MENU
klinika

Shkrimi si pasojë...

Leonardo Shasha: interpretuesi i dykuptimësisë së jetës

08.01.2021 - 16:06

        Si sot një shekull më parë, lindi një nga mendjet më të mprehta dhe më të kthjellëta të gjysmës së dytë të shekullit XX të Italisë: Leonardo Shasha (8 janar 1921), polemist dhe gazetar, një eseist i shkëlqyer, një antikonformist, por jo në nivele intelektuale apo qëndrime snobiste si elitë kulturore, përkundrazi sa i përket mënyrës së arsyetimit dhe të menduarit, ishte gjithnjë një hap para krahasuar me të tjerët.

Në ditët e sotme, po lartësohet shumë prej atyre që e sulmuan sa i përket angazhimit civil. Madje, disa e konsideronin gati armiqësor ndaj Falkones dhe Borselinos. Mirëpo, në vend të kësaj, siç shprehej Italo Kalvino “është ai puls moral që nuk dështon kurrë”, mbrojtja e ligjit dhe arsyes, konfirmuar kjo nga çështja Tortora te Moro, nga pushteti politik te mafia… /Konica.al/Realiteti luan përherë në fill të dyshimit. Faktet, kronikat, mjediset, vetë peizazhet te Shasha mbeten pezull në brendësi të një pritjeje që përfshin jetën e përditshme dhe misterin. Në jetë gjithmonë ekziston misteri, por edhe në histori. Si rrjedhojë, disa fakte që i historizon Shasha jetojnë në mister-enigmë, sepse e vërteta është e panjohur ose sepse e vërteta është gjithmonë ndryshe nga ajo çfarë mendojmë. Dhe Shasha nuk tregon vetëm për epokën e tij. Personazhet që enden nëpër faqe, bëhen protagonistë, por edhe dëshmitarë, dëshmitarë të tyre, por edhe dëshmitarë që mbledhin dëshmitë e një epoke.

Leonardo Shasha, shkrimtar neoiluminist dhe trashëgimtar i vetëdijshëm i Didërosë?

Leonardo Shasha, shkrimtari i përsosur i angazhimit civil?

Leonardo Shasha, shkrimtar i antimafias dhe kaosit politik të viteve pesëdhjetë, gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë?

Leonardo Shasha, shkrimtari i dhënë pas racionalizimit më ekstrem të realitetit?

Këto janë disa nga këndvështrimet më të konsoliduara rreth autorit siçilian të “Todo Modo” dhe “Dita e kukuvajkës”, por jo më më i paepuri në nxjerrjen në pah të natyrës së vërtetë si rrëfimtar. Ç’është e vërteta, mbase të tilla paragjykime pozitive nxisin një pamje mashtruese të krijimtarisë, madje deri në marrëdhënien e tij me politikën. Shasha është para së gjithash, poet e tregimtar. Ai ishte, mbi të gjitha, në mënyrën e gjithë shkrimtarëve të mëdhenj, një interpretues i dykuptimësisë, që me sa duket qëndron po ashtu në themel të instancave për të përcaktuar lehtësisht, se ç’është politika, padrejtësia, mafia, ligjet e jashtëzakonshme abuzive, korrupsioni dhe Shteti i ligjit. Pra, të flasësh për Shashën si një shkrimtar militant është pa dyshim thelbësore, mirëpo po aq thelbësore është të sjellim në kujtesë se Shasha ishte dhe mbetet një adhurues i poezisë si shprehje e ambivalencës së qenies njerëzore, të gjërave, historisë dhe vetë natyrës njerëzore. Në këtë kuptim, “poeti” i Racalmutos është një naturaliter në shtratin e madh të kulturës së shekullit XX dhe, së fundmi, është më shumë se një neoiluminist, shumë më shumë sesa shpirti dhe kontradiktat e tij, i njeriut si qendër e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të pandreqshme, sesa të qenit një shkrimtar i përgjegjësisë civile ose ndërhyrjes së pastër politike. /Konica.al/Kjo epërsi e dhuntisë poetike është ndoshta elementi që karakterizon më së miri perceptimin e realitetit të tij. Kudo që dikush do të dëshironte që të ishte një shkrimtar i premtimeve, do gjente kryesisht një shkrimtar të gremisjes. Dhe ku poezia, po edhe proza therëse dhe intense, frazeologjia absolutisht mimike në lidhje rrëfimin e rrethanave, na tregojnë se konflikti është vetë matrica e modernes dhe bashkëkohores – dhe se ikja nga ky konflikt është e barabartë me shmangien e të njëjtave këshillave që poezia pretendon për veten, në shprehjen revolucionare të rrëfimit si orientues: rrëfimi që tregon të vërtetën dhe drejtësinë jo si konkluzion, por si udhëtim, jo ​​si absolut, por si kërkim, jo ​​si ideologji, por si inisiativë morale. Shasha nuk qe asnjëherë një retorik i së vërtetës, përkundrazi ishte adhurues i së vërtetës, si përgjegjësi dhe si aventurë e shpirtit. Kësisoj Shasha i kërkon lexuesit ta bëjë zgjedhjen bazuar në ndërgjegje, por jo në mënyrë që ata t’i përkushtohen kësaj apo asaj partie, por në mënyrë që ata të kuptojnë detyrën e tyre për të ndërmjetësuar moralisht midis pretendimeve të së vërtetës (autoritarizmi i së vërtetës së të tjerëve) dhe ndjeshmërisë së tyre si njerëz të lirë. Siç shprehej edhe vetë, me moton e marrë nga Sën-Ekzyberi: “Nuk duhet të mësojmë të shkruajmë, por të shohim. Shkrimi është pasojë”.

Shasha bëhet këngëtari i parë i historisë siçiliane dhe brenda një kohe të shkurtër përpiqet të rrëfejë, gjithnjë e më me guxim, nga koha në kohë, konfliktin midis mafies dhe shtetit, tensionet e shumta që gjallëron politikën e viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë, konflikti midis një Italie të përhumbur në kriminalitet dhe një Italie paralajmëruese të dinjitetit dhe sensit qytetar dhe luftës së përditshme për liri. U përpoq të konfirmonte se çdo letërsi e vërtetë në themel është gjithmonë iluministe, por postiluministe, eo ipso moral, në rezultatet e saj më ekstreme.

Novelist Leonardo Sciascia statue. Racalmuto. Sicily. Italy. Europe. (Photo by: Riccardo Lombardo/REDA&CO/Universal Images Group via Getty Images)

Librat e tij vërtiten rreth këtij misteri, një mister që nuk kërkon të dëgjohet nga arsyeja, sepse mbetet gjithnjë i mbështjellë në dimensionin e dyshimit dhe pritjes. Faktet tregohen, thuhen, ato mund të qëndrojnë të tilla, por thuajse gjithmonë e merr përsipër një entitet tjetër: pamundësia e kapjes së ëndrrës. Një rrëfim që e bën Shashan gjithnjë të pranishëm me ndërgjegjen e tij kritike mbi faktet e jetës dhe politikës, pavarësisht pozicioneve të ndryshme, disa të përbashkëta, disa jo. Mirëpo, njeriu është përtej gjithçkaje: njeriu me ndërgjegjen dhe zemrën e tij. Leonardo Shasha vdiq më 20 nëntor 1989./Konica.al