që citohet si fakt historik) iu dha Greqisë, ku Shqipëria humbi Integritetin Territorial të saj, po aq shumë humbje në ZEE (Zonën Ekskluzive Ekonomike). Kryeministri ka qenë ai që e çoi në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje, e cila u hodh poshtë. Ky Kryeministër nuk mund të bëjë të njëjtën vepër për të cilën ai mbahet mend dhe që ka luftuar për ta realizuar në të mirë të Shqipërisë.

Kolonel, informacionet që vijnë nga mediat greke janë të mbushura me hollësira, të cilat mbase zyrtarët e Ministrisë sonë të Jashtme mund të mos i dinë. Kështu po të krahasohemi me Italinë, ne dalim shumë të pabarabartë në shtrirje të Detit Territorial në 12 milje, sepse Italia nuk ka lejuar që i njëjti ishull, Othoni, të marrë Detin Territorial deri në 12 milje që në vitin 1977 kur është bërë marrëveshja e delimitimit. Ndërsa edhe tani më 30 dhjetor 2020 ja se ç’thuhet: “Italia ka vënë kusht se për ligjin e zgjerimit të Detit Territorial, duhet marrë miratimi i Romës”( Balkans.eu). Përse Shqipëria nuk e ngre zërin për këtë trajtim me dy standarde për Othonoi nga ana e Greqisë?

Unë nuk jam as politikan dhe as diplomat. Këto 12 vjet si një ekspert i pavarur, por që më vonë u bashkova me ekipin socialist, kam mbajtur linjën time teknike si hartograf dhe gjeograf ushtarak. Që në maj të vitit 2009, unë e kam ditur se Italia dhe Greqia në vitin 1977, nuk lejuan që Othoni, Qefalonia dhe Shtrofades të shtriheshin në 12 milje, por në 60% të kësaj shtrirjeje. Pra, ky është precedent i parë i krahasimit. Por edhe me faktet më të fundit: Italia, Egjipti dhe Turqia nuk kanë pranuar efektin e plotë të ishujve në zgjerimin e Detit Territorial.

Po kështu edhe sipas një burimi tjetër, Greqia “ka bërë lëshime në bisedime me Egjiptin, për ndikim të reduktuar të ishullit Kreta (ishull në detin Egje) si dhe të Rodosit. Këto s’ka se si mos t’i dijë Kryeministri Edi Rama. Por, mos prisni ndonjë gjë të veçantë prej meje, por ama veçori teknike dhe ligjore, të cilave unë iu besoj si të vërteta të shenjta, ato do t’i përsëris me forcë dhe kudo qoftë, veçse mos të harrojmë se sikur te kjo bashkësi tekniko-ligjore të fusë hundët politika pa u mbështetur në shkencë dhe ligj, atëherë s’keni pse të më pyesni! Kanë qenë nja 17 anëtarë të Grupit Negociator, ka disa institucione gjeoshkencore, universitete, të cilat janë në vijën e parë të studimit, por që nuk janë pyetur, ata duhet të rrezatojnë sigurinë dhe vërtetësinë, për të cilat ka nevojë shteti ynë modern.