Dy shtetet shqiptare në Ballkan, si kurrë më parë janë në të njëjtën kohë, në fushatë elektorale për zgjedhjet e reja parlamentare. E kjo veç të tjerash, na ndihmon që të bëjmë një krahasim më pak çalues, përsa i përket pikave të përbashkëta dhe se ku ndryshon “Shën Valentini” i Kosovës, nga 25 prilli i Shqipërisë.
Kristalizimi i aleancave dhe koalicioneve partiake, në të dyja anët e kufirit formal mes dy vendeve tona, ta jep tani këtë mundësi. Vulën ia vuri firmosja e marrëveshjes mes Kryetarit të Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe udhëheqëses së Nismës “Guxo”, duke u angazhuar që të garojnë sëbashku. Sipas saj, Albin Kurti do të kandidojë për postin e Kryeministrit, ndërsa Vjosa Osmani për atë të Presidentes së vendit.
Pika që i bashkon aleancat parazgjedhore, si në Tiranë ashtu dhe Prishtinë, është se sfiduesit që synojnë rikthimin në pushtet janë më pranë njëri tjetrit politikisht. Qenia në opozitë e partive të tyre dhe në Presidencë e Ilir Metës dhe Vjosa Osmanit, është njëra anë. Kryesorja, është se kohët e fundit, kanë ardhur duke I parafruar si kurrë më parë qëndrimet e tyre në skenën politike mbarëkombëtare.
E pikërisht, këtu ku duket se ndodhet pika më e fuqishme që i bashkon, është edhe pika më e dobët e kufirit që i ndan ata jo thjeshtë si programe, si filozofi, si kahje në spektrin politik, si qasje, si frymë apo si gërmë. Mbi të gjitha, si ofertë reale elektorale për të ardhmen e Shqipërisë dhe Kosovës.
Nëse Albin Kurti u tha me krenari gazetarëve krah Vjosa Osmanit se “këtij binomi që keni para jush i përket e ardhmja” në Kosovë, e sigurtë është se Sali Berisha dhe Ilir Meta janë një binom që u përket e shkuara në Shqipëri.
Të qenurit e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit të rinj edhe në moshë edhe si pjesë e elitës së re politike të Prishtinës, është një avantazh për ta, në raport me elitën e vjetër të mbi dy dekadave të pas luftës. Qoftë kjo jo vetëm në raport me Kryetarin e LDK Isa Mustafa, por edhe me ish komandatët e UÇK të shndërruar në liderë politikë. Pa harruar që një pjesë e tyre, këtë radhë ndodhen në Gjykatën e Hagës, në pamundësi qoftë edhe fizike për të qenë pjesë active e kësaj fushate elektorale në terren.
Pikërisht këtu qëndron edhe kontrasti më i madh, mes koalicioneve opozitare në Tiranë dhe Prishtinë, liderët e të cilave ndodhen dukshëm në pozita diametralisht të kundërta me njëra tjetrën. Sepse si Sali Berisha ashtu dhe Ilir Meta kanë prej 30 vitesh që janë pjesë e një elite të vjetër politike në Shqipërinë postkomunistë, të cilat në vendet e tjera të ish Lindjes Komuniste, kanë dalë prej shumë e shumë vitesh nga skena e madhe, duke i hapur rrugën të rinjve.
Ndaj nëse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do ta përdorin pozitën e tyre politike në raport me të shkuarën,- siç edhe po bëjnë,- ata do të jenë më të avantazhuar në zgjedhjet e 14 shkurtit për të ardhmen politike në Kosovë. E nëse oferta kryesore politike e PD dhe LSI për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, është e shkuara e Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit kuptohet që ky është edhe disavantazhi më i madh që ka opozita në Shqipëri në përpjekjet e saj për tu rikthyer pas 8 vjetësh në pushtet.
Tirana elektorale e pranverës së vitit 2021, nuk ka asnjë prurje të re, në lidershipin politik opozitar. Të njëjtët që ishin në 2013 në pushtet, të njëjtët janë edhe sot, që presin të rikthehen sërisht: Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Dashamir Shehi, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, Agron Dura dhe katërshja e pandryshueshme në krye të PD dhe LSI.
Në këto kushte nëse në Kosovë kali i betejës elektorale mbetet lufta mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes elitës së vjetër dhe të re politike, mes liderëve të vjetër dhe liderëve të rinj, në Shqipëri sfida është e një lloji krejt tjetër gati gati në kufijtë e një sfide unikale.
Këtë radhë kali i betejës elektorale në Tiranë, mbetet ndarja njëherë e përgjithmonë nga liderët e vjetër të post komunizmit, për ti hapur edhe këtu rrugën liderëve të rinj politikë dhe riformatimit të opozitës. Kjo do të thotë se nëse në Kosovë fitorja me shumë gjasë do i buzëqeshë Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, në Shqipëri e vetmja alternativë mbetet, fitorja e mandatit të tretë nga PS dhe Kryeministri Edi Rama.