MENU
klinika

Shqipëria përfshihet nga acari

Në Pukë termometri shënon -13 gradë celcius

17.01.2021 - 14:17

Me temperaturat që pritet të zbresin deri në -13 gradë celcius në Pukë, kjo e dielë parashikohet të jetë një prej ditëve më të ftohta të vitit.

Në Dibër, termometri ka shënuar -12  gradë, ndërsa ngricat po krijojnë probleme kryesisht në zonat malore.

Banorët e njësive Kala e Dodës dhe Zall Dardhë denoncojnë se rrugët janë të bllokuara për shkak të trashësisë së dëborës që shkon deri në 20 cm dhe akullit të krijuar nga temperaturat e ulta!

Probleme ka edhe më furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm për shkak të ngrirjes së tubacioneve.

Edhe qarku i Kukësit vijon të jetë i mbërthyer nga moti i ftohtë dhe acari duke sjellë ngrica e akull në rruge.

Rekomandohet kalimi me zinxhirë në akset nacionale të Kukësit, Tropojës e Hasit.

Shumë fshatra vuajnë mungesën e energjisë elektrike për shkak të dëmtimit të shtyllave.

-11 gradë celcius ka shënuar termometri ndërkohë në Korçë duke e bërë një ditë të acartë edhe në juglindje.

Për shkak të ngricës në rrugën Boboshticë-Dardhë rekomandohet lëvizja me zinxhirë nga km 9 deri në km 13, ndërsa e bllokuar mbetet aksi Shtyllë-Panarit. Në rrugët kombëtare nuk raportohen problematika, por drejtuesit e mjeteve këshillohen që të tregohen të kujdesshëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mungesë energjie elektrike dhe uji të pijshëm

Probleme me ngricat në qarkun e Dibrës