MENU
klinika

De Laurentiis donte në fund të sezonit

Nuk shtyhet Superkupa, Juve-Napoli më 20 janar

12.01.2021 - 14:24

Pavarësisht pretendimeve të presidentit të Napolit, Aurelio de Laurentiis, Superkupa e Italisë Juventus-Napoli do të zhvillohet normalisht. Lajmi është bërë i ditur nga mediat vendase, që konfirmojnë se takimi do të luhet në datën e përcaktuar.

Më 20 janar, në stadiumin e Sassuolos, Reggio Emilia, luhet Juventus-Napoli, fituesi i kampionatit me fituesin e kupës. Presidenti i Napolit, De Laurentiis, kishte propozuar që ndeshja të luhej në fundin e sezonit për shkak të masave shtrënguese të Covid-19 në vend dhe me synimin që në stadium të kishte tifozë.

Jo vetëm kaq, numri 1 i klubit jugor  dëshironte që dueli të zhvendosej si në vitet e fundit në Arabinë Saudite, pasi do të sillte më shumë të ardhura për skuadrat. Dy edicionet e fundit fituesi i Superkupës ka marrë 5.8 milionë euro, ndërkohë që këtë vit, premio është vetëm 2.6 milionë euro.

Megjithatë, këto kërkesa kanë rënë në vesh të shurdhët, me Federatën italiane të futbollit që tashmë ka vendosur që dueli të mos ndryshojë datë dhe të luhet normalisht siç ishte parashikuar.

Kjo është hera e dytë që Juventus-Napoli vihet në diskutim këtë sezon, pasi në muajin tetor dueli i Seria A u shty për shkak se në radhët e skuadrës së Napolit kishte persona pozitiv me Covid-19 dhe nuk udhëtoi fare drejt Torinos. Tashmë detyra e re e Ligës është që të gjej një datë të lirë për rikuperimin e takimit.