MENU
klinika

“Shkelmat e fundit të atyre që e kapën shtetin”

Kurtit iu ndalua të kandidojë/ Reagon VV

20.01.2021 - 16:30

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar, pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka dorëzuar KQZ-së listën e kandidatëve të cilët kanë probleme me ligjin dhe nuk mund të kandidojnë në zgjedhje.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se këto janë “përpjekjet dhe shkelmat e fundit të atyre që e kapën shtetin dhe atyre që i shërbyen shtetit të kapur”.

“Albini, gëzon mbështetje shumë të madhe qytetare dhe kjo mbështetje është e pakontestuar prandaj qytetarët me të drejtë janë të shqetësuar për tendencat e qëllimshme për largimin nga lista të Albinit! Në shtetin e kapur, kështu ndodhë! Këto janë përpjekjet dhe shkelmat e fundit të atyre që e kapën shtetin dhe atyre që i shërbyen shtetit të kapur”, shkruan Haxhiu.

Janë 47 kandidatë nga rreth 1 081, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit, ndërsa Telegrafi ka mesuar se në mesin e këtyre kandidatëve është edhe Albin Kurti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër.

Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është bërë e ditur se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit.