6 janari shënon Ditën e Ujit të bekuar për besimtarët ortodoksë.
Për shkak të pandemisë tradita shekullore e hedhjes së kryqit në ujë dhe kapja e saj nga besimtarët për të marrë bekimin për këtë vit do të mungojë në qytetin e Korçës, por jo në Berat.
Shmangia e grumbullimeve ka bërë që kjo traditë të anulohet për këtë vit në Korçë, ndërsa mesha e ujit të bekuar për besimtarët u zhvillua në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë në orët e para të mëngjesit, ku ishin të pranishëm disa besimtarë.
Pasi marrin ujin e bekuar në kishë sipas traditës besimtarët spërkatin pragjet e shtëpisë duke uruar bekime dhe mbarësi.
Por pandemia nuk ka penguar këtë traditë në qytetin e Beratit, ku me dhjetëra besimtarë janë mbledhur për të bekuar qytetin me ujë si dhe ku po zhvillohet ceremonia e hedhjes së kryqit.