MENU
klinika

Performuan në ceremoninë e betimit të Joe Biden

Lady Gaga dhe J.Lo në qendër të vëmendjes

21.01.2021 - 12:42

Lady Gaga dhe Jennifer Lopez ishin dy nga artistet e përzgjedhur për të performuar në inaugurimin e Presidentit të 46-të të SHBA-ve, Joe Biden. E para që u ngjit në skenë për të performuar ishte Lady Gaga, që duhet thënë se pati edhe peshën më të madhe. Artistja e famshme performoi me bandën e marinës amerikane himnin kombëtar.

Ajo kishte zgjedhur që në këtë ditë speciale të vishte një fustan dyngjyrësh, i zi në pjesën e sipërme dhe i kuq e paksa i fryrë poshtë. Këngëtarja performoi me një mikron prej floriri dhe në xhaketën e saj kishte vendosur po ashtu një pëllumb prej ari.

Kjo është një ditë paqeje për të gjithë amerikanët. Një ditë për dashurinë, jo urrejtjen. Një ditë për pranimin dhe jo frikën”, shkroi Gaga në rrjete sociale për ditën e inaugurimit.

Ndërsa Jennifer Lopez performoi “America the Beautiful”, pak pasi Kamala Harris bëri betimin e saj si zëvendës presidente. Artistja kishte vendosur që të vishej e gjitha me të bardha. Ndërkohë që ishte në skenë, Jennifer u shpreh në spanjisht: “Një komb, me liri dhe drejtësi për të gjithë”.

Për shkak të kushteve të pandemisë këngëtarët performuan përpara një grupi shumë të vogël njerëzish, politikanë dhe familjarë të tyre, të gjithë të maskuar. Pas betimit të Biden performoi edhe këngëtari i muzikës country, Garth Brooks.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Qava në divan për ditë të tëra”!

Lady Gaga rrëfen si i ndryshoi jeta pas përdhunimit