MENU
klinika

A do të mund t’i mbledhë votat?

Projeksioni i Kurtit për të bërë Vjosa Osmanin presidente

15.01.2021 - 20:23

15 shkurti pritet ta riorganizojë fuqinë elektorale të subjekteve politike në Kosovë. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do t’i hyjnë garës së bashku me synimin që t’i marrin dy pozitat kyçe, Kryeministrin e Presidentin, ani pse zgjedhjet do të mbahen për Kuvendin e Kosovës. Por a do t’ia dalë Albin Kurti që t’ia sigurojë votat në Kuvend Vjosa Osmanit, pas zgjedhjeve për ta bërë shefe të shtetit? Flasin analistët politikë.

Akoma nuk dihet nëse KQZ’ja do ta çertifikojë Albin Kurtin për të kandiduar për deputet pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, Vetëvendosje po projekton fitore mbi 51% në mënyrë që Albin Kurti të bëhet kryeministër e më pastaj ky i fundit ta bëjë Vjosa Osmanin presidente.

Që Vjosa Osmani nga ushtruesja e detyrës të bëhet presidente me funksion të plotë, i duhen 80 përfaqësues të popullit që të rrijnë në sallën e Kuvendit dhe 61 ta ngrisin dorën për të, nëse nuk arrin të zgjidhet në dy raundet e para.

Ky skenar po duket pak i mundshëm nga njohësit e rrethanave politike, marrë parasysh vështirësinë që VV’ja të dalë me 61 deputetë pas zgjedhjeve. Opinionisti Fitim Salihu thotë se VV’ja do të ketë nevojë për votat e një partie shqiptare që ta zgjedhin Osmanin presidente.

“Nuk besoj që Vetëvendosja dhe Vjosa Osmani do të arrijnë t’i bëjnë 60 deputetë në zgjedhje, ashtu që më pas ta zgjedhnin Vjosën si presidente së bashku me 20 votat e minoriteteve. Pra, domosdosmërisht Vetëvendosja do të ketë nevojë për votat edhe të një partie politike shqiptare për ta zgjedhur presidentin”, tha Salihu për Express.

Sipas Salihut, VV’ja është larg synimit për të marrë 51 për qind të votave në zgjedhje.

“Sa i përket numrave të mundshëm të deputetëve, duke u bazuar në sondazhet objektive që qarkullojnë në media, Vetëvendosja është larg synimit për të marrë 51% të votave. Por, se sa saktësisht do të arrijë t’i fitoj, është tejet e vështirë të parashikohet që tani. Sa më shumë të futemi në fushatë, aq më shumë do të kemi riformatime të shtratit elektoral të partive politike dhe mund të ndryshojnë numrat”, tha ai.

Drejtori i Instituti të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se pa një marrëveshje mes partisë fituese dhe një partie të madhe shqiptare është pothuajse e pamundur zgjedhja e presidentit.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka ndërtuar standardin kushtetues që me rastin e votimit në Kuvend per Presidentin e Republikës në sallë të qendrojnë 80 deputetë. Një qasje e tillë imponon konsensus politik mes partive politike, duke marrë për bazë sistemin zgjedhor në Kosovë. Pa një marrëveshje mes partise fituese të zgjedhjeve dhe një partie të madhe shqiptare pothuajse është e pamundur zgjedhja e nje presidenti konsesual. Kur kësaj i shtohet fakti se 10 vende janë të rezervuara per komunitetin serb, partia fituese e zgjedhjeve per të mundur të zgjedh Presidentin do të duhej të fitone së paku 60 përqind të votave që e bën në praktikë të pamundur”, tha Miftaraj për Express.

Miftaraj tutje tha se që vendi të mos rrezikojë zgjedhje të reja pas atyre të 14 shkurtit, zgjedhjen e presidentit do ta imponojë shkuarja në një pako me pozitën e kryeministrit dhe Krytarit të Kuvendit.

“Procesi i zgjedhjes së Presidentit në keto zgjedhje do imponohet të shkojë në një pako me pozitën e Kryeministrit dhe Kryetarit te Kuvendit, që nënkupton edhe një marreveshje të obligueshme të koalicionit pas zgjedhjeve mes VV dhe një partie të madhe shqiptare, me kushtin që vendi të mos shkoj prapë në zgjedhje”, tha ai.

Kryetari i VV’së në konferencën e përbashkët me Vjosa Osmanin pas nënshkrimit të marrëveshjes për të garuar në listë të përbashkët ka deklaruar se pas zgjedhjeve do të marrin mjaftueshëm vota për të zgjedhur presidentin duke aluduar në numrin e mjaftueshëm të deputetëve që do t’i fitojnë.

“Këto zgjedhje plebishitare të 14 shkurtit janë për ta rikthyer qeverisjen e mirë në njërën anë dhe për ta religjitimuar presidenten që e do populli”, ka deklaruar Kurti. /GazetaExpress/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deri tani asnjë koalicion

VV: Me Osmanin, jemi në procesin e…