MENU
klinika

"Çështje patriotizmi"

Pse u vodh Mona Liza?

18.01.2021 - 16:42

       Mona Liza (Mona Lisa) mund të jetë fytyra më e njohur në faqe të dheut. E spikatur në emisione televizive dhe në filma të panumërt, e parodizuar në format nga më të ndryshme në krejt globin, e përmendur në libra arti në çdo gjuhë, Mona Liza ka një portret që tërheq çdo vit, mbi shtatë milion njerëz, në muzeun e Luvrit në Paris.

Secili nga vizitorët, do të shohë nga afër, se, piktura është shumë e vogël, saktësisht 76cm x 53cm. Nuk ngjason me veprat e tjera të Rilindjes sepse nuk është masive, apo të bjerë në sy menjëherë, a të shkaktojë ndonjë emocion të fortë.

Në fakt, kur Mona Liza u vendos në Luvër, më 1797, varej në mur me piktura të tjera dhe nuk ishte e vetme në qendër të vëmendjes, sikundër sot. Mona Liza, natyrisht, është një vepër arti e një artisti të madh si Leonardo da Vinçi, megjithatë, nuk ishin aftësitë e tij ato që e bënë pikturën të famshme.

Mona Liza e mori famën e vërtetë prej një grabitës veprash arti, italiani i quajtur Vincenzo Peruggia.

Mëngjesin e të hënës, të 21 gushtit 1911, Peruggia doli jashtë nga Luvri, pa u pikasur me Mona Lizën të fshehur nën përparësen e punës. Peruggia nuk ishte ndonjë fytyrë e panjohur në muze. Ai ishte duarshkathët, i punësuar herë pas here për të punuar me xham mbrojtës për eksponatet. Kishte punuar me një numër pikturash të shtrenjta dhe të bukura në Luvër, si edhe në muzetë të tjerë.

Atëherë, përse e vodhi Mona Lizën?

Për Vicenzo Peruggia-n, kjo ishte një çështje patriotizmi. Gabimisht, kishte menduar se Mona Liza ishte vjedhur në Itali, në kohën e Napoleonit dhe besonte se ishte detyra e tij, t’ia kthente këtë tablo atdheut. Ai e fshehu tablonë në banjon e muzeut natën e së dielës, duke e ditur se do të ishte i mbyllur të hënën dhe mund ta vidhte qetësisht e të largohej. Sidoqoftë, gjatë marrjes në pyetje pas dy vjetësh, Peruggia tha se thjesht kishte ardhur të hënën në mëngjes me punëtorët e tjerë, kishte pritur deri sa galeria ku ishte Mona Lisa të boshatisej, e kishte marrë pikturën nga muri, e kishte fshehur nën përparësen e punës dhe kishte dalë jashtë.

Në fakt, punonjësit e muzeut nuk e pikasën0 menjëherë mungesën, deri të nesërmen.

Ndonjëherë pikturat hiqeshin nga muri për t’u fotografuar, ndaj s’ishte diçka e pazakontë që njëra prej tyre të mungonte. Megjithatë, kur rojet e sigurisë pyetën fotografët, zbuluan se piktura ishte vjedhur.

Kur policia nisi hetimin, Peruggia ndodhej në shtëpi duke e fshehur Mona Lizën në një sënduk, pa i shkuar aspak nëpër mend se, kjo vjedhje sapo kishte ndryshuar historinë e artit. Përgjatë dy viteve në vijim, vjedhja e Mona Lizës u bë lajm ndërkombëtar.

Kjo ngjarje u përhap përmes gazetave, në të gjithë Francën dhe në mbarë botën, duke u publikuar edhe nga New York Times. Ndërkohë, policia kërkoi me dëshpërim për hajdutin dhe hetoi plot të dyshuar, përfshi poetin e mirënjohur, Apolinerin (Guillaume Apollinaire), i cili, njëherë kishte bërë thirrje që Luvri të digjej e që tashmë, zotëronte disa statuja të vogla që ishin vjedhur nga Luvri.

Policia mendoi se burri që kishte vjedhur statujat, mund të kishte edhe Mona Lizën. Kur policia e mori në pyetje Apolinerin për Mona Lizën dhe për statujat, për këtë të fundit, ai implikoi mikun e tij, piktori i ri spanjoll që quhej Pikaso (Pablo Picasso). Thuhet se Apolineri dhe Pikaso qanë gjatë marrjes në pyetje dhe në fund, policët e kuptuan se asnjëri prej tyre nuk ishte ai që kërkonin. Pas vjedhjes, muzeu i Luvrit ishte mbyllur për një javë. Megjithatë kur u rihap, njerëzit po mbanin radhën vetëm që të hynin e të shikonin vendin ku më parë, qëndronte piktura e Mona Lizës. Madje, deri në Kaliforni e dinin me saktësi, se ç’pamje kishte kjo pikturë e vogël nga Franca, sepse e kishin parë vazhdimisht në gazeta, si një lloj krimi sensacional. Nëse Vincenzo Periugga do të kishte vjedhur një pikturë tjetër, kjo vepër arti mund të ishte bërë po aq lehtësisht, piktura më e famshme në botë dhe Mona Liza, nuk do të bëhej aq e njohur sa ç’është sot.

Por për shkak të vjedhjes, Mona Liza u bë vepra e parë e artit që shihej dhe shpërndahej në të gjithë botën, gjatë një kohe kur komunikimi masiv ishte ende në hapat e parë. Një vepër arti që, më parë kishte qenë thjesht një drejtkëndësh i vogël në një mur të mbushur me piktura, tashmë ishte bërë epiqendra e një skandali global. Ndërkohë, planet e Periugga-s për t’ia shitur pikturën një galerie arti në Itali, u ndërprenë. Me famën e re të Mona Lizës, çdo përpjekje për ta ofruar kundrejt shpërblimit, apo për ta shitur, mund të rezultonte në arrestimin e tij. Ndaj, qëndroi brenda një sënduku, për dy vite. Më në fund, në vitin 1913, Periugga po e humbte durimin. Ai kontaktoi Alfredo Geri-n, një tregtar veprash arti në Firence, për t’ia kthyer Mona Lizën “vendlindjes” në këmbim të shpërblimit.

Geri i tha Peruggia-s ta takonte te Galeria Uffizi, për ta verifikuar pikturën.

Kur Peruggia ia dorëzoi, Geri premtoi se do ta mbante në një vend të sigurt, megjithatë ai telefonoi policinë sapo Peruggia u largua. Hajduti i veprave të artit u arrestua në hotelin ku po qëndronte, Mona Liza u rimor dhe krimit që shkundi botën, i erdhi fundi. Galeria Uffizi e ekspozoi pikturën për javë, përpara se të kthehej zyrtarisht në Luvër, më 4 janar të vitit 1914. Që nga ajo kohë, kanë ndodhur disa incidente në përpjekje për ta dëmtuar Mona Lizën, por nuk ka pasur më vjedhje.

Sot piktura ka një mur të veçantë në Luvër dhe mbrohet nga një xham antiplumb, me ajër të kondicionuar. Për sa i përket Vincenzo Peruggia-s, ai u burgos për gjashtë muaj, ndërsa në Itali u vlerësoi për atdhetarizmin e treguar. Ai shërbeu në ushtrinë italiane gjatë luftës së Parë Botërore dhe në fund u shpërngul sërish në Francë, ku hapi një punishte për piktura, që e zotëroi deri kur vdiq në vitin 1925.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Miti modern i Da Vinçit

500 evente për 5 shekujt

Ezra Paund-parajsa e thyer

A kishte qenë poeti i çmendur?