MENU
klinika

Ndryshime ditë pas dite...

Njihuni me trendet e teknologjisë që nuk duhet t’i humbisni këtë vit

16.01.2021 - 10:42

Ky vit i ri duket se do të formësohet nga trendet e nisura në fillim të vitit 2020 nga pandemia shkatërruese për ekonominë.

Duke filluar nga mënyra sesi njerëzit blejnë e deri te mënyra e argëtimit, pothuajshe asnjë aspekt i jetës nuk ka mbetur i pandikuar nga përhapja globale e koronavirusit. Kjo, do të ketë ndikim të madh edhe në teknologjinë që do të përdoret më 2021. Për një vit, COVID-19 e ka shtyrë botën në një të ardhme shumë të ndryshme.

Po të shikosh përpara, duket se pandemia do të vazhdojë të përshpejtojë këto trende të teknologjisë, të cilat veçse ishin në proces. Përvetësimi i sjelljeve të reja teknologjike në përgjigje të realitetit të imponuar nga COVID-19 tashmë ka arritur nivele që nuk priteshin për disa vjet, duke transformuar dhe përshpejtuar zhvillimet në sektorë si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe shitja me pakicë.

Këto janë trendet që duhet t’iu kushtoni vëmendje gjatë vitit 2021:

Kur kompanitë Pfizer/BioNTech zbuluan vaksinën e tyre kundër COVID-19 në muajin nëntor të vitit 2020, politikanët në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara nxituan për të marr meritat. Megjithatë, çuditërisht për një numër të madh të njerëzve në ato vende, një emocion tjetër doli përpara: paranoja. Dyshimet mbi vaksinat nuk janë të reja. Por, zhvillimet e fundit kanë nxjerr në pah faktin se si pandemia ka qenë një rrugë e ndritshme për përhapjen e keqinformimit dhe dezinformimit në internet, duke filluar nga të dhënat e pretenduara si shkencore në lidhje me COVID-19, deri te teoritë e komplotit mbi origjinën e saj dhe efikasitetin e një vaksine për ta trajtuar atë.

E-Sportet vazhdojnë rritjen

Video-lojërat që tani luhen shpesh, ndoshta nga një e katërta e popullsisë së botës, nuk janë më vetëm si argëtim. Ato janë bërë më shoqërore, më konkurruese dhe padyshim, krijojnë varësi më shumë se kurrë më parë, duke u bërë fenomen kulturor dhe duke ushqyer një industri fitimprurëse.

Sipas parashikimeve, deri më 2023 tregu i e-sporteve mund të kalojë 1.5 miliard dollarë. Drejtuesit e industrisë shpresojnë të përfshijnë më shumë njerëz për t’i parë ato, për të blerë pajisje dhe kështu të sigurojnë një rritje më të shpejtë të kësaj industrie, të cilën edhe pandemia e ka ndihmuar mjaft në rritje. Në pranverë, kur u zbatuan izolimet për shkak të pandemisë, në platformën e njohur të lojërave kompjuterike, Steam u shënua numër rekord i lojëtarëve të kyçur në të njëjtën kohë, 25 milionë. Kjo ndodhi në fund të muajit mars të vitit 2020.

Efekti i 5G

Çdo përparim i njëpasnjëshëm në lidhjen dhe shpejtësinë e internetit ka sjellë me vete një valë inovacioni që ka hapur mundësi të reja për teknologjinë dhe biznesin. Rrjeti 3G bëri që shfletimi i internetit dhe shërbimet e të dhënave të ishin të përdorshme në pajisjet mobile, ndërsa 4G çoi në rritjen e platformave të transmetimit të videos dhe muzikës. 5G do të hapë edhe më shumë dyer.

Pas gati një dekade zhvillimi, rrjetet 5G janë gjëja tjetër e madhe në internetin e telefonave celular që ofron një shpejtësi transmetimi të paparë.

Puna gjithnjë e më shumë në distancë

Puna në distancë në botë tashmë ishte duke u bërë e zakonshme për forcën punëtore gjithnjë e më të digjitalizuar, por pandemia e ka përshpejtuar këtë proces. Kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë kanë mbyllur zyrat në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut, dhe video-konferencat janë bërë normë. Gartner, një kompani konsulence e Teknologjisë Informative, vlerëson se 40% e organizatave do të punojnë në distancë deri në fund të vitit 2023, një trend, të cilin kjo kompani, pret se do të mbetet në zbatim shumë kohë pasi të ketë mbaruar pandemia derisa kompanitë mirëpresin kostot më të ulëta nga puna online.

Hapësira u bë kapitaliste

Viti 2020 ishte një vit i kurorëzimit për fluturimet private në hapësirë pasi SpaceX arriti momentin kryesor të lëshimit të njerëzve në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS) në muajin maj. Por, misioni inaugurues është një paralajmërues i gjërave që do të vijnë, me një valë fluturimesh hapësinore të operuara privatisht më 2021. E gjithë kjo po ndodh derisa kompanitë garojnë për të bërë më të lehtë dhe më të përballueshëm udhëtimet në hapësirë.

Tani, më shumë se 12 vende kanë zhvilluar aftësinë për të lëshuar raketa në orbitën e Tokës dhe kanë ambicie më të gjera për hapësirën, duke siguruar një bazë të klientëve në rritje për kompanitë private që mund të ofrojnë një udhëtim komercial.