MENU
klinika

Fotografia

MARUBI: risi, kulturë, bashkohësi

13.01.2021 - 16:57

        Mes 50 profileve të muzeve evropiane, përzgjedhur për risitë origjinale dhe në kohë: “Revisiting Museums of Influence. Four decedes of Innovation and Public Quality in European Museum”, mbi trashëgiminë dhe cilësinë e ofertës kulturore përgjatë 40 viteve të fundit, Muzeu Marubi nuk bën përjashtim./Konica.al

Si pjesë e rëndësishme e këtij klasifikimi, vjen edhe Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi.

Në këtë renditje ishin disa nga muzetë europianë më të njohur, si: Rijksmuseum, Hollandë; MuCEM- Museum of European and Mediterranean Civilizations, Francë; The British Galleries at the Victoria and Albert Museum, Britani e Madhe; Museum of Broken Relationships, Kroaci; War Childhood Museum, Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kujtojmë se ky muze fotografik, mban një koleksion prej më shumë se pesëqindmijë negativësh, që shtrihen nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë e deri në fundin e shekullit njëzetë.

Muzeu “Marubi” priti në vitin 2019, më shumë se 16 mijë vizitorë dhe0 çdo vit e më shumë, është kthyer në një pikë kryesore për turistët vendas, por dhe ata të huaj.

Në lidhje me këtë klasifikim, reagoi edhe stafi i Muzeut “Marubi”, në rrjetin social ‘Facebook’, ku u shprehën ndër të tjera, se ndihen mjaft të motivuar nga ky klasifikim:

“Vlerësime të tilla na shtyjnë së pari të falënderojmë stafin, bashkëpunëtorët, miqtë e muzeut, vizitorët vendas e të huaj, të cilët, shpesh kanë ndarë me ne edhe përshtypjet e tyre, gjë që na ka ndihmuar edhe në cilësinë e shërbimeve të ofruara.

Kjo na motivon çdo ditë e më shumë të jemi më pranë komunitetit artdashës e po ashtu, një publiku të ri, të apasionuar e të vëmendshëm ndaj trashëgimisë kulturore të lënë nga brezat e që transmetohet sot, përmes formave inovative dhe bashkohore.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi mban në arkivin e tij rreth 400,000 negativë në pllaka xhami, të organizuar në mënyrë të përkryer dhe të klasifikuar sipas vitit të shkrepjes dhe përmbajtjes së fotografisë.

Në dy katet e muzeut do të mund të shihni edhe studiot e fotografit të famshëm, Pietro Marubit, dhe pasardhësve të tij. Ishte Pietro Marubi, azilanti politik italian, ai që hapi këtë godinë si studion e tij të re, ndoshta duke mos parashikuar qendrimin 150-vjeçar, të këtij institucioni apo ndikimin e tij të gjerë në fushat e fotografisë, mjekësisë, arkitekturës, dhe kulturës të përgjithshme shqiptare.

Pas vdekjes së tij, studion e trashëgoi nxënësi i tij shqiptar e më pas fëmijët e nxënësit, të cilët mbajtën të gjallë dinastinë e familjes Marubi.