MENU
klinika

Ashpërsohet dekriminalizimi/ Vende jo anëtare të BE

Ligji i ri që bllokon zgjedhjen për të dënuarit edhe në 9 shtete të tjera

07.01.2021 - 13:23

Një amendament i rëndësishëm është paraqitur në Kuvend nga deputeti Vasil Sterjovski, i cili ndryshon ligjin e dekriminalizimit të vitit 2015.

Në amendament kërkohet që të rritet numri i shteteve ku të zgjedhurit janë dënuar apo ndjekur penalisht. Në ligjin aktual flitet për vendet anëtare të Bashkimit Europian, por drafti i Sterjovskit ka shtuar edhe vendet e Ballkanit, por edhe shtete që nuk janë anëtare të BE-së.

Teksti ndryshon e bëhet se “ndalohet të zgjidhen në organet e shtetit personat që janë dënuar me vendim të formës së prerë nga autoritetet gjyqësore të një vendi anëtar të BE-së, SHBA-së, Australisë dhe vendet europiane që nuk janë anëtare të BE-së si Zvicra, Norvegjia, Islanda, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë Hercegovina dhe Kosova”.

Ndalimi i zgjedhjes bëhet edhe për ata persona, për të cilët ka një dëbim nga të gjithë këto vende.

Sterjovski, është i zgjedhur nga listat e LSI-së në zgjedhjet e vitit 2017, por që më pas ka kaluar me PS-në. Sipas të gjitha gjasave, ky amendament bëhet edhe për të ndëshkuar ish-bashkëpunëtorin e tij, ish-kryetari i komunës Pustec, Edmond Themelko, i cili është dënuar nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut, për manipulim të votave në favor të VRMO-DPMNE-së kur ajo udhëhiqej nga Nikolla Gruevski.