MENU
klinika

Vaksinat anti-covid në Shqipëri

Meta: Duhet bërë transparencë, çdo veprim tjetër është trafikim!

16.01.2021 - 18:01

Presidenti Ilir Meta komentoi në emisionin “Kjo Javë’, të gazetares Nisida Tufa, në News24, mbërritjen e vaksinës anti-Covid në Shqipëri, para kohës kur ishte parashikuar.

Kreu i Shtetit e cilësoi lajm të mirë mbërritjen e vaksinës së kompanisë Pfizer në vendin tonë, por tha se “Në çdo vend demokratik, ku funksionon shteti i së drejtës, transparenca është elementi i parë, që garanton besueshmërinë dhe seriozitetin e autoriteteve shtetërore në raport me qytetarët”.

Më tej, Presidenti vuri theksin te spitalet tona, duke thënë se e shqetëson gjendja në të cilën ndodhen, si dhe fakti që kemi shënuar një numër të lartë viktimave nga koronavirusi.

Pjesë nga intervista:

Pyetje (Gazetare Nisida Tufa): Zoti President, lamë pas një vit të vështirë dhe po nisim një vit tjetër me shpresën, që gjërat kanë për të shkuar më mirë, por përsëri jemi në pandemi. Lajmi i mirë është mbërritja e vaksinës në Shqipëri, që në fakt shumë vende të tjera ende nuk kanë nisur ta aplikojnë. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Presidenti Meta: Shqipëria ka nevojë për një plan të qartë për vaksinimin e popullsisë dhe duhet ta kishte prej kohësh. Është e nevojshme sigurimi i vaksinës për atë pjesë të popullsisë, që e ka të domosdoshme. Nuk duhet të harrojmë situatën aktuale në spitalet tona, që vazhdon të jetë kritike dhe që detyron një kujdes më të madh ndaj të gjithë qytetarëve, të cilët janë të prekur dhe po luftojnë me COVID-19.

Pyetje: Fakti që Shqipëria i siguron këto vaksina më herët se ç’ishte parashikuar, a është lajm i mirë?

Presidenti Meta: Është lajm i mirë çdo lajm, që i shërben përballimit të kësaj situate në të gjithë dimensionin e vet real. Çdo mbërritje e vaksinave është pozitive, por çdo fshehje e problematikës së gjerë përmes akteve të karakterit propagandistik, nuk i shërben qëllimit të përgjithshëm dhe në këtë drejtim, sigurisht që kemi pasur dhe kemi probleme tepër shqetësuese. Të mos harrojmë, që në spitalet tona mungojnë një pjesë e mirë e pajisjeve shpëtuese dhe raste të mesme apo të rënda trajtohen jashtë vendit. Të mos harrojmë, që jemi vendi me personelin mjekësor më të dëmtuar. Ndaj është shumë e rëndësishme që të gjitha hapat t’i shërbejnë një strategjie të qartë të përballimit sa më efektiv të COVID-19.

Pyetje: Pra, nga ana e qeverisë, nga ana e vetë Kryeministrit është bërë propagandë për mbërritjen e vaksinës, nga sa kuptojmë?
Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të ndërhyj në këtë çështje. Mua më shqetëson gjendja aktuale e spitaleve tona, që kanë një infrastrukturë problematike. Më shqetëson niveli shumë i lartë i humbjes së jetës për të gjithë ata pacientë, të cilët intubohen. Duhet të kemi në konsideratë edhe shumë problematika të tjera, që mund të ishin menaxhuar shumë më mirë, përfshi edhe çështjen e vaksinimit, kur dihet, që qeveri të tjera i kanë zgjidhur këto probleme prej kohësh dhe kanë një program shumë më të qartë vaksinimi se sa ne.

Pyetje: Zoti President, a duhej bërë më tepër transparencë për mbërritjen e vaksinës? Nuk është thënë vendi prej nga ka ardhur dhe mënyra. Madje vetë Kryeministri Rama në një emision televiziv, u shpreh se janë pjesë e një konfidencialiteti, por nuk duhet zbuluar shumë. Si e shpjegoni këtë?
Presidenti Meta: Në çdo vend demokratik, ku funksionon shteti i së drejtës, transparenca është elementi i parë, që garanton besueshmërinë dhe seriozitetin e autoriteteve shtetërore në raport me qytetarët. Kjo është e domosdoshme dhe e pashmangshme, pasi çdo sjellje dhe veprim tjetër hyn në sferën e trafikimit apo të kontrabandës.

Pyetje: Por gjithsesi kjo e shton skepticizmin te populli për vaksinën, sepse ka jo pak skeptikë për vaksinën. Kjo situatë që është servirur nga ana e qeverisë, apo edhe nga vetë deklaratat e Kryeministrit, a e shton skepticizmin?
Presidenti Meta: Është e rëndësishme të ketë siguri të plotë për vaksinën, për të gjithë elementët, që kanë të bëjnë me pasojat e mundshme mbi shëndetin e qytetarëve. Kjo është detyra e qeverisë dhe e autoriteteve përgjegjëse.

Pyetje: Vetë ju zoti Meta, a keni kërkuar të vaksinoheni në këto doza të para të mbërritura apo ju është ofruar për t’u vaksinuar?
Presidenti Meta: Kjo nuk është një çështje prioritare. Prioritet është vaksinimi i mjekëve, i infermierëve, i sanitarëve, i të gjithë personelit mbështetës, që është në vijën e parë të luftës me COVID-19.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Ndërsa borxhi rritet, të ardhurat për frymë ulen”

Meta tjetër mesazh për shpopullimin: E ndalon lufta ndaj varfërisë