MENU
klinika

Eliminatoret e Europianit

Kombëtarja U-21 “peshkon” sërish Kosovën

28.01.2021 - 13:33

Ekipi ynë kombëtar Shpresa është përsëri në një grup me Kosovën. Në shortin e hedhur të enjten për eliminatoret e Europianit 2023, Kombëtarja U-21 do të jetë me 3 nga skuadrat që kishte edhe në eliminatoret e Botërorit.

Përveç përfaqësueses së Kosovës, kuqezinjtë 21-vjeçarë do të luajnë sërish me Anglinë dhe Andorrën. Ndërsa plotësojnë grupin Republika Çeke dhe Sllovenia. Në eliminatoret e fundit Shqipëria zuri vendin e tretë në grup, pas Anglisë dhe Austrisë, duke lënë pas Turqinë, Kosovën dhe Andorrën.

Një paraqitje e mirë për të besuarit e Alban Bushit, që ngjitën edhe një vazo. Kualifikimi për në fazën finale do të jetë i vështirë, pasi Anglia është një nga pretendentët për të fituar Europianin e jo më për të kaluar grupin.

U21 Shqiperi-Kosove

Shorti i ndau skuadrat në tetë grupe me nga gjashtë secili dhe një me pesë. Ndeshjet e para do të luhen në muajin mars, ndërsa të fundit në muajin qershor të vitit të ardhshëm.

Nëntë fituesit e grupeve dhe skuadra e dytë më e mirë, pa llogaritur rezultatet ndaj ekipeve të vendit të gjashtë, do të kualifikohen në turneun përfundimtar. Tetë ekipet e tjera të renditura në vendin e dytë do të luajnë në play-off për katër vende. Gjeorgjia dhe Rumania kualifikohen direkt si pritës të Europianit U-21, duke plotësuar 16 skuadrat e fazës finale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN