Ikona “Mbledhja e Kryeengjëjve” është një ndër ikonat më të bukura, të ekspozuara në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar.
Ikona është pikturuar në fillimet e shekullit XVII dhe u pikturua për kishën e fshatit Sinicë, në Korçë. Ikona paraqet triumfin e Kryeengjëjve kundër forcave të djallit dhe lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me ikonografinë perandorake.
Ushtria e kryeengjëjve paraqitet duke mbajtur ushta në njërën dorë – në vijë të parë paraqiten tre prej tyre, duke mbajtur medaljonin me Krishtin Emanuel.
Portretet e kryeengjëjve sjellin modelet e fytyrave të shëndetshme, të bukura, hyjnore me faqe dhe buzë të kuqe, si dhe aftësinë e madhe artistike të piktorit në artin ikonografik.
Kjo ikonë, nga më të bukurat e ateliesë të vëllezërve Zografi është porositur për Manastirin e Shën Pjetrit dhe Pavlit në Vithkuq. Prezantimi i kryeëngjëjve është bërë në mënyrë ideale. Piktori është përpjekur të japë perspektivën. Në plan të parë shihen tre kryeëngjëjt. Në mes të kryeëngjëjve Gabriel dhe Mihail paraqitet brenda një rrethi Krishti Emanuel. Rrethi mbahet nga dy kryeëngjëjt dhe Krishti bekon me dorën e djathtë ndërkohë që mban një pergamen të hapur me të majtën. Rrethi eshte dekoruar me kerubine.
Në plan të dytë janë prezantuar katër ëngjëj dhe në plan të tretë janë pikturuar pesë ëngjëj. Gjithashtu më në thellësi shohim aureolat e ëngjëjve të tjerë të cilat zvogëlohen duke u larguar duke i dhënë thellësi dhe prespektivë skenës. Shumë interesant paraqitet fakti që gjithë ëngjëjt kanë pothuaj të njëjtat tipare faciale, aq sa nuk mund të dallohen nga njeri-tjetri. Të gjithë ëngjëjt janë duke shkelur mbi re te bardha. Dy figurat e planit të parë janë punuar imtësisht prej piktorit, pa neglizhuar asnjë detaj.
Kryeëngjëlli Mihail është pikturuar me shpatë dhe i veshur me kostum ushtarak, kurse Kryeëngjëlli Gabriel paraqitet me skeptër në dorë. Në pjesën e sipërme të ikonës paraqitet Ati i Shenjtë si një burrë i moshuar që del nga retë dhe bekon me të dy duart e tij. Prej tij buron drita e cila bie mbi ushtrinë e ëngjëjve.
Poshtë në krah të djathtë janë shkruar emrat e porositësve “Shërbëtori i Zotit Debiri dhe Avlona në vitin 1762 nga fshati Drenovë”.