MENU
klinika

"Albanien"

Kur gjermanët ëmbëlsoheshin me çokollatat “shqiptare”

31.01.2021 - 10:35

        Pamjet mjaft interesante dhe të rralla, vijnë nga Hamburgu, Gjermani, kur jeta shqiptare në vitet 1900, pasqyrohet në ambalazhin e çokollatave të kompanisë “Gartmann Schokolade”.

Bëhet fjalë për gjashtë seri ambalazhi, ku shihet jeta e shqiptarëve në ato vite, në zona si Durrës, Malësi e Krujë. Nuk dihet ende, se kush është autori i këtyre pikturave, por ato janë në një nga katalogët e atëhershëm të kompanisë, ku krahas serisë me jetën në Shqipëri, janë ato në Arabi, Austri etj.


Në atë periudhë, kompania e çokollatave madje nxirrte dhe albume të ndryshme, me titullin “Libri i çokollatave”, prej nga mendohet të jenë shkëputur dhe këto fotografi.

Sipas shpjegimit nga ana e kompanisë, megjithëse i paspecifikuar, ky mund të jetë botimi i parë, rreth viteve 1916-1923.

Gartmann është një kompani tradicionale e Hamburgut, që njihet prej vitit 1810 dhe tanimë gëzon brezin e gjashtë dhe të shtatë.

Produkti kryesor i kësaj kompanie janë kurorat e pemës së Krishtlindjes Gartmann, që janë bërë nga çokollata e zezë të spërkatur me “nonpareille” të bardhë ose të kuq (rozë). Nonpareille (e pakrahasueshme) i jep shijes së lehtë të çokollatës edhe një nuancë pak të ëmbël, duke ndërthurur cilësinë me traditën dhe pasionin.