MENU
klinika

Nga Sandër Lleshaj

Kush dështon në opozitë nuk mund të ketë sukses në pozitë!

27.01.2021 - 20:41

Si përpara çdo zgjedhjeje, prishmëritë janë të të mëdha edhe për 25 prillin.

Pozita pret mandatin e saj të tretë. Opozita pret mandatin fort të ëndërruar, me të cilin do të realizojë republikën e re të mbetur ende në tentativë. Të tjerët presin atë që as vetë nuk e dinë.

Në këto kushte, për secilin shtrohet pyetja se nga duhet t’ia mbajmë më 25 prill, për çfarë të votojmë, apo, më thjesht, për kë të votojmë?

Në demokracitë e reja si kjo e jona, zgjedhjet përfytyrohen me ngjyra të ndezura e tone folklorike. Ato vishen me metafora të mëdha, por pa arritur të përkufizohen saktë, apo të kuptohen drejt. Disa i shohin ato si festë e madhe e demokracisë, si manifestim popullor, etj..

Në një kuptim më të thjeshtë dhe larg metaforave, zgjedhjet duhet të jenë dita më e rëndësishme, kur qytetarët kanë mundësinë të GJYKOJNË të gjithë ata që kërkojnë votën e tyre. Zgjedhjet janë një ditë gjyqi, ku qytetarët janë në rolin e jurisë që merr vendimin e madh.

Kë duhet të gjykojmë në ditën e zgjedhjeve?

Të gjithë: qeverinë, opozitën dhe rishtarët.

Qeverinë dhe opozitën duhet t‘i gjykojmë ftohtë dhe rreptë për të gjitha gjërat që kanë bërë dhe për ato që duhej të kishin bërë. Për arsye se këto të dyja kanë histori, ato duhen gjykuar pikërisht për historinë e tyre. Përmes historisë së tyre, ne mund të arrijmë të kuptojmë se çfarë do të na ofrojnë ato në të ardhmen.

Si në rastin e qeverisë, ashtu edhe të opozitës, është i panevojshëm vlerësimi apo gjykimi për fjalët e tyre, që në trajtë të ndërlikuar quhen programe.

Gjykimi për programet është gjykim për premtime të bukura, por që ende nuk kanë kaluar testin e të vërtetës, që është realiteti, përballë të të cilit shpesh herë ato shkërmoqen pa arritur kurrë të sendërtohen.

Gjykimi për veprat, apo për historinë, është objektiv, ndërkohë që gjykimi për fjalët, apo për programet, është subjektiv.

Sa i përket rishtarëve, atyre që shfaqen realisht për herë të parë në zgjedhje, situata ndryshon në njëfarë mënyre. Si subjekte të reja politike, ato nuk kanë histori, kështu që i vetmi gjykim mbi to mbetet ai i fjalëve të tyre, apo programeve. E vetmja mundësi për një qasje objektive në rastin e rishtarëve është gjykimi edhe mbi historitë personale të protagonistëve të tyre, pasi, edhe pse subjektet përkatëse nuk kanë histori, anëtarët e tyre në shumë raste e kanë një të tillë.

Në fund të fundit, një gjykim i saktë është ai që bazohet mbi faktet dhe faktet janë histori. Gjykimi mbi idetë apo premtimet është thjesht iluzion, praktikisht i pa dobishëm

1.Si ta gjykojmë qeverinë?

Mund të merremi me shumë detaje për të gjykuar qeverinë aktuale më 25 prill dhe të harrojmë shumë të tjera, pozitive apo negative.

Por, sipas mendimit tim, për një gjykim të drejtë prevalojnë në dy fakte apo ngjarje madhore, me frekuencë shfaqjeje shekullore dhe me rëndësi historike. Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e 2020-ës janë dy momentet themelore për të cilat duhet të gjykohet qeveria. Unë mendoj se përballimi i këtyre ngjarjeve e ka vendosur qeverinë në një pozitë unike. Gjatë historisë së shtetit shqiptar, shumë pak qeveri janë vendosur në një situatë të ngjashme për të menaxhuar pothuajse në mënyrë simultane kriza të këtyre përmasave.

Secili është i thirrur të arsyetojë vetë dhe të krijojë gjykimin e tij për punën e qeverisë gjatë këtyre situatave. Janë me mijëra shqiptarë të prekur nga tërmeti apo pandemia dhe ata e kanë një notë personale për qeverinë në këtë çështje.

Unë, si një aktor dhe dëshmitar i përpjekjes së qeverisë për përballimin e tyre, mendoj se puna e bërë ka qenë e jashtëzakonshme.

Pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, angazhimi i qeverisë dhe i gjithë strukturave shtetërore ishte i nivelit historik, jo vetëm për shpëtimin e jetës së qytetarëve të prekur, por sidomos për trajtmin dinjitoz dhe shumë human të tyre.

Vendimi për strehimin në hotele apo apartamente me qera të të gjithë personave të dëmtuar është një akt madhor, i guximshëm dhe i pa precedent, që i bën nder qeverisë.

Mobilizimi i buxhetit të shtetit dhe i mbështetjes së pazakontë ndërkombëtare për një program gjigand rindërtimi, krejt të panjohur për nga përmasat në Shqipëri, është një tjetër tregues i vlerësimit dhe i menaxhimit shumë të mirë të njërit prej momenteve më të vështira të historisë sonë të re, ku meritat e qeverisë dhe posaçërisht të Kryeministrit Rama janë të padiskutueshme. Asnjë qeveri në tri dekadat e fundit nuk ka ndërtuar kaq shumë banesa, shkolla dhe objekte të tjera publike sa ato që po ndërtohen gjatë dy viteve të fundit.

Situata e krijuar nga pandemia gjatë vitit 2020 ishte një tjetër test i rëndësishëm i qeverisë, i cili deri tani është kaluar me sukses. Vlerësimi i kujdesshëm i gjendjes dhe vendimmarrja e bazuar në rekomandimet shkencore, kanë bërë që Shqipëria të ketë tregues relativë mjaft inkurajues në këtë drejtim, duke mbajtur parasysh që furia e pandemisë ka sfiduar keqaz edhe vende shumë të zhvilluara dhe të fuqishme. Jetët e shpëtuara dhe shmangia e kolapsit ekonomik janë tregues me shumë rëndësi për këtë.

Sigurisht që ka shumë tregues të tjerë për të cilët mund të gjykohet qeveria, por unë mendoj se tërmeti, pandemia dhe lehtësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve përmes platformës e-albania janë të mjaftueshëm për t’i vënë asaj një notë pozitive, e cila justifikon edhe besimin për një mandat tjetër.

Qeveria është testuar në ngarkesë shumë të lartë dhe e ka kaluar me sukses atë, ndaj vijimi i mandatit është krejt i justifikuar dhe i arsyeshëm.

2.Si të gjykojmë opozitën?

Ndërkohë që qeveria gjykohet për administrimin e vendit, opozita gjykohet për kryerjen e detyrës së saj përballë qeverisë?

Nëse për qeverinë u përpoqa të shkurtoj analizën përballë morisë së çështjeve që mund të trajtohen, për opozitën e kam shumë e vështirë që të zgjatem për mungesë lënde.

Në një kohë kur qeveria bëri disa gjëra të mëdha pozitive me impakt historik, opozita bëri disa gabime të rënda, po ashtu me impakt historik.

Thënë shkurt, me vendimin për braktisjen e Kuvendit dhe djegien e mandateve të përfaqësimit opozita regjistroi një precedent krejt të rrallë historik. Duke dalë nga Kuvendi, ajo doli nga roli që kishte në sistemin kushtetues të vendit dhe la pa përfaqësim politik një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve shqiptarë, të cilët kishin deleguar tek ajo fuqinë e tyre të vendimmarrjes.

Bojkotimi absurd edhe i zgjedhjeve vendore, la të pa përfaqësuar shumë shqiptarë edhe në qeverisjen vendore, duke e bërë të pamasë dramën e opozitës.

Krahas mungesës historike në sistem, opozita inkurajoi, nxiti, drejtoi dhe organizoi një vit të tërë aktesh masive të dhunës kundër institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike, duke kërcënuar kështu seriozisht paqen sociale, stabilitetin, ekonominë dhe agjendën integruese të vendit.

Për ata që ende kanë ndonjë paqartësi se si klasifikohen aktet e dhunës ndaj institucioneve kushtetuese të një vendi demokratik, do të ishte e nevojshme të konsultohen me trajtimin që po u bëhet ngjarjeve të fundit në Kongresin e SHBA.

Fakti që, pas tri vjetësh jashtë sistemit, opozita do t‘i rikthehet atij në prill, pa ndonjë ndryshim substancial në të, provon qartë dështimin, kotësinë dhe absurditetin e gjithë përpjekjes opozitare.

Sipas mendimit tim, dështimi i opozitës për të kryer detyrat elementare në kuadër të sistemit kushtetues e jusifikojnë plotësisht vlerësimin negativ për rolin e saj.

Në këtë kontekst, mendoj se nuk mund t’i besohet përgjegjësia për të qeverisur dikujt që ka dëshmuar se nuk di të bëjë as opozitën.

Kush dështon si opozitë nuk mund të premtojë sukses si pozitë.

3.Dy fjalë për rishtarët

Sigurisht që skena politike ka përherë nevojë për të prurje të reja, me kusht që këto të jenë realisht të reja. Dhe me këtë nuk nënkuptoj thjesht moshën e re të protagonistëve, por, në thelb, inovacionin e qasjes politike.

Për fat të keq, zhurma më e madhe nga kampi i „të rinjëve“, vjen nga ata që deri dje popullonin pjesën fundore të listave të partive që braktisën Kuvendin, duke mos premtuar kështu realisht asgjë të re. Debutimi i tyre në Kuvend, me disa përjashtime të respektuara, vetëm sa ekspozoi edhe një herë keq përpara publikut papërgjegjshmërinë politike të atyre që i kishin nominuar, por nuk solli ndonjë dobi të shtuar publike.

Në shumë aspekte, rishtarët e sotëm, në thelb, nuk janë aspak të tillë dhe për këtë arsye nuk mund të përfitojnë nga avantazhi i të rinjëve për t’u gjykuar për idetë apo projektet politike. Në shumicën e rasteve ata kanë histori politike të pasuksesshme dhe, për këtë arsye, vlerësimi për ta nuk mund të jetë pozitiv.

Përse Basha nuk e ka vendosur në program?!

Ylli Pata: “Çështja çame” e 25 prillit si parodi

“Të trija janë të mira”/ Mjeku Fauci thirrje amerikanëve:

“Merrni një nga vaksinat e aprovuara. Unë do të merrja…”

Apeli i ministrit të Shëndetësisë: Kur të merrni një telefonatë…

Mbi 20 milionë të vaksinuar në Britaninë e Madhe

Ministria e Shëndetësisë publikon shifrat: U regjistruan...

Rritet sërish numri i personave që kanë humbur jetën nga Covid

Eksperti thirrje Merkel: Rekomandoni përdorimin e saj

“Vaksina e AstraZeneca mbron edhe të moshuarit”

Nga Washington Post/ Gjashtë mënyra

Si Covid-19 mund të diktojë të ardhmen tonë?