MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Një president njerëzor, në vend të një ikësi

20.01.2021 - 19:49

Nga Skënder Minxhozi

Duhet të kthehesh në vitin e largët 1869, që të gjesh një precedent tjetër të një Presidenti amerikan që refuzon të asistojë në ceremoninë e inaugurimit të pasardhësit të tij. Presidenca e çmendur e Donald Trump e vendosi edhe këtë rekord, si për t’i dhënë një shkelm të fundit imazhit të plagosur të Amerikës.

Ardhja në krye të SHBA e një presidenti si Joe Biden, ishte jo vetëm fundi logjik i rezultatit të zgjedhjeve të 3 nëntorit, por edhe etapa përmbyllëse e një mandati katërvjeçar të Trump në Shtëpinë e Bardhë, i cili traumatizoi jo vetëm imazhin amerikan në sytë e botës, por edhe ndau si kurrë më parë shoqërinë amerikane, nxiti racizmin dhe supermacinë e bardhë, hoqi taksat për të pasurit, u soll tragjikisht e në mënyrë të papërgjegjshme gjatë vitit të pandemisë, si dhe zyrtarizoi gënjeshtrat, teoritë e komplotit dhe “të vërtetat alternative” në zyrën më të fuqishme të planetit.

Ardhja në Shtëpinë e Bardhë e Joe Biden është momenti që i jep fund kësaj presidence që shumëkush e sheh si një aksident historik, por sfida me të keqen që mbolli Donald Trump nuk mbaron në 20 janar 2021. Me 74 milion vota, Donald Trump ka krijuar tashmë “kishën” e tij private. Nuk ka më një armë fatale në duar siç është rrjeti social, por ka ndjekës me bollëk, të cilët edhe sot nuk e besojnë se Biden i ka fituar ndeshëm zgjedhjet. “Do të kthehem në një formë a një tjetër”, deklaroi sot Trump nga aeroporti, prej ku u nis drejt Floridas.

Fjalimi që presidenti i ri mbajti në emër të bashkimit dhe të shërimit të ndarjes politike e sociale brenda SHBA, është një premisë se ajo që ndodhi dy javë më parë në Kapitol, ku u sulmuan qeveria dhe ligjvënësit amerikanë, do të jetë një ngjarje e hidhur e lënë pas shpine. Por sfida përballë Biden përmbledh një numër shumë impenjues e të vështirë temash. Nga politika e jashtme tek Covid 19 brenda SHBA, nga riparimi i lidhjeve me aleatët evropianë, tek ekonomia dhe vendet e punës, Joe Biden duhet të tregojë se është jo vetëm i ndryshëm nga Trump, por mbi të gjitha se bën gjënë e drejtë. Duke i rikthyer më së pari dinjitetin postit shumë të lartë që mban.

Është njoftuar se brenda ditës së parë në zyrë, Biden do të nënshkruajë 17 urdhëra ekzekutive, të cilat shbëjnë aspekte të ndryshme të vendimmarrjes së Donald Trump. Më i pari, vendimi për t’u rikthyer në Traktatin e Klimës së Parisit, nga i cili SHBA kishte dalë me vullnetin personal të Trump.

Amerika, e bashkë me të edhe bota, kanë shansin të fillojnë të bëhen “esëll”, pas një xhiroje marramendëse mbi kurrizin e një bualli të hazdisur. Një president i paparashikueshëm ka ikur dhe në vend të tij ka ardhur një njeri i urtë. I cili, mes shumë të tjerash, ka ndëshmuar se i njeh, i do dhe i mbështet shqiptarët. Nuk është pak për ne që jetojmë nën këtë pjesë të diellit.