MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 15

Vllaznia fiton në limit, rikthehet Kukësi, ia del Teuta

20.01.2021 - 15:44

Pas gjashtë ndeshjesh pa fitore (5 humbje dhe 1 barazim) Kukësi është rikthyer te suksesi. Verilindorët fituan 3-1 në Fier përballë Apolonisë. Rraman Hallaçi i ka dhënë fund krizës që kishte kapluar skuadrën pretendente.

Ibrahimi shënoi golin e parë për Kukësin në 15’ dhe 0-1 mbyllet pjesa e parë. Në të dytën vendasit barazojnë në 60’ me Smaçin. Peposhi në 76’ rikthen avantazhin për miqtë, ndërsa Eze në 82’ i jep fitoren e sigurtë Kukësit.

Me këtë rezultat verilindorët ngjiten në shinat e pretendimeve sërish, të paktën për një vend në Europë, duke përfituar edhe nga derbi që kanë mes vete Partizani dhe Tirana nesër.

Vllaznia kryesuese ia del na limite në Ballsh ndaj Bylisit. Shkodranët fitojnë 1-0. Ardit Hoxhaj shënoi minutën e 94-t dhe kuqeblutë marshojnë në krye pa u ndalur.

Teutës i mjafton një gol në Kamëz ndaj Kastriotit në fitoren 0-1 dhe tashmë durrsakët marrin vendin e dytë, 9 pikë larg kreut. Ishte Bregu ai që i dha fitoren ekipit të Teutës me golin e realizuar në 72’.

Laçi dhe Skënderbeu ndajnë nga një pikë në barazimin 1-1. Korçarët shënuan të parët me Meksin në 43’, ndërsa kurbinasit, që luanin në shtëpi, barazuan me Nwabuezen në 53’. Dy pikë të lëna për Laçin pretendent në këtë sfidë.