MENU
klinika

Lojtarët e Kombëtares në merkato

Pas Sadikut, edhe dy kuqezi pritet të ndryshojnë ekip

25.01.2021 - 13:59

Transferimi i Armando Sadikut në Bolivi bëri jo pak bujë jo vetëm në Shqipëri. Do të jetë i pari futbollist i kombëtares shqiptare që do të luajë në Amerikën Latine. Sulmuesi kuqezi do të jetë pjesë e Bolivar, që këtë vit feston 100 vjetorin e themelimit të klubit. Vetë Sadiku përshëndeti tifozët e ekipit:

“Përshëndetje të gjithëve tifozëve të klubit blukaltër. Unë jam Armando Sadiku, tashmë futbollist i Bolivar. Jam shumë i gëzuar të jem pjesë e kësaj familje dhe i një projekti fitues. Shpresoj të arrijmë suksese në 100-vjetorin e klubit. Forca Bolivar!”

Dy futbollistë të tjerë të kombëtares së Shqipërisë pritet të ndryshojnë ekip gjatë janarit. Qendërmbrojtësi  Frederik Veseli është pranë transferimit te skuadra e Virtus Entella në Serie B. Mediat italiane shkruajnë se “Djajtë e Zinj” janë vetëm një hap larg blerjes së 28-vjeçarit, i cili është pjesë e Salernitanës, ekip që konkurron për t’u ngjitur në Serie A.

Drejtuesit e Virtus Entella duan të përforcojnë prapavijën duke parë se skuadra e tyre rrezikon rënien në Serinë C. Veseli u mor nga Salernitana shtatorin e vitit të kaluar, por pas  muajsh i ofrohet një mundësi e re.

Edhe portieri Gentian Selmani pritet të ndryshojë skuadër, por jo shtet. Gardiani i Menemensporit raportohet se ka arritur akordin me klubin e Superligës të Turqisë, Malatiaspor. Kjo për shkak të dëmtimit të portierit Ertaç Ozbir dhe mosbesimit ndaj gardianit rezervë Abdulsamed. Malatiaspori po negocion me ish-portierin e Laçit, i cili ka kënaqur drejtuesit me paraqitjet e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN