Mbrëmjet e janarit, sikur zbuten e ngrohen me komedinë satirike “Opera për tre grosh”, si një përzgjedhje nga Teatri Kombëtar.
Vepra e shkruar nga autori Vaclav Havel, me regji nga Mehmet Xhelili dhe interpretim të një kaste aktorësh të njohur të skenës së teatrit, erdhi premierë më parë, në një nga sezonet artistike të Teatrit Kombëtar.
Komedia satirike shfaqet mbrëmjen e datës 23 janar, në orën 18:00, livestream në Facebook.
“Mos e humbisni” – shkruhet në faqen zyrtare të teatrit, ndërsa bëhet me dije që vepra është pjesë e programit online, këtë muaj të parë të vitit.
“Opera për 3 grosh” ose siç njihet nga origjinali, “Opera e lypsarit”, është një nga komeditë më të veçanta nga Vaclav Havel. Ajo u shkruajt në vitin 1972, por u shfaq për herë të parë, në 1 nëntor 1976.
Ashtu si edhe drama muzikore me të njëjtin titull e Bertolt Brehtit, ajo është mbështetur mbi disa motive të veprës “Opera e lypsarit”, të dramaturgut anglez të shekullit XVII, Xhon Geit.
Në materialin e Tetarit Kombëtar, për këtë vepër teatrale, thuhet se autori Vaclav Havel, e ka zhveshur veprën e Geit, nga burimi i saj muzikor.
“Ka shkurtuar disa nga personazhet dhe është përqendruar vetëm në lojën plot mirësjellje në dukje, por në thelb të përgjakshme, të pushtetit midis Piçëmit, Mekit dhe Lokit, gjithsecili një personalitet i “shquar” në radhët e policisë dhe grupeve rivale kriminale; veprimi vjen e shpërfaqet plotësisht kur Lokit, komisari i policisë, na zbulohet si bos i fshehtë, por absolut i botës së krimit, kryetakticieni i tij” – është pèrshkrimi nga ana e Teatrit Kombëtar.
Ndërkaq, aktorët që interpretojnë në këtë komedi satirike, janë: Arben Derhemi, Alfred Trebicka, Vasjan Lami, Adelina Muca, Olta Gixhari, Laura Nezha, Niada Saliasi, Lulzim Zeqja, Eva Alikaj, Erjona Kakeli, Anila Bisha, Rajmonda Bulku, Arjola Basho, Julinda Emiri, Gert Ferra, Genti Deçka, Gent Hazizi, Igli Zarka dhe Xhuliano Brisku.
Më herët, në një reagim kur kjo vepër do të ishte si premierë në skenën e Teatrit Kombëtar, regjisori Mhemet Xhelili, tha se trajton tema për shoqërinë tonë dhe se i flet dhe sistemit që kaluam, por dhe sot.
“Vepra i flet realitetit. E rimora këtë vepër pikërisht sepse i flet dhe sistemit që kaluam ne, edhe sistemit sot. Trajton temat, që kanë të bëjnë me korruptimin e njeriut, tema që kanë të bëjnë me kriminalizimin e shtetit, tema që kanë të bëjnë me kompromiset më të skajshme të ndyra që bëhen vetëm për para, pushtet, për lavdi. Pra tema të cilat kanë shkuar në skaj në shoqërinë tonë të sotme. Kjo është arsyeja që unë me këtë subjekt të bukur, me këtë vepër që e doja shumë, me këtë autor brilant, mbi të gjitha dua ti flas publikut për këto probleme për këto mesazhe” – rrëfen Xhelili. Skenografia është realizim nga Genc Shkodrani, kostumet nga Anila Zajmi dhe me kompozitor, Endri Sina.
Havel: aktiviteti letrar e politik
Vaclav Havel lindi në një familje të pasur, në Pragë, më 5 dhjetor të vitit 1936. Ai vazhdoi studimet universitare me korrespondencë në Akademinë e Arteve për dramë. Gjatë moshës së adoleshencës, ka marrë mësime private psikologjie nga filozofi i njohur çek J. L. Fischer, i cili, pati një influencë të madhe mbi krijimtarinë e tij .
Gjatë viteve 1957-1959, Havel mori pjesë në forcat e armatosura të ushtrisë çeke. Ai ishte ndër aktivistët më të rëndësishëm kundër regjimit komunist dhe kjo, solli arrestimin e tij, gjatë viteve 1979 deri në 1983.
Vetëm pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Sllovakisë, në vitin 1993, Havel u shpall presidenti i parë i Republikës Çeke.
Ai vlerësohet për kontributin e tij, si një ndër shkrimtarët, eseistët dhe poetët më të famshëm të letërsisë çeke.
Në pjesën më të madhe të veprave, Havel nxjerr në pah vlerat humane të shtypura, të kulturës çeke, karakterizuar nga absurdi. Ndër veprat e tij më të njohura si shkrimtar, janë: “Motomorphosis”, “Ela, Hela, and the Hitch”, “An Evening with the Family”, “Hitchhiking”, “The Garden Party”, “The Memorandum”, “Guardian Angel”, “Conspirators”, “The Beggar’s Opera”, “Audience”, etj.