Nga Skënder Minxhozi
Diçka më shumë se gjysëm shekulli më parë Amerika dërgoi njeriun e parë në Hënë. Zor se Armstrong e Aldrin e kishin menduar atëhere se 50 vjet më vonë, nipat e tyre do të grindeshin për mënyrën sesi ishin numëruar votat në Arizona e Georgia. Amerika e Niksonit ishte superiore edhe në këtë aspekt mbi atë të presidentit më shkatërrimtar, më të rrezikshëm dhe më të papërgjegjshëm të historisë së SHBA, Donald Trumpit.
Amerikanët i kanë shumë qejf datat historike. Për të gjetur një precedent të sulmit fizik ndaj Kapitolit, selisë së parlamentarizmit amerikan, duhet kthyer mbrapsht në shekullin e 19-të, deri në kohën kur Bonaparti ishte ende gjallë! Një president që me profilin e tij zjarrvënës, me politikën e tij thellësisht ndarëse, me fjalorin ekstrem të një naziskini – ja arriti ta kthejë vendin e tij me dhunë në një territor të panjohur më parë. Në territorin e një demokracie ku humbësit mund ta çojnë nëpër mend të mos dorëzojnë në paqe pushtetin!
Demokracia është një markë e përbotshme e amerikanëve. Kështu e paraqesin ata veten dhe për këtë ju jep të drejtë tradita e gjatë historike e rotacioneve të pushtetit, zgjedhjeve të rregullta e politikanëve që e kanë kthyer në një protokoll kalorsiak, mënyrën sesi pritet humbja, sesi përshëndetet fituesi dhe sesi trajtohet largimi nga pushteti.
Një president, që në fakt tashmë konsiderohet më shumë si një incident, bëri që kjo aureolë të bjerë për disa orë. Aq sa të prishë rëndë imazhin e një shteti që siç ka thënë Bill Klinton, bazohet më shumë tek forca e shembullit, sesa tek shembulli i forcës. Mandati presidencial që po mbyllet në SHBA i ka dhënë një formë traumatike jo vetëm Amerikës së sotme, por edhe të gjithë botës.
Donald Trump guxoi të ndërmarrë operacionin më të pamendueshëm antihistorik: të kthejë Amerikën në kufinjtë e vet. Guxoi të imponojë diçka që SHBA s’e kanë fare as në ADN-në e tyre si shtet – mbylljen. Shpalli një Amerikë të rrethuar me mure, me trupa ushtarake të kthyera në shtëpi, të tërhequr nga sfidat botërore që deri dje i udhehiqte, guxoi të tërheqë për flokësh një shtet historikisht në ekspansion, që tani duhej të shihte vetëm brenda oborrit të vet.
Trump e nxorri SHBA nga një duzinë nismash e traktatesh ndërkombëtare, ku amerikanet kishin rol udhëheqës, prishi marrëdhëniet me të gjithë partnerët perëndimorë, bëri lëmsh NATO-n me mesazhet e tij prej tregëtari pronash të patundshme, maisi marrëdhëniet me vendet e Lindjes së Mesme, ndërsa e spostoi politikën amerikane rrezikshëm drejt Izraelit, u shkeli të dy sytë burrave më të ligj të planetit, diktatorëve dhe liderëve të fortë që s’pyesin për ligje. Mori librin e historisë dhe e ktheu kokëposhtë pastaj u tha amerikanëve “merreni, kjo është Amerika e premtuar”! Trump e ktheu lidershipin amerikan në një çeshtje zerosh.
Nëse u besojmë atyre që thonë se fuqia e një supershteti si SHBA bazohet tek perceptimi i forcës që ato përçojnë, atëhere biem dakord se katërvjeçari skandaloz i Donald Trump e ka dëmtuar në plan afatgjatë kursin e anijes gjigande amerikane. Një president merkant dhe i paskrupullt, një gënjeshtar i lindur me valixhen bërthamore te këmbët e tavolinës së punës – ky ka qenë Donald Trump në Zyrën Ovale. Një aventurier që para se të ikte, mbushi me rrena disa qindra milion amerikanë e të tjerë nëpër botë, që sot janë vënë në ndjekje të një bufoni veshur me rroba predikuesi. Padyshim kisha më e çuditshme që ka parë historia, me një “prift” që u thotë “besimtarëve” në Twitter, se solucioni i larjes së enëve shëron Covidin dhe se Hugo Chavezi nga varri manipuloi zgjedhjet në Pensilvani! Dhe që në këto orë, po mendon të falë veten, dhëndrin dhe avokatin personal Rudi Xhuliani, për fajet që nesër mund të kthehen në padi dhe pranga burgu.
Ky njeri duhet përcjellë me fanfara, sepse i tillë ishte mandati i tij në krye të Amerikës dhe të botës gjithashtu. Planetit duhet t’i dalë më në fund ngadalë dehja nga ky njeri, që ndërtoi në katër vite një univers të tijin, një flluskë gjigande të mbushur me rrena dhe teori konspiracioni, që sot është ushqimi më banal që ofron rrjeti social dhe “pastorët” falsë që e popullojnë.