MENU
klinika

Ilir Meta letër ministres së Financave

“Mos penalizoni Vlorën! Zhbllokoni fondet e investimeve në rrugë”

15.01.2021 - 16:40

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur sot shkresës dërguar në adresë të tij nga ministrja e Financave Anila Denaj, lidhur me për Projektin e “Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”.

Në letër, e cila për dijeni i është dërguar edhe kryeparlamentarit Ruçi, deputetëve të Kuvendit, Këshillit të Ministrave si edhe kreut të Bashkisë Vlorë Presidenti i kërkon ekzekutivit të mos penalizojë Vlorën, por të zhbllokojë fondet e investimeve për rrugët.

“Duke qënë se kësaj shkrese ju, si ministër i Financave dhe Ekonomisë, ende nuk i keni kthyer përgjigje, keni mundësinë më të mirë të reflektoni mbi kërkesat dhe orientimet që përmban ajo, por dhe orientimit që përmban kjo shkresë, duke riparuar të metat e rënda të praktikës dhe ripërcjellë kërkesën sipas procedurës që kërkon legjislacioni në fuqi”, thuhet në letër.

Letra e plotë e presidentit

Siç dhe ju e dini fort mirë, ka patur disa komunikime shkresore, ashtu si dhe deklarata publike të Presidentit të Republikës, dhe autoriteteve të autorizuar prej tij, mbi kërkesën e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për lëshimin e autorizimit për plotfuqi për nënshkrimin e marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e “Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”.

Fatkeqësisht, pavarësisht këtyre komunikimeve shkresore, dhe publike, nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nuk ka patur reflektim dhe veprim në drejtim të ndjekjes së një procedure të mbështetur në Kushtetutë dhe ligj, por vijohet e njëjta linjë paligjshmërie dhe mos reflektimi.

Siç dhe citoni në hyrje të shkresës suaj, vetë ministrja e Financave dhe Ekonomisë ka kërkuar disa takime, por asnjë takim nuk mund të ndreqë paligjshmërinë e një procesi, që duhet të plotësohet vetëm dhe vetëm mbi bazë aktesh shkresore.

Lidhur me të dhënat dhe sqarimet që keni nënshkruar në shkresën tuaj me nr. prot. 16905/12, datë 6.1.2021, ndihem i detyruar t`ju sqaroj:

Sa i takon vlerësimit tuaj në shkresë ku citoni shprehimisht se, “bazuar në interpretimin sistematik të procedurave të parashikuara nga ligji 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, procesi i negocimit të një marrëveshjeje ndërkombëtare financiare, nuk është një proces i detyrueshëm për t`u ndjekur”, konstatojmë se ky qëndrim juaji vetëm sa referon në ligjin nr. 43/2016, por pa mundur të evidentojë dot asnjë dispozitë konkrete ku mbështetet ky qëndrim.
Shpreh keqardhjen se si Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si institucioni kryesor që përgjigjet ligjërisht për financat e vendit, përfshirë dhe menaxhimin e borxhit, dhe që duhet të ndjekë me rigorozitet procedurat e kërkuara nga ligji, arrin në këto konkluzione. Legjislacioni në fuqi kërkon respektimin rigoroz të procedurave, me qëllim ruajtjen e interesit shtetëror dhe bërjen transparente të çdo procedure të ndjekur.

Për t`ju sqaruar mbi legjislacionin e zbatueshëm dhe dispozitat konkrete që ju nuk keni mundur t`i evidentoni, sjellim në vëmendjen tuaj se:

Ligji nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 26, paragrafin 2 (dhe jo tre siç referoni po gabimisht në shkresë), vërtet i njeh të drejtën ministrit të Financave që të negociojë dhe vendosë për kushtet thelbësore të kontratave të huas në emër të Republikës së Shqipërisë ose të Këshillit të Ministrave.
Madje, është po ky nen, që në paragrafin e parë të tij,ngarkon direkt ministrin e Financave që të mbajë kontakte zyrtare të drejtpërdrejta me kreditorët për sigurimin e financimeve nëpërmjet kredive.
Megjithëse në rastin konkret dhe sipas praktikës dokumentare që ju vetë keni përcjellë, komunikimi me palën tjetër, nuk rezulton të jetë mbajtur nga ju, por është mbajtur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës.

Në rast se Fondi Shqiptar i Zhvillimit mban kontakte dhe ka negociuar për të ndryshuar destinacionin e financimit të Fondit Saudit për Zhvillim dhe transferimin e fondeve siç ishte parashikuar në projektin e Lumit të Vlorës, për segmentin Përshkëpi-Selenicë-Kryq-Levan-Tepelenë, në një projekt tjetër (ai i “Vlorë- Orikum”), kjo do të thotë që ju keni humbur autoritetin tuaj ligjor për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë me të cilat ju ngarkon ligji.

Siç dhe ju e dini, Fondi Shqiptar i Zhvilimit, sipas bazës ligjore mbi të cilën funksionon[1], nuk ka për detyrë dhe as kompetencë të diskutojë apo të negociojë në këto terma. Një gjë e tillë as nuk përfshihet në objektin e punës së tij.

1.3 Nga ana tjetër, atë që ju e quani në shkresë si “interpretim sistematik të procedurave”, duhet zbatuar jo vetëm për parashikimet e ligjit në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare, por më së pari për interpretimin e parashikimeve të vetë ligjit nr. 9665/2006, që në nenin 27, parashikon qartë se:

“Për qëllimet e këtij ligji, marrëveshje ndërkombëtare për huat shtetërore dhe garancitë shtetërore të huas konsiderohen ato marrëveshje që lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë ose Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nga Ministri i Financave, me shtete ose organizata ndërkombëtare publike.

Procedurat e negocimit, nënshkrimit, miratimit dhe ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare për huat shtetërore dhe garancitë shtetërore të huas kryhen sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.[…]”.

Kjo do të thotë që procedura dhe negocimi edhe për “projektin e ri” për marrjen e një huaje për “Rehabilitimin dhe ndërtimin e objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”, duhet të ishte kryer, apo të kryhet sipas ligjit nr. 43/2016.

1.4 Ligji nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 10 të tij, përcakton në mënyrë shteruese hapat që ndiqen për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke filluar nga negocimi, deri te miratimi përfundimtar. Kjo dispozitë përcakton qartë se:

“1. Pas përfundimit të procesit të negocimit, projektmarrëveshja ndërkombëtare miratohet, në parim, nga Këshilli i Ministrave, me propozimin ose bashkëpropozimin e ministrisë/ve kompetente.

Propozimi për miratimin, në parim, të marrëveshjes përmban:
a) projektvendimin për miratimin në parim;
b) tekstin e marrëveshjes në gjuhën e negociuar;
c) tekstin e marrëveshjes, të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të certifikuar nga Ministria e Drejtësisë;
ç) mendimet e ministrive dhe institucioneve të interesuara;

d) relacionin shpjegues, sipas pikës 4, të nenit 8, të këtij ligji, përfshirë argumentet për pranimin ose jo të propozimeve e të vërejtjeve të ministrive të interesuara. […]”
Sa i takon vlerësimit që ju bëni në shkresën më të fundit se, “[…] sikurse edhe referohet në pikën B të preambulës së projektmarrëveshjes së huasë […] kjo hua është një rialokim i një marrëveshje të huasëpër financimin e projektit të Rrugës së Lumit të Vlorës, ratifikuar me ligjin nr. 100/2017. Pra kushtet thelbësore (interes, maturimi etj.) janë të njëjta me ato të ligjit nr. 100/2017 dhe kjo shumë thjesht rialokohet brenda të njëtit program e madje në të njëjtën zonë gjeografike, për arsye që nuk kanë lidhje me vetë huanë”, ju sqarojmë edhe një herë se:
Lidhur me këtë qëndrim, tërësisht të paargumentuar në terma ligjorë, duhet të mbani në konsideratë:

Vetë termi “rialokim” që ju përdorni, në terma financiarë, do të thotë rishpërndarje fondesh brenda të njëjtit buxhet, që është ai i buxhetit të shtetit. Autoritetet Shqiptare nuk kanë kompetencë të rialokojnë fonde që i përkasin një financimi të huaj, dhe që për më tepër as nuk janë disbursuar dhe përdorur brenda buxhetit të shtetit.
As në terma ligjorë, as në terma financiarë, nuk mund të flitet për “rialokime të marrëveshjeve të huasë”, siç referoni në shkresën tuaj. Rialokimi mundet vetëm të kuptojë transferimin e fondeve, dhe kurrësesi të marrëveshjeve, që për më tepër tashmë nuk ekzistojnë as ligjërisht.Nëse do të ishte vetëm një rialokim, atëherë lind pyetja për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë: – Përse nevojitet një marrëveshje për të rialokuar fonde të financimit të huaj? Argumentet tuaja në këtë drejtim, janë jashtë logjikës juridike, kushtetuese dhe ekonomike. Prandaj kërkojmë që të vlerësoni situatën me gjithë stafin tuaj, që mesa duket ju ka keqorientuar të parashtrojë për zgjidhje rastin në një rrugë pa krye dhe në kundërshtim me ligjin.
Për më tepër, në terma ligjorë, nuk mund të flitet as për rialokim të fondeve të dhëna një herë me një marrëveshje huaje të ratifikuar me ligj, kur kjo marrëveshje është denoncuar (tërhequr) dhe zgjidhja e saj është ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr. 117/2020“Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës”, ratifikuar me ligjin nr. 100/2017”.
Në terma shumë bazikë ligjorë, që të ketë rialokim fondesh, minimalisht duhet të ketë një marrëveshje në fuqi dhe fondi të jetë përfshirë tashmë në buxhetin e shtetit për qëllimet që marrëveshja ka planifikuar. Dhe marrëveshja në fjalë e lidhur në vitin 2017, nuk është më në fuqi, pasi qeveria shqiptare për fat të keq, ka hequr dorë nga kjo marrëveshje, duke ndërprerë një investim të pritur prej kohësh nga banorët e Bashksië Selenicë dhe duke cenuar kështu të gjitha pritshmëritë legjitime që ata kishin krijuar që prej prezantimit të projektit të Lumit të Vlorës.

Çdo marrëveshje e re, sidomos kur bëhet fjalë për një objekt të ri investimi, me kohëzgjatje të re huadhënie, referuar programit që synon të mbulojë me financim, duhet të kalojë sërish në procedurën e negocimit (veçanërisht të elementëve që lidhen me normën e interesit, maturimin, mënyrën e disbursimit, etj.), miratimit në parim, nënshkrimit, e më pas miratimit përfundimtar, për të ndjekur procedurën e hyrjes në fuqi sipas ligjit.

Në rastin konkret, ju vetë duhet të jeni e qartë se, po të bëhej fjalë për rialokim të fondeve të së njëjtës marrëveshje dhe brenda termave të saj, nuk do të kishit sjellë kërkesë as për autorizim për plotfuqi nënshkrimi, e as më pak do të kishit çuar një draft për miratim në parim nga ana e Këshillit të Ministrave.

2.4 Në shkresën tuaj pararendëse me nr. 16905/10 prot., datë 2.11.2020, citoni se: “[…] termat financiarë (interesi, kosto të ndryshme administrimi, maturimi, etj.) të financimeve të huaja të akorduara nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare apo shteteve me të cilat vendi ynë bashkëpunon, janë përcaktuar nga secili prej kundërpalëve në varësi të, stadit të zhvillimit ekonomik të vendit dhe ndryshohen në mënyrë periodike prej tyre në varësi të përditësimeve që vlerësohen si faktor i konsiderueshëm në zhvillimin e vendit”.

Referuar këtij citimi, atëherë lindin pyetjet për Ministrinë e Finanacave e cila duhet të ishte thelluar edhe më shumë në këtë drejtim:

A ndodhet Shqipëria në të njëjtat kushte, si ato të vitit 2017,kur është lidhur marëveshja e parë me Fondin Saudit për Zhvillim?
A është Shqipëria në të njëjtat kushte zhvillimi?
A ka pësuar goditje të forta ekonomia shqiptare nga ngjarjet e tërmeteve të shtator- nëntorit 2019 dhe pandemia globale e Covid-19?
Jo vetëm se ligji e dikton, por edhe duke patur në konsideratë këto zhvillime, dhe koha që ka kaluar pasi jemi në fillim të vitit 2021, Ministria e Financave dhe Ekonomisë duhet të marrë autorizimin nga Presidenti i Republikës, për të negociuar, në mënyrë që të tentojë arritjen e një rezultati edhe më të mirë të termave të huasë, për të njëjtën vlerë, pse jo dhe duke parashtruar këto argumente tek pala kreditore.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë apo Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk kanë asnjë autoritet që të vendosin vet, pa qenë të autorizuar me fuqitë e plota, për të diskutuar e më pas për të vendsour se termat e përcaktuara në vitin 2017 ngelen të njëjta dhe janë më të mira për vendin, pa zhvilluar një proces ligjor dhe transparent negociatash. Ndërsa produkti që duhet të tentojë të arrihet, duhet të jetë gjithmonë më i mirë se ai i vitit 2017.

Për këtë arsye zonja ministre, çështja nuk është aq e thjeshtë sa ju e paraqisni, pasi çdokush që ka folur e biseduar për termat financiarë të kësaj marrëveshjeje që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë, e ka bërë në kundërshtim me ligjin dhe pa autorizimin e Presidentit të Republikës. Kjo përbën shpërdorim të detyrës dhe vendosjen e një precedenti të rrezikshëm përkundrejt interesave të shtetit.

Ndjekja e një procedure të saktë dhe në përputhje me ligjin garanton një proces të rregullt ligjor dhe rezultat objektiv dhe transparent në negociata, ndërkohë që ndjekja e proceseve të pakonsultura dhe kundër kërkesave të ligjit, nuk garanton faktin se interesat e Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, janë mbrojtur.

Lidhur me shembujt që referoni si të njëjtë në shkresën tuaj, ndihem i detyruar t`ju sqaroj edhe një herë se:
Sa i takon ligjit nr. 157/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë si huamarrës, Bankës së Shqipërisë si agjent për huamarrësin dhe Bashkimit Evropian si huadhënës, për ndihmën makro- financiare për Shqipërinë”:
Për këtë marrëveshje Institucioni i Presidentit të Republikës ka mbajtur një komunikim shkresor me ju, pikërisht sa i takon respektimit të procedurës së negocimit. Presidenti i Republikës ka nxjerrë Autorizimin nr. 3272, datë 28.09.2020, “Për lëshimin e plotfuqisë për nënshkrim marrëveshjeje”, mbi këtë proces. Dhe siç ju e dini fort mirë, Presidenti i Republikës, i shqetësuar nga shkelja e procedurës së negocimit, dhe duke marrë në konsideratë nevojën për këtë ndihmë financiare serioze të Bashkimit Europian për të përballuar pasojat e pandemisë Covid-19, ashtu si dhe për të ruajtur seriozitetin e vendit përballë partnerëve ndërkombëtare, ka dhënë autorizimin në mënyrë të kushtëzuar, duke kërkuar shprehimisht në përmbajtje të tij që:

Lëshimi i plotfuqisë të realizohet njëkohësisht me plotësimin e mangësive proceduriale, të evidentuara në shtojcën bashkëlidhur këtij Autorizimi dhe pjesë përbërëse e tij.

Siç do duhet ta dinit, Presidenti i Republikës, lëshon autorizimin sipas ligjit, ndërkohë akti i plotëfuqisë plotësohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Presidenti, në momentin e lëshimit të Autorizimi për nënshkrim, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin, por gjithashtu dhe kontekstin për të cilën po jepej kjo ndihmë për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, po shprehimisht ka kërkuar nga Kryeministri dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme që sipas kërkesave kushtetuese dhe ligjore,

të marrë të gjitha masat për ndreqjen e të metave proceduriale të praktikës,
të marrë masat përkatëse ndaj personave përgjegjës sipas ligjit për këto të meta, si dhe
të shmangë përsëritjen e defekteve të kësaj natyre në të ardhmen.
Nëse këto kërkesa nuk janë përmbushur, këto janë përgjegjësi direkte e ministrit të kohës për Evropën dhe Punët e Jashtme, sot në detyrën vetëm si Kryeministër.

Lidhur me ligjin nr. 47/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes për një hua shtesë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e projektit të rehabilitimit të Rrugës së Lumit të Vlorës”:
Ligji nr. 47/2020, ka ratifikuar marrëveshjen për një hua shtesë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për zhvillimin ekonomik arab për financimin e projektit të rehabilitimit të rrugës së Lumit të Vlorës.

Presidenti, me Autorizimin nr. 1016, datë 28.2.2020, ka autorizuar lëshimin e plotfuqisë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që e theksoj, “është marrëveshje shtesë e marrëveshjes që ishte ratifikuar me ligjin nr. 50/2016”. Vetë marrëveshja, që ju keni nënshkruar parashikon shprehimisht në Seksionin 4.01, se:

“ Marrëveshja e Huasë së Parë do të vijojë të jetë e vlefshme dhe në fuqi. Dispozitat e Marrëveshjes së Huasë së Parë rregullojnë Huanë Shtesë, sikur dispozitat në fjalë të ishin përcaktuar shprehimisht në këtë Marrëveshje […]”

Pra, Presidenti ka autorizuar nënshkrimin e një marrëveshjeje shtesë të marrëveshjes në fuqi, e cila siç dhe ju e dini, as nuk është zgjidhur, as nuk ka ndryshuar termat e negociuara, të miratuara dhe hyrë në fuqi që në vitin 2016, me ligjin nr. 50/2016, dhe sipas nenit 116 të Kushtetutës është pjesë e legjislacionit të brendshëm, që për nga hierarkia e akteve, vjen menjëherë pas Kushtetutës.

Pra edhe këto dy shembuj që ju keni cituar, tregojnë qartë për mënyrën dhe korrektësinë e bashkëpunimit të sinqertë dhe të bazuar në Kushtetutë dhe ligje, që Institucionit i Presidentit të Republikës ka shfaqur, si në marrjen e një huaje për financimin e projektit të Lumit të Vlorës, ashtu dhe më pas për ndihmën e vyer që ka ofruar Bashkimi Europian për përballimin e situatave të vështira të krijuara nga fatkeqësitë natyrore.

Në shkresën tuaj citoni si shembuj që “përligjin” shkeljet proceduriale të kryera nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, edhe dy ligje:
Ligjin nr. 163/2019“Për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve, për Projektin “Shtrati i lumit Lana- zhvillim urban””; dhe
Ligjin nr. 164/2019“Për ratifikimin e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve, për Projektin “Shtrati i lumit Lana- zhvillim urban””.
Këto dy ligje, me këto atribute që ju referoni në shkresë (nr. 163/2019 dhe nr. 164/2019) nuk janë pjesë e legjislacionit në fuqi. Nisur nga titulli i tyre, me siguri Ju duhet të keni patur fjalën për ligjet që mbajnë numrat 63/2019 dhe 64/2020.

Nëse po, këto dy shembuj, evidentojnë sërish mangësitë e pafalshme në njohjen e legjislacionit në fuqi për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ju keni sjellë si shembuj dy marrëveshje që janë negociuar dhe nënshkruar në emër të Këshillit të Ministrave, për të cilat sipas nenit 6, pika 3, shkronja “b)”, autorizimi jepet nga Kryeministri, dhe jo nga Presidenti i Republikës, i cili jep autorizim për plotfuqi vetëm për marrëveshjet që lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë.

Ndërsa plotfuqia në rastin e marrëveshjeve që negociohen dhe nënshkruhen në emër të Këshillit të Ministrave, lëshohet nga ministri i Punëve të Jashtme.

Megjithatë, për këtë rast, pas shqyrtimit të të dhënave dokumentare në arkivën e Institucionit të Presidentit të Republikës, një fakt edhe më shqetësues doli në dritë:

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, me shkresën me nr. prot. 3126/3, datë 6.3.2019, ka kërkuar lëshimin e autorizimit nga Presidenti i Republikës për lëshimin e plotfuqisë për grupin negociator që do të negocionte një marrëveshje në emër të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve, me qëllim marrjen e një kredie për sigurimin e financimit të projektit që do të zhvillohej nga Bashkia e Tiranës për zgjerimin e Bulevardit “Gjergj Fishta” dhe Bulevardit “Bajram Curri”, dhe rehabilitimin e lumit Lana nga Ura Teknologjike deri në kryqëzimin me Rrugën “Teodor Keko”.
Me shkresën me nr. prot. 699/1, datë 3.4.2019, Institucioni i Presidentit të Republikës ka kërkuar informacion shtesë për këtë kërkesë, duke ngritur disa çështje që kërkonin sqarim dhe transparencë mbi vetë projektin.
Nëse bëhet fjalë për të njëjtin projekt dhe financimi i tij është siguruar pas ratifikimit të kontratës së huasë dhe grantit me ligjet nr. 63/2019 dhe 64/2019, ky është një rast flagrant kur, marrëveshje që duhet të ishin negociuar, nënshkruar dhe miratuar në emër të Republikës së Shqipërisë, për të shmangur kërkesën e llogaridhënies dhe transparencës, janë ndryshuar duke u negociuar dhe nënshkruar në emër të Këshillit të Ministrave.
Është e qartë se, për të shmangur dhënien e shpjegimeve përpara Presidentit të Republikës, siç ishin kërkuar, dhe për të mbuluar çdo paligjshmëri që mund të jetë kryer në këtë proces për financimin e një projekti me shumë impakt publik, qeveria shqiptare, ka ndryshuar draftet e marrëveshjeve dhe ka keqorientuar edhe kredidhënësin, duke nënshkruar këto marrëveshje huaje në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Kjo për arsyen e vetme se, nënshkrimi në emër të Këshillit të Ministrave nuk kërkon pajisjen me autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas ligjit nr. 43/2016.

Sa më sipër, asnjë nga argumentet e përdorura në shkresën tuaj me nr. prot. 16905/12, datë 6.1.2021, nuk qëndron. Madje referon në të dhëna të gabuara dhe qëndrime të përsëritura në shkelje të ligjit.

Referuar sa më sipër, me shkresën me nr. prot. 3423/1, datë 4.01.2021, kam kërkuar përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për lidhjen e marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e “Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)” .

Duke qënë se kësaj shkrese ju, si ministër i Financave dhe Ekonomisë, ende nuk i keni kthyer përgjigje, keni mundësinë më të mirë të reflektoni mbi kërkesat dhe orientimet që përmban ajo, por dhe orientimit që përmban kjo shkresë, duke riparuar të metat e rënda të praktikës dhe ripërcjellë kërkesën sipas procedurës që kërkon legjislacioni në fuqi.

Në momentin që Presidentit të Republikës do të paraqitet kërkesa dhe dokumentacioni siç e kërkon Kushtetuta dhe ligji, si gjithmonë, nëse dokumentacioni do të jetë i rregullt, menjeherë do ta shqyrtoj këtë kërkesë.

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

Ilir Meta

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Denaj sqaron detajet për projektin e segmentit Vlorë-Orikum

“Mos e pengo Vlorën Ilir, sepse s’është ledh i LSI-së”